Renatoja, një njëzet e gjashtëvjeçar nga fshati Adë –Bunacë e do tokën e tij. E ëmbëlson me luleshtrydhe, prej nëntorit në qershor, për t’ia dorëzuar më pas kulturës së pjeprit. Gjashtë vjet pasi mbaroi shkollën e Mesme, dhe pas një viti në Greqi si emigrant , të gjithë menduan se do të ishte mekaniku dhe bojaxhiu i parë në fshatin e tij, por nuk ndodhi kështu .“Kur u ktheva nga Greqia, kërkova punë në ofiçinën e vetme të zonës, në fshatin ngjitur, Kafaraj. Atje kërkonin djem të rinj. Nuk kisha asnjë njohuri për makinat. Fillimisht paguhesha shumë pak . Por më pas, nuk kisha kohë të merrja frymë dhe paguhesha kënaqshëm”. Vendimin për të ndërruar punën e mori kur vuri re se, pavarësisht pagës, organizmi nuk reagonte mirë ndaj bojërave, kimikateve.
I merreshin mendtë, i vinte për të vjellë dhe ndjente dobësi në trup. Pas pesë viteve si riparues makinash dhe bojaxhi i tyre, Renato, i ndikuar nga vëllai dhe kunati emigrantë në Greqi për më se njëzet vite, vendosi të kultivonte luleshtrydhe. “Vura re se ata që po e kultivonin ishin të kënaqur. Tokat e familjes sime nuk punoheshin. Viti i parë ishte dëshpërues. Një fjalë e thënë pamend ne një televizion kombëtar, paralizoi tregun dhe luleshtrydhet nuk u shitën, pavarësisht cilësisë së tyre të lartë,-tregon ai,- Vëllai im, Ariani, kunati im, Tani, nuk më lanë të hutohem. Ashtu si më sugjeruan kultivimin e saj, më siguruan specialistin grek dhe fidanët që duhet të përdor.
Për çdo problem, përzgjedhje, ndërhyrje, unë konsultohem me të, nuk njoh specialist shqiptar për luleshtrydhen. Nga të gjitha llojet e njohura, Sabrina, Kamaroza, Flaminje, unë kam zgjedhur të kultivoj Furtunën. Është ky lloj i luleshtrydhes që i përshtatet tokës sime. Kultivohet në sera, edhe pse nuk është një luleshtrydhe vendi, por hibride dhe vjen nga vende më të ngrohta Spanja dhe Portugalia. Toka jonë i pranon shumë mirë dhe llojet e tjera, por Furtuna siguron prodhim të qëndrueshëm dhe është më i kërkuari për eksport. Nën këshillën e specialistit grek, kam mënjanuar përdorimin e pesticideve. Në vend të tyre përdor ekstrakte algash, edhe kristale kalciumi që i tret në ujë ashtu si tretet gëlqerja. E quajmë “neto calcium”. Këtë përzierje e marr tek ndërlidhësi në Cerven, që e sjell nga Patra. Atje në Patër, ai ka luleshtrydhet e tij”. Është i imët dhe kush nuk e njeh mund të mos e besoj kur thotë se luleshtrydhja dhe pse bujare , të lodh. “E nis punën në pesë ose gjashtë të mëngjesit dhe e përfundojmë në tetë të darkës. Gjatë dimrit punoj pa ndërprerje, kurse me shtrëngimin e vapës , tetorëshin e përgjysmoj në dy intervale”.
Në panairin e zhvilluar vjet nga Ministria e Bujqësisë ai u shpall si kultivuesi më i ri i zonës. Sivjet mungoi në panairin e Bashkisë Fier , sepse nuk kishte mundësi të lëvizte. Duket se luleshtrydhja i është bërë dashuri. E gjen gjithmonë atje, në serrë. Punon shumicën e herëve vetëm. “Nuk jam ndihmuar nga shteti, nuk kam marrë kredi dhe as subvencione. Kur i kërkova , nuk m’i dhanë për shkak të moshës.Që të jetë e mbarë, luleshtrydhja kërkon të ardhura, i ndërrohen fidanët për vit , që i marr në Greqi. Nuk e lë dot.
