Teksa finalizimi i zbatimit të Vetingut, falë presionit të fortë amerikan dhe evropian, tashmë është i pashmangshëm, vihet re një tendencë në rritje të njerëzve të drejtësisë dhe të politikës, për të shitur pasuritë e paluajtshme.
Prokurorë, gjyqtarë, deputetë, familjarë të deputetëve etj., gjatë dy viteve të fundit, kanë nisur të shesin vilat, apartamentet, pronat dhe bizneset.
Periudha përkon me kohën e miratimit të Reformës në Drejtësi dhe me përpjekjet për zbatimin e saj. Zbatimi i reformës, përpos të tjerave, parashikon edhe ngritjen e institucioneve të reja, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, të cilat do të ndëshkojnë krimin dhe korrupsionin elitar, ku një nga armët kryesore do të jetë edhe konfiskimi i pasurive të pajustifikuara. Gjithsesi, lidhja mes shitjes së pasurive të paluajtshme nga zyrtarët dhe veprimit të pritshëm të Byrosë së Hetimit, mbetet vetëm në kuadrin e dyshimit.
Shitja e pasurive të paluajtshme
Gjatë vitit 2016, kryeprokurori Adriatik Llalla, rezulton se ka shitur tokë e llojit ullishte, me sipërfaqe 3 000 m2, në Tiranë, për 249 000 euro. Ndërkaq, referuar gjithnjë deklaratave të pasurive, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, gjatë vitit 2016, ka shitur pasuri të paluajtshme me vlerë 600 mijë euro. Në deklaratën e pasurisë, nuk specifikohet lloji i pasurisë së paluajtshme. Gjithashtu, anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani dhe bashkëshorti i saj, Ardian Fullani, gjatë vitit 2015, kanë shitur tokën në Farkë me vlerë 285 mijë euro.
Paratë e tokës i kanë arkëtuar gjatë vitit 2016. Po ashtu, edhe Edi Paloka, kreu i grupit parlamentar të PD, gjatë vitit 2016, ka zgjidhur një akt-marrëveshje për blerje apartamenti dhe kthim të shumës së paguar, 30 mijë euro. Deputeti i PDIU, Omer Mano, ka shitur dy apartamente me sipërfaqe nga 107 m2, me vlerë 5 600 000 lekë dhe 6 160 000 lekë.
Tom Doshi ka shitur tre pasuri të paluajtshme me vlerë 53 200 000 lekë, 57 680 000 lekë dhe 100 800 000 lekë. Edhe deputeti Robert Bitri ka shitur dy apartamente 2 +1. Gjyqtarja Merita Xhani rezulton se ka shitur 5227 m2 tokë arë, për 150 mijë euro. Adriano Dyrmishi, prokuror në Prokurorinë e Tiranës, ka shituar pasuri të paluajtshme në fshatin Gercalli në Fier, prokurori Apostol Prifti ka shitur banesën në Korçë, ndërsa prokurori Dritan Rreshka ka shitur apartamentin me vlerë 6 9000 000 lekë.
Anti-mafia
Disa javë më parë, Parlamenti ka ndryshuar ligjin Anti-mafia, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ligji i trajton zyrtarët e korruptuar njëlloj si bosët e drogës, duke u konfiskuar pasuritë. Ndryshimet e miratuara parashikojnë zbatimin e masave parandaluese kundër pasurisë, për 15 vepra të tjera penale. Ligji i ri do të veprojë jo vetëm mbi pushtetarët që përfshihen në praktika korruptive, por edhe mbi qytetarët që ushtrojnë ndikim të paligjshëm mbi zyrtarët.
Objekt i veprimit të ligjit ri Anti-mafia do të jetë edhe vepra penale e shpërdorimit të detyrës. Shumë zyrtarë mund të akuzohen për shpërdorim detyre dhe jo për korrupsion aktiv apo pasiv, ndaj si të tillë nuk do t’i shpëtojnë zbatimit të ligjit Anti-mafia dhe gjykimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Po ashtu, është përfshirë edhe vepra penale e shpërdorimit të kontributeve, subvencioneve ose financimeve të dhëna nga shteti ose institucione shtetërore, për t’u përdorur në vepra dhe veprimtari me interes publik. Ligji Anti-mafia do të zbatohet edhe për veprën penale të përfitimit të paligjshëm të interesave, parashikuar në nenin 257 të Kodit Penal.
Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë, nga persona me funksione shtetërore apo shërbim publik, i një interesi të çfarëdoshëm dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet. Ligji Anti-mafia do të zbatohet për veprën penale të fshehjes dhe mashtrimit me deklaratat e pasurisë. Është përfshirë pikërisht neni 257/a, ku refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Zyrtarët që kanë shitur pasuritë e paluajtshme dy vitet e fundit
Adriatik Llalla, kryeprokuror, shitur tokë e llojit ullishte me sipërfaqe 3 000 m2, në Mjull-Bathore, Tiranë, për 249 000 euro.
Shkëlzen Berisha, të ardhura të krijuara nga shitja e pasurive të paluajtshme, 600 mijë euro.
Arjana dhe Ardian Fullani kanë shitur tokën në Farkë, vlerën prej 285 000 euro. Toka është shitur nga Arjana, Ardian, Fiona dhe Erik Fullani dhe është arkëtuar në vitin 2016.
Edi Paloka, kreu i grupit parlamentar të PD, zgjidhje e akt-marrëveshjes për blerje apartamenti dhe kthim të shumës së paguar, 30 mijë euro.
Vangjel Tavo, deputet i LSI, shet shtëpinë në Pire të Greqisë 90 mijë euro.
Tom Doshi, deputet, shet pasuritë e paluajtshme në vlerat, 53 200 000 lekë, 57 680 000 lekë dhe 100 800 000 lekë.
Robert Bitri, deputet, shet apartamentin 2 +1 64 000 000 lekë, shitje banesë në Fier 2 +1.
Omer Mano, deputet i PDIU, shet apartament me sipërfaqe 107 m2, 5 600 000 lekë, apartament me sipërfaqe 107 m2, 6 160 000 lekë.
Luan Duzha, deputet, shitur një apartament dhe garazh, 114 m2 dhe 25 m2, për 5 600 000 lekë dhe 900 000 lekë.
Ilir Xhakolli, deputet, shet njësi ndërtimore dhe zyrë, për 100 mijë euro dhe 40 mijë euro.
Igli Cara, deputet, shitje apartamenti 30 mijë euro.
Sadri Abazi, shitje apartamenti në Durrës, 70 m2, 34 mijë euro.
Gledjon Rehoviza, shet pasuri të paluajtshme, 6 400 000 lekë.
Gjovalin Bzhetaj, shet pasuri të paluajtshme, 68 140 lekë.
Bujar Derveni, deputet, shitje pasurie të paluajtshme, 2 190 000 lekë.
Adriano Dyrmishi, Prokuroria e Tiranës, shitja e një pasurie në fshatin Gercalli në Fier, 375 000 lekë.
Apostol Prifti, Prokuroria e Tiranës, shitja e banesës në Korçë.
Dritan Rreshka, Prokuroria e Tiranës, shet apartamentin, 6 9000 000 lekë.
Merita Xhani, gjyqtare, shet e 5227 m2 tokë arë, 150 mijë euro.
Petrit Fusha, kreu i Prokurorisë së Tiranës, shitur arë me sipërfaqe 200 m2, në shumën 950 000 lekë.
Astrit Haxhialushi, anëtar i KLD, blerë e më pas shitur një sipërfaqe terren 5000 m2 në Kavajë me vlerë prej 5 000 euro.
Hysen Saliko, shitja e një magazine në fshatin Qinam-Kolonjë, 2 000 000 lekë.
Gjyqtarët dërgojnë sërish ligjin e Vettingut në Kushtetuese
Burime për Report Tv nga Gjykata Kushtetuese bënë me dije se këtë mërkurë është regjistruar në Kushtetuese padia për shfuqizim të disa neneve në ligjin e Vettingut, ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe ligjin për organet e reja të drejtësisë.
Kjo padi është e dyta e depozituar në Kushtetuese nga shoqata kombëtare e gjyqtarëve dhe unioni i gjyqtarëve, pasi prej 2016 ata ju drejtuan Kushtetueses. /Shqiptarja/a.m.