Nga Alfred Peza
Vitin politik 2017 dhe këtë të riun ku sapo kemi hyrë, i ka lidhur këto orë me një hallkë jo edhe aq festive, debati i zhvilluar sëfundmi mes opozitës dhe Policisë së Shtetit. Një debat në distancë mes drejtuesve të selisë blu dhe zyrës së shtypit të uniformave blu, në lidhje me ndalimin në pikat e kalimit kufitar, të shtetasve që rezultojnë persona të shpallur në kërkim pas protestës së 18 dhjetorit të opozitës, përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ditën që votohej për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Republikës. Një veprim të cilin opozita e ka lidhur me frikën e qeverisë, për protestat e ardhshme të njoftuara prej saj, për në javën e tretë të janarit.
Në mungesë të lajmeve, debatave, temave dhe çështjeve të tjera të politikës së ditës, ndalimi i një qytetari më 1 janar dhe i një zonje më 2 janar, u bënë kryelajmet politike si nga mediat ashtu edhe nga aktorët e faktorët politikë të Tiranës. E gjitha kjo me siguri që do të zgjasi deri më 3 janar, sa të fillojë zyrtarisht punën qeveria, ministritë, institucionet shtetërore e kushtetuese të vendit, pushteti lokal e kështu me radhë, nga ku më pas do të vërshojnë si gjithmonë lajmet me një intensitet të tillë, sa kjo e këtyre dy ditëve të para të vitit të ri, do të harrohet.
Gjithësesi ky moment mbetet për tu analizuar, më shumë si një fenomen sociologjik e juridik, sesa si një fenomen politik. Më shumë si një sjellje a dukuri e një grupi të caktuar shoqëror që mer pjesë në aktivitete politike, duket krijuar një qasje të caktuar me ligjin, sesa si një tendencë e politikës për tu bërë “çadër” kundër shtetit ligjor dhe rregullave e normave juridike në demokraci. Më shumë si një sebep, sesa si një shkak real. Më shumë si një shfaqje publike për populizëm, sesa si një dukuri a fenomen thelbësor.
Sipas policisë, shtetasit e ndaluar prej saj në pikat e kalimit kufitar, bëjnë pjesë në listën e atyre personave që janë shpallur në kërkim për “kundërshtim të punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, sipas një referimi të bërë nga Prokuroria e Tiranës. Sipas sqarimit “personat e shpallur në kërkim policor” që janë “evidentuar, janë ndaluar, u është marrë një deklaratë dhe janë lënë të lirë”. Sipas kryetarit të PD Lulzim Basha “me akte të tilla, Edi Rama nuk bën gjë tjetër veçse po firmos me shpejtësi fundin e tij politik”. Sepse “shqiptarët e kanë vrarë frikën 28 vite më parë”.
Përtej retorikës politike që përdoret në ligjërimin publik për raste të tilla, nëse ka diçka që nuk i ka munguar Shqipërisë realisht në këto 28 vjet, ato janë pikërisht protestat. Sepse në një vend ku liria, demokracia dhe pluralizmi lindën nga protestat, as që i shkon dikujt ndër mend, që ti ndalojë ato. Kanë kaluar madje shumë e shumë vite nga ajo periudhë e 1992-1997 kur PD-ja ishte në pushtet dhe nuk e lejoi asnjëherë opozitën socialiste të asaj kohe, edhe me kryetarin në burg, që të protestonte në Sheshin “Skënderbej” apo në sheshet e tjera kryesore të vendit.
Liria e tubimeve, e protestës, e shprehjes së lirë të mendimit, opinionit, pakënaqësisë dhe e gjithçkaje tjetër që dëshiron çdo qytetar, është një e drejtë e patjetërsueshme tashmë. Ajo është e garantuar, si një standard që nuk mund të zhbëhet dhe nuk mund të kthehet dot më mbrapsht, pavarësisht se kush është sot apo nesër në pushtet në këtë vend.
Nëse ka një gjë që vërtetë na ka munguar në këto 28 vjet, ajo është diçka krejt tjetër në fakt. Një përmasë apo një dimension tjetër. Shqipërisë më shumë se çdo gjë, i ka munguar në këto vite të postkomunuzmit raporti me ligjin, me shtetin ligjor, me shtetin e së drejtës, me kulturën e ndëshkueshmërisë të kujtdo që e ka shkelur atë, pavarësisht pozicionit shoqëror dhe pozitës që ka patur apo ka në hierarkinë e shtetit.
Ndaj, nuk besoj se ndokush beson realisht se një qeveri legjitime, përfshi edhe këtë që na drejton sot, ka frikë nga protestat e ligjshme të qytetarëve të vet. Nuk e vë dorën në zjarr nëse ndokush në mazhorancë apo në opozitë, ka apo nuk ka sa duhet frikë nga zbatimi i ligjit dhe nga fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi, që nis pikërisht tani në janar. A thua të jetë krejt rastësi, fakti që bashkë me implementimin e kësaj reforme, të fillojnë edhe protestat e opozitës?! /AlpeNews.al