Të mban të zënë në punë dhe nuk të nxjerr pa gjë. Megjithëse i ftohti i sivjetshëm e dëmtoi shumë këtë kulturë bujqësore , unë prapë nuk hoqa dorë. Luleshtrydhja e shlyen veten, i mbulon shpenzimet . Në mars kur kërkesat janë në kulm , fitimi maksimal ka arritur edhe 300 mijë lekë të vjetra në ditë, kurse tani që është fundi , deri në pesëdhjetë mijë lekë. Nuk ankohem për tregun , atë e kam të siguruar. Luleshtrydhet e tokës sonë shkojnë në Maqedoni, Kosovë , Serbi , Rusi dhe Itali. E kam siguruar vet.
Tregu i madh i Lushnjes është kthyer si një menaxher për kultivuesit e luleshtrydhes. Atje i gjeta të interesuarit dhe tani unë shes vetëm me kontratë. Shumë të tilla i siguroj me telefonata me tregtarë të huaj”. Ai tregon se marsi dhe prilli janë muajt kur ka rritje kërkesash dhe shitjesh. “Punoj me familjarët e mi dhe tre-katër herë në javë marr dy ose tre gra për të më ndihmuar. Nuk marr burra, sepse të vjelësh luleshtrydhe kërkon shpejtësi, delikatesë. Do qëndrueshmëri. Është një punë që të kërkon të rrish përkulur për gjatë gjithë kohës ,përgjatë tetë orëve. Ka shumë rëndësi renditja e luleshtrydhes nëpër kupa, Duhet respektuar radhitja, që të mos shtypen në rrugët e gjata, por dhe tregu e ka primare estetikën.
Luleshtrydhja cilësohet dhe si një bimë ekzotike , ajo duhet të kënaqë dhe syrin. Në ditë mund të përgatisim edhe njëqind arka e më tepër për tregun. Punojmë shumë dhe me përgjegjësi . Maqedonasit ,kosovarët , janë porositësit kryesorë. Nuk duam tua humbasim besimin. Tregu i brendshëm është po thuaj inekzistent. Kërkesat nga hotelet dhe restorantet janë shumë të pakta dhe nuk përputhen me ritmin tonë të punës. Ka shumë që e nisën këtë sipërmarrje ,– shton Reni – por nuk e kanë çuar dot deri në fund.
Dy faktorët që ndikojnë për keq ,unë i di. Vëzhgoj si përzgjidhet fara. Jo gjithmonë sipas kërkesave të tregut; e dyta: mungesa e bashkëpunimit mes fermerëve. Toka tona janë të rrethuara me ujë , mund të kultivojmë të gjitha perimet dhe shumë fruta. Do të doja që një ditë të kisha mundësinë ta përpunoja luleshtrydhen. Kam shpresë që për një dhjetëvjeçar të kem frigoriferin tim dhe degën e përpunimit të saj në zonë. Por, deri atëherë të shohim …”.
Reni e do tokën e tij, i është mirënjohëse asaj. Ka respekt dhe për gratë që sakrifikojnë për të vjelë e për t;u kujdesur për këtë bimë sa të egër , aq dhe nazike, sa kërkuese aq dhe bujare. Janë punëtore sezonale dhe ia dinë hiletë luleshtrydhes”. –tregon- Janë të kujdesshme dhe të gjindshme. Janë të pjekura në moshë( përjashto dy ose tre ), që më shumë vijnë për të shoqëruar nënat,ose motrat. Nuk punojnë vetëm te unë, por dhe te të tjerë. Nuk mund të them se janë punëtore të miat. Ato ndryshojnë. Edhe për çdo vjelje. Pagesa është e kënaqshme, unë me punën e tyre. Nuk mund të punojë gjithkush në luleshtrydhe, kështu që do të ishte shumë mirë të kishim punëtore të qëndrueshme dhe të përgatitura. Ka pasur raste që e kam vjelë vet sasinë e kërkuar sepse koha nuk priste, por në përgjithësi më janë ofruar, sidomos nga fshatrat rrotull . Nuk e di pse , – vazhdon Renatoja, – po sikur ecën puna më mirë me punëtorë që nuk janë nga fshati yt”.
