Nga Jakin Marena
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, ndonëse një vendim “hibrid” i cili kënaqi disa nga kërkesat e presidentit Ilir Meta, duket se ka sjellë qasje të ndryshme të politikës ndaj tij.
Kreu i PD Lulzim Basha, me sa duket pa lexuar vendimin deri në fund, pezullimet dhe dhënien të drejtë për shembjen e tij, u nxitua bashkë me lidershipin demokrat ta shpallte fitore. Ndaj kërkoi nga SPAK të marrë si të pandehur kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Ndërsa Ilir Meta u tregua më i ‘duruar’, nxori në skenë “skalionin” e parë të tij, LSI e Aleancën për Teatrin ku militojnë mbështetës të tij, për të atakuar Gjykatën Kushtetuese.
Paralel me kërkesën për ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale për të arrestuar madje Veliajn që në Rinas kur të kthehej nga SHBA, apo për të dërguar para drejtësisë Edi Ramën, kërkesa këto të deklaruara me gojën e nënkryetarit të LSI Petrit Vasili, pasi Monika Kryemadhi ka gati tre muaj që është zhdukur nga “qakullimi”, Meta orientoi goditjen e fortë ndaj ambasadorit të BE Luigi Soreca.
Shumëkush u habit nga precipitimi i situatës përmes një kanali të tillë politik, teksa u pa një riaktivizim i Aleancës për Teatrin për të sulmuar ambasadorin e BE për një takim me kryetaren provizore të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, takim i planifikuar shumë kohë më parë në kuadër të takimeve të ambasadorëve me krerët e drejtësisë së re.
Për këtë arsye Ilir Meta, i cili “Teatrin” e ka pasur “kalë beteje” të luftës së tij kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, madje e ka dërguar vetë personalisht çështjen në Kushtetuese, për ta njehsuar më pas dhe me ankimin e Aleancës për Teatrin, mbështeti regjizorin Edmond Budina, “heroin” e 2 marsit të para dy viteve kur protestoi bulevard përballë kryeministrisë.
Në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Budina kërkoi publikisht që ambasadori i BE Soreca të shpallet “non grata” pasi sipas tij ai është një “diversant” që ka sabotuar kauzën e tyre.
“Zoti Soreca për mendimin tim në çështjen e Teatrit Kombëtar është një diversant që ka sabotuar çështjen e Teatrit Kombëtar dhe këtë e them me bindje të plotë. Sepse ne kemi bërë disa takime me të dhe ai nuk ka reaguar fare, shkon në gjykatën kushtetuese fshehurazi, ditën që do gjykohej çështja e Teatrit Kombëtar. Pse nuk e bëri publike siç i ka bërë të gjitha të tjerat? Pse nuk u shpreh z.Soreca edhe pas takimit, dhe pasi e zbuluam ne.
Të thoshte: I kërkoj Gjykatës Kushtetuese të jetë e paanshme. Këtë duhet të bënte z.Soreca dhe jo të thoshte që do ti akuzoj shpifje, le të na akuzojë, ka për ta parë që të ato shpifje do të dalin të vërteta fjalët tona.
Sepse aty padiskutim që është diskutuar për çështjen e Teatrit Kombëtar, dhe ne do të kërkojmë edhe prokurorë, hetues ndërkombëtarë që ta verifikojnë, ta zbulojnë sepse nuk ka asnjë protokoll për atë çka është biseduar atje”, deklaroi Budina në një emision televiziv.
Ai tha se Soreca do të përballet me SPAK, duke u shprehur se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do ta denoncojë për veprimtarinë e tij në këtë çështje, pasi “ndërkohë që ne na nëpërkëmb ky z.Soreca shkon edhe kërcen valle me pushtetarët e këtij vendi”.
Një sulm i drejtëpërdrejtë i njeriut të Presidentit ndaj amabsadorit të BE, i cili u mbështet nga të gjithë njerëzit e LSI dhe afër Metës, përmes komenteve, postimeve në rrjetet sociale dhe mediat që janë afër liderit real të LSI!
Po ta shohësh në pamje të parë, sulmi ndaj Sorecës ka në bazë një takim të tij me kreun e përkohshëm të Kushtetueses, duke e akuzuar se ka ndikuar në vendimin e kësaj gjykate për “Teatrin”. Të paktën kështu po “shitet” zyrarisht kjo “sagë” sulmesh e akuzash ndaj ambasadorit të BE.
