Kryeministri Edi Rama në konferencën e tij të fundit për këtë vit, është pyetur nga gazetarët nëse kishte ndonjë merak për reformën në drejtësi, dhe a ka ai vetë frikë nga ajo.
“Keni dëgjuar shumë politikanë që i bien gjoksin për virgjërinë e tyre, unë nuk hyj te ata.
Reforma në drejtësi është një nga obsesionet që unë kam pasur, në kuptimin e pikave fikse, se si ne mund dhe duhet të bëjmë shtet këtu.
Për këtë kam insistuar të futet në programin e PS, edhe pse reforma në drejtësi kërkonte ndryshime kushtetuese, se isha i bindur se i kishte ardhur koha, dhe kur i vjen koha gjërave, është e kotë t’i mohosh.
Nëse kjo tregon se unë kam frikë nga drejtësia, ky nuk është problem im.
Problemi im është si të bëhet në këtë vend që të ndahet zullumi mënjanë e të mos vazhdojë historia të gjithë janë njësoj, të gjithë hyjnë e dalin në zullum” u shpreh Rama