Përzgjedhja e punëtorëve dhe historia e Vjollcës
Kureshtare , desha të njoh gratë që Renoja përzgjedh. Mendova se do të ishin gra nevojtare. Vjollca Ferra, 57-vjeçarja, me buzëqeshjen gati, nuk është as e patokë, as e paplotësuar. “E ndihmoj Renin se e kam si djalin tim. Mos më pyet për të mitë se i kam larg, me djem e me nuse. Kam nipër e mbesa, po nuk i kam këtu . E ndihmoj Renaton deri sa fillon sezoni i nektarinës”, përlotet ajo tok me buzagazin . Luleshtrydhja është e vështirë ,por domatja që unë kultivoj në tokën time është dhe më e vështirë. Të duhet ta krasitësh, ta lidhësh, ta spërkatës, ta vaditësh. “Edhe luleshtrydhja i kërkon këto shërbime ,por unë këto i bëj vete” – ndërhyn Reni. “Ma jep këtë mundësi, kurse domatja kërkon më tepër fuqi punëtore. Punëtoreve ua kam nevojën për sezonin e vjeljes. Për të gjitha të tjerat ia dal vet”. Ndërsa Vjollca shton se “fusha jonë e do luleshtrydhen.
Ajo doli të jetë mbretëresha e kësaj toke”. Ajo duket si kur e përforcon mendimin e saj me buzën e çelur dhe mbledh supet, sikur të kishte thënë të vetmen gjë të sigurt. “Edhe nektarinën e bën të mirë, po ajo tani nuk ka punë; pikun e ka në janar shkurt për t’i shërbyer dhe nga mesi i qershorit deri në gusht për t’u vjelë. Nektarinën e japim me dyqind lekë te tregtari. Nuk e di sa e shesin në treg, po e di që tallen me ne. Prisja të shprehte ndonjë pakënaqësi të adresuar si rëndom, por jo, ajo vazhdoi punën duke fshehur sytë e zgjuar nën shaminë e bardhë ,brenda të cilës ka vendosur një gazetë. Më tej dy punëtore të tjera janë përkulur mbi luleshtrydhe dhe duket se nuk e kane mendjen në bisedën tonë. Lela , vetëm 15vjeçe ,thotë se ndihmon të motrën, bashkëshorten e Renatos. “Mesin ta lodh luleshtrydhja , por do e ndihmoj motrën time . Duke menduar këtë , nuk dua ta lë punën, dhe pse lodhem.
Mesatarisht në ditë mbushim 12-13 arka dhe në ditën më të mirë rreth 18 arka”. Lila, gruaja e pakët rreth të 40 –ave, ashtu i ka dhe fjalët .. thotë se në tokën e saj ka mbjellë 6 dynym shalqi dhe tre dynym grurë . Pse punon këtu atëherë ?- e pyes. “Kam nevojë për lekë , sa të bëhet gruri dhe shalqiri , me se do ushqehem?! . “Fati ynë në mes të rrugës”, shton Vjollca, që është afruar si pa ndjerë, ose fitojmë ,ose humbim . Dhe ne vdesim nëpër ara. Nuk e lëmë dot … Po mbyllet puna e një dite. Ato grumbullojnë arkat në hyrje të serrës , kurse unë nuk do të doja të ecja përmes serrës për atje. Më duket se do e prishja rregullsinë e vllajave ,nga ku luleshtrydhet , herë të ndrojtura e herë kryeneçe, skuqnin e feksnin fisnikërinë e llojit. Zgjodha të eci anës, bashkë me Renin. “Kujdes,-më paralajmëroi,- kujdes nga poleni i luleshtrydheve. Dikujt mund t’i shkaktojë alergji. Mua ma jep në krah ,por jam mësuar dhe nuk më bën përshtypje .
“Nuk jam kompensuar nga përmbytjet”
Afrohemi te furgoni. Punëtoret do të çohen në shtëpi . Më ftojnë të ulem para , në shenjë respekti. Aty ku duhej të ulej Vjollca si më e madhja nga të gjithë. Lamë pas serrën pasi siguruam rrjetën e hyrjes, prej nga shihet krevati i sajuar me kashtë nen plastmasë. Re të zeza po grumbullohen dhe eshtrat e cave nga ne thonë se do të bjerë shi … “Kam dëgjuar se do të bëjë vapë e paparë” – i them Renit …Nuk e dëmton Luleshtrydhen ? “Le të bjerë”-përgjigjet qetë duke bërë kujdes me të ngjiturëzën me gropa. “Ajo na e dha çfarë mundej këtë vit ”. Aty, në furgon ,caktojnë detyrat dhe orën gjashtë si nisjen e punës për ditën tjetër. Reni do të shkojë në tregun e Vlorës, nuk ka frikë të lëvizë me luleshtrydhet e tij. Unë jam fermer i licencuar , kam numrin tim te NIPT-it. (më erdhi mirë për krenarinë e tij.) Më bën përshtypje dhënia e lekëve në dorë për ditë pune.
Nuk e ndjen nevojën e një financieri ? – e pyes .“Sigurisht , që do të më ndihmonte, deri tani e kam bërë vet edhe marrëveshjet me punëtorët ditorë dhe tregtarët .Shkollën e lartë nuk e ndjek dot tani , se puna nuk më lë,por do të doja të bëja një kurs me orientim menaxhim për financat bujqësore … e di që do të më ndihmonte ,- e mbyll bisedën e asaj dite Reni, që nuk ndenji kot asnjë muaj të vetëm që kur mbushi 18 vjeç. Nuk e dija se do të takoja dhe Bedrien, bashkëfshatare e Renit. Më përshëndeti ngrohtësisht ,por më foli e shqetësuar. Ajo nuk e ka fatin e Renit dhe i dhembin 45 milionë lekët e investuar . “Vetëm dy javë më parë mu kthyen pas 70 arka. Luleshtrydhet ishin pjekur më shumë se duhet .. Nuk jam më e re , dhe fëmijët i kam larg” -pohon ajo , që është vetëm 57 vjeçe.
“Po ndërroje tokën , mbille me tjetër gjë, pse këmbëngul kaq? Më vështroi butë. Luleshtrydhja është shpresa e këtyre anëve. Nuk jam kompensuar për përmbytjet e tre viteve më parë … I thashë një ditë tim shoqi që nuk votoj më, por nuk e kisha vërtet. Kam te drejtë të votoj, edhe pse nuk pres nga askush . Ata janë të gjithë njëlloj. Më kanë trokitur bam e bam në derë dhe nuk më kthyen kurrë një përgjigje. As për të dëgjuar nuk dinin të dëgjonin Megjithatë, unë votova .(Ne jemi fshatarë , -më tha im shoq,- ajo që dimë të bëjmë., është të mbjellim dhe të korrim ).. Dhe mirë e kishte. Këtë do ta bëjmë deri në fund .. Shiko se unë fshatare jam, – ma përsërit -po e di që kam të drejtë të votoj dhe nuk jam budallaqe sa të lë të më ikë dëm votën time. Ma donte shpirti mos ta përzieja të ëmblën e dheut me politikën. E përshëndeta dhe u largova. Mbase takohemi kur diçka të jetë rregulluar edhe për atë./Shekulli
a.c
Bravo bravo ! Si mund ta tregetojme kete luleshtrydhen ? Kontakt