Në opinionin publik shqiptar, muaji Dhjetor, vit pas viti rikthehet me debate e komente mbi ngjarjet e ‘90-s. Ka akuza e deklarata nga më të ndryshmet, duke filluar nga planet konspirative të Ramiz Alisë, për të “infiltruarit”, për tradhti të idealeve të Lëvizjes Studentore….Flitet për rolin e Sali Berishës, fuqinë që iu dhurua pas rënies së komunizmit dhe personazhe të tjerë po kaq të rëndësishëm në politikbërjen shqiptare dhe drejtimin e vendit. Fred Abrahams sapo ka publikuar librin e tij “Shqipëria e re” i cili tregon për këto 25 vite në vend… Në një intervistë për Dita-n, djaloshi që dikur e quajtën“çunak tekanjoz me vath në vesh e me pantallona të shkurtra”, rrëfehet …
Nga Entela Resuli
“Pas rënies së komunizmit, Shqipëria bëri një ndryshim të shpejtë. Ajo u shndërrua nga vendi me kufij të mbyllur, në ëndrrën e kontrabandistëve, nga shteti i vetëm ateist në botë në një shesh konkurrence për fetë, nga një vend pa makina private, në një rrëmujë makinash, autobusësh dhe kamionësh që villnin tym. Shqipëria u kthye sa hap e mbyll sytë në një vend të shtypjes së ashpër nga lart-poshtë në një shtet me gjallëri ku ndodh çfarëdo që mund të ndodhë – shkruan Fred Abrahams në librin e tij të sapobotuar në shqip, “Shqipëria e re”.
Ky libër ofron një histori të larmishme të 25 viteve të tranzicionit shqiptar nëpërmjet dëshmive të protagonistëve kryesore të jetës politike në vend, diplomatëve të huaj apo dokumenteve të deklasifikuara nga arkivat amerikane. Në veprën e tij, autori ofron një këndvështrim të brendshëm të ngjarjeve që shënjuan përgjithmonë historinë e Shqipërisë, nga protestat studentore të vitit 1991, tek revolta e vitit 1997, lufta në Kosovë e në vazhdim.
Ai tregon se si gjatë gjithë kësaj kohe ka patur mundësinë të përzihet me elitën e Shqipërisë. Ka parë se si u futën në qeveri ish-të burgosur politikë dhe si u futën në burg ministrat e qeverisë. Ka parë se si u deklaruan persona non grata të huaj që e donin Shqipërinë ndërkohë që mashtruesit përfituan kontrata sipërmarrjesh dhe lëvdatat më të mëdha nga shteti.
“ Mua më kanë quajtur komunist, agjent të CIA-s, proshqiptar, antishqiptar, progres, antigrek, proserb, antiserb dhe pati një gazetar që më quajti “çunak tekanjoz me vath në vesh e me pantallona të shkurtra”. Megjithatë, para së gjithash unë kam pasur privilegjin të kundroj nga prapa perdes një shoqëri që është e padepërtueshme nga shumë të huaj”- shprehet ai.
Më shumë se partitë politike, “historinë e Shqipërisë e shpjegojnë kafenet e Tiranës” –thotë Abrahams në libër.
Sipas tij historia e sotme e Shqipërisë mund të përshkruhet me kafenetë e kryeqytetit, dhe secila fazë kishte një lokal që e përkufizonte.
“Evolucioni i kafeneve tregon se sa larg ka ecur Shqipëria: nga një hotel i ronitur i periudhës së fashizmit, në një hotel që është pjesë e një zinxhiri hotelerie moderne e ndërkombëtare. Askush nuk mund të mohojë që jetët e shqiptarëve janë përmirësuar së tepërmi. Ata udhëtojnë, debatojnë dhe ndryshojnë qeverinë e tyre. Megjithatë, për mua masa nuk është se si duket Shqipëria në maj, por sa larg ka ecur ajo në tërësi. Është tunduese të shohësh kafenetë dhe restorantet e reja si progres, derisa futesh në periferitë e Tiranës, ose të shumicës së qyteteve të tjera pa folur pastaj për zonat fshatare, ku mbizotërojnë fikjet e dritave dhe rrugët me baltë”.
Një rol të rëndësishëm në libër e ka edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është një ndër personat e paktë që nuk ka pranuar të intervistohet nga Abrahams.
Por ka diçka që autori do ta theksojë në lidhje më përkrahjen që i është bërë atij.
“Gabimi i përkrahësve ekstremistë të Berishës nuk ishte fakti që ata mbështetën atë njeri – mund të argumentohet se ai ishte njeriu më i aftë për ta udhëhequr Shqipërinë në vitet e para. Gabimi ishte dhënia atij e aq shumë pushteti dhe mbështetja jokritike, gjë që riformoi traditën e udhëheqësve të fortë në Shqipëri. Në një vend që po dilte nga katër dekada diktature, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të forcohej ndarja e pushteteve dhe kontrollet mbi sundimin e një personi. Dështimi për të bërë këtë i dha guxim Berishës dhe e bëri më të keq autoritarizmin e tij”.