Por duke parë se vendimi i Kushtetuese për “Teatrin” ishte në masën 90 përqind të tij, pikërisht sipas kërkesave të Ilir Metës, të formatuar në ankesën e tij në institucionin më të lartë gjyqësor në vend, lind pyetja se përse Ilir Meta ka ngritur një skenar të tillë sulmesh ndaj Sorecës?!
Pyesim, pasi akuzat ndaj ambasadorit të BE për ndikim në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për “Teatrin” s’konvergojnë me rezultatin përfundimtar të këtij vendimi që në masën 90 përqind të saj ishte kundër qeverisë?!
E vërteta fshihet diku tjetër.
Ilir Meta është shkarkuar nga Kuvendi me 104 vota pro e tashmë vendimi dhe i gjithë dokumentacioni i shkeljeve të rënda të Kushtetutës sipas mazhorancës, është në Gjykatën Kushtetuese. Madje është caktuar dhe relatori i çështjes, megjithëse Kushtetuesja për të qënë jashtë perimetrit të goditjes politike e dërgoi në Komisionin e Venecias për mendim.
E dërgoi duke qënë e vetëdijshme se është dhënë njëherë opinion për të njejtën çështje, por Kushtetueses i duhet një konfirmim nga “Venecia” qoftë dhe me togfjalëshin “e kemi shqyrtuar njëherë këtë çështje dhe e kemi dhënë opinionin tonë dy vite më parë”!
E njejta dosje do dërgohet dhe në prokurori, pasi mazhoranca mendon se ka vepra penale!
Goditja ndaj Sorecës për ndikim në Kushtetuese nuk ka lidhje me vendimin për “Teatrin”, por ka të bëjë me vendimin që kjo Gjykatë do japë për shkarkimin ose jo të Ilir Metës nga posti i Presidentit.
Pra është një presion mbi Kushtetuesen për të orientuar vendimin në favor të zvarritjes dhe lënies së çështjes pezull deri në korrik 2022 kur i përfundon zyrtarisht mandati i Presidentit.
Një vendim i Kushtetueses për shkarkimin nga posti i Presidentit e lë Ilir Metën të “zhveshur” përballë drejtësisë së re, e cila me mbështetjen e SHBA dhe BE duket se nuk ka ndërmend të bëjë selektime përsa i përket dërgimit të zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion para drejtësisë.
Për më tepër që shpallja person “non grata” i Sali Berishës dhe familjes së tij nga ana e SHBA, ku sipas medias në radhë është dhe Ilir Meta bashkë me familjen e tij, mund të pasohet dhe nga Bashkimi Europian. I cili po kërkon rrugët ligjore për të përfshirë në vendimin përfundimtar dhe të korrupsionit të theksuar të zyrtarëve të lartë, siç e ka konsoliduar Uashingtoni.
Vetëm disa javë më parë Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian miratoi me 58 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenime një rezolutë, ku pasi mbështet regjimin e sanksioneve të miratuar në dhjetor të 2020 për personat që akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut, bën thirrje që në këtë regjim të përfshihen edhe akuzat e korrupsionit.
“Korrupsioni ka një ndikim shkatërrues te të drejtat e njeriut dhe shpesh minon funksionimin e institucioneve ligjzbatuese dhe sfidon sundimin e ligjit”, thuhet në rezolutë. Megjithatë, ndryshe nga regjimi i SHBA dhe i vendeve të tjera në botë, regjimi sanksionues aktual i Bashkimit Europian nuk e përfshin korrupsionin te akuzat që dhunojnë të drejtat e njeriut që ndëshkohet me masa kufizuese.
Për këtë qëllim, eurodeputetët e Komitetit të Punëve të Jashtme të PE i kërkojnë Komisionit që të përgatisë një propozim ligjor për të amenduar regjimin në fuqi të sanksioneve, duke përfshirë në të edhe korrupsionin.
Eurodeputetët thonë se legjislacioni i ri duhet të propozojë raste konkrete të shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut, në mënyrë që të përmirësohet regjimi i sanksioneve, e po ashtu të mundësojë që mekanizma të tillë të vihen në punë edhe nga shoqëria civile.
Nëse propozimi miratohet ai do të prekë edhe Shqipërinë, ku së fundmi DASH shpalli “non grata” për përfshirje në afera korruptive madhore ish kryeministrin Sali Berisha.
Dhe Ilir Meta duke e parandjerë një “furtunë” të tillë, ndjehet i rrezikuar jo vetëm se mund të shpallet person “non grata” nga SHBA, dhe nga miratimi një ligji të tillë dhe nga BE, por dhe nga bllokimi e konfiskimi i pasurive të tij dhe të familjes, që sikurse thonë mediat, është e pamatë.
Ndërkohë që për dy ditë me radhë mediat kanë evidentuar një reportazh të fshirë të bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi për vilën mbi 2 milionë euroshe në Gjirin e Lalzit, e madhe për një familje rrogtare shteti dhe me shpenzime të mëdha. Pasuri që sipas medias nuk janë të vetmet, pasi ka pallate në qendër dhe periferi në Tiranë. Pa lënë mënjanë shkollimin tepër të shtrenjtë të fëmijëve të tij në shkollat më të shtrenjta të Londrës.
Ndaj Ilir Meta e ka orientuar sulmin ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, në pamje të parë për ndikimin në Kushtetuese për “Teatrin”, por që në të vërtetë ka parashikuar një vjeshtë aspak të rehatshme për të, sidomos në raport me drejtësinë e re. Që ashtu sikurse miku i tij Sali Berisha, është në krye të listës së drejtësisë së re për t’u përballur me akuza të shumta, që nga pasuria e pamatë e deri te faktet e zbardhura publikisht nga video-përgjimi i ministrit të ndjerë të LSI Dritan Prifti.
Akuza këto që janë shumëfishuar vit pas viti nga ish kryeministri demokrat Sali Berisha, i cili e ka akuzuar për vjedhjen e floririt në Krrabë, vdekjen dhe fshehjen e dy punëtorëve të gurores në Dajt, vrasjet me pagesë, pastrim parash dhe shumë akuza të tjerë që janë mbajtur “shënim” nga drejtësia e re por dhe nga ndërkombëtarët. Pra mund të dalë para drejtësisë, që të mbrohet, ndoshta dhe të fitojë të drejtën e tij dhe të jetë njeri i lirë si gjithë të tjerët, por ama ballafaqimit ligjor nuk i shpëton.
Kjo është përforcuar dhe nga deklarata e sotme e ambasadorit të BE, Luigi Soreca, i cili si për të dhënë një përgjigjie indirekte e ndaj akuzave ndaj tij për ndikim në vendimet e Kushtetueses për “Teatrin”, ka forcuar gjuhën për dhënien fund të poandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.
Soreca, duke folur nga konferenca “Sfidat dhe mundësitë në luftën kundër korrupsionit dhe forcimim e integritetit”, tha se në Shqipëri po shohim rezultatet e para.
“SPAK ka filluar të tregojë rezultate jo vetëm duke proceduar zyrtarë, por edhe sekuestruar pasurinë. Më parë, as nuk mendohej që prokurori i Përgjithshëm të shkojë në gjykatë, por në maj ai u dënua nga gjykata. Duhet që ne të shikojmë dy gjëra të rëndësishme. Dëmime e konfiskime të pasurisë. Duhet të ketë figura të nivelit të lartë që duhet të dënohen.
Pavarësisht përmirësimit, Shqipëria nuk ka mbërritur aty ku duhet. SPAK duhet të ndjekë korrupsionin në nivelet e larta”, tha në mënyrë të prerë ambasadori i BE.
Një deklaratë kjo e dhënë nga Soreca, duke pasur në krah kreun e SPAK Arben Kraja si dhe kryeprokurorin Kombëtar Kundër Korrupsionit (DNA) të Rumanisë, Crin Bologa i cili tha se kanë dërguar në gjykata dy kryeministra, 80 deputete dhe dhjetëra kryetarë bashkish.
Konteksti është i qartë: SPAK duhet të marrë në dorë dosjet e rënda të krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve më të lartë në Shqipëri, të atyre që i kanë bërë gropën vendit për 30 vite me radhë. Për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Ndaj është shqetësuar Ilir Meta, dhe para tij Sali Berisha dhe të gjithë zullumqarët e këtij vendi, pa përcaktuar kahje politike. Mbetet vetëm të presim. Por një gjë është e sigurtë, paralel me ngritjen e toneve e sulmeve ndaj drejtësisë e ndërkombëtarëve, do të shohim ngritjen e “stekës” së drejtësisë së re ndaj ish zyrtarëve e zyrtarëve më të lartë të këtij vendi kundër korrupsionit. Por dhe izolimin e tyre, siç bëri Reeker vizitën e fundit!