Megjithatë, në fund të fundit autori çelësin ua lë në dorë shqiptarëve.
“Ata kanë parë se si u graduan mashtruesit, si hynë në parlament dhe se si e drejtojnë shtetin. Ata kanë mësuar se si të paguajnë për provime, madje edhe për diploma. Ai shpirt që do të mbizotërojë- emancipimi apo mashtrimi – do të përcaktojë edhe kafenenë e mëpasme të Shqipërisë”- shprehet Abrahams.
Fred Abrahams është këshilltar i “Human Rights Watch” dhe një ish-kërkues i “Open Society”, që gjatë 20 viteve të fundit ka punuar vazhdimisht në Shqipëri dhe Kosovë, duke u specializuar në çështjet shqiptare. Ky është vëllimi i dytë i tij, i cili trajton çështjet shqiptare, pas librit mbi krimet e luftës në Kosovë në vitin 2002.
“Dita” ka biseduar me Abrahams dhe e sjell rrëfimin e tij në këtë intervistë…
-Zoti Abrahams, sapo kini botuar një libër në 25 vjetorin e përmbysjes së regjimit komunist. Pse ju ka ngjallur kaq shumë interes një vend si Shqipëria?
Unë kam studiuar degën për marrëdhënie ndërkombëtare dhe gjuhën gjermane dhe u diplomova në vitin 1989, kështu që zhvendosja në Berlin pas rënies së murit të Berlinit ishte diçka që erdhi natyrshëm. Menjëherë u tërhoqa nga politika dhe tranzicioni i Europës lindore: Gjermania, Çekosllovakia, Polonia, dhe Hungaria. Por vëmendja ime shumë shpejt u kthye në Jug si pasojë e dy ngjarjeve të rëndësishme, luftës në ish Jugosllavi dhe dramës interesante të Shqipërisë që pas 4 dekadash nën regjimin më brutal dhe shtypës komunist, u hap me botën. Për herë të parë në Tiranë isha në vitin 1993 dhe që nga ajo kohë unë jam marrë me Shqipërinë.
-Në ç’rrethana keni ardhur në Shqipëri?
Ishte viti 1993 kur erdha si student i diplomuar dhe punova shkurtimisht në Universitetin e Tiranës dhe pastaj në fondacionin “Soros”. Më pas u angazhova në “Human Rights Watch” si përgjegjës për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë në periudhën 1994-2000. Aty shkruaja raportime për të drejtat e njeriut, sidomos përgjatë luftës së Kosovës. Pas kësaj, puna ime në Shqipëri kishte të bënte me librin e ri.
-Ka një opinion të përhapur në Shqipëri që mund të shprehet me pak fjalë: Ne prisnim më shumë nga Amerika, por ajo na la në baltë… Sa i vërtetë është ky opinion sipas një amerikani?
Opinioni bazohet në fakte disi problematike. Në libër mbulohen shumë gabime të bëra nga qeveria amerikane në vitet 1992-1996. Përgjatë asaj kohe, SHBA-të më së shumti mbështetën vetëm një forcë politike, duke vendosur individët mbi institucionet. Ky ishte një gabim i madh sepse u ushqye në modelin historik shqiptar të autoritarizmit. Shqipëria ende po vuan nga ajo politikë përkrahjeje një partiake, pavarësisht se pikëpamjet e Uashingtonit kanë ndryshuar shumë tani. Por si përfundim, shqiptarët e kishin gabim që mendonin se Amerika apo kushdo tjetër do t’u krijonte atyre tokën e premtuar. Tranzicioni nga komunizmi në demokraci mund të arrihet vetëm nga vetë shqiptarët.
-Ju kini qenë në Shqipëri në fillimin e ndryshimeve. A ka patur diçka që ju ka bërë përshtypje në atë periudhë?
Në vitin 1993 dy gjëra më lanë përshtypje. E para, shpresa e jashtëzakonshme që kishte shumica e njerëzve. Pas gati rreth 50 vite errësire, shqiptarët kishin nisur garën për të kapur kohën e humbur. Ky mentalitet i kishte prekur të gjithë. Në të njëjtën kohë unë u befasova nga fakti se sa e vështirë është që të arratisesh nga barra e diktaturës. Me këtë nënkuptoj se sa shumë partia drejtuese dhe në veçanti lideri i saj, po përdorte mjaft nga të njëjtat teknika të regjimit të vjetër; të qeveriste me frikë dhe me ideologjinë “ne kundër atyre”.
-Përveç “Dhjetorit” të famshëm, ju jeni ndalur në libër edhe në një vit të mbrapshtë për shqiptarët. Çfarë përfaqëson viti 1997 për ju?
Viti 1997 solli shpërthimin e inatit pas viteve të mashtrimit politik dhe financiar. Shqiptarët e ndjenë vetën të tallur. Në të njëjtën kohë është e lehtë që t’ia vësh fajin qeverisë së atëhershme sepse toleroi dhe mbështeti skemat piramidale. Mund të kujtohet thënia e famshme e Berishës se “paratë e shqiptarëve ishin më të pastrat në botë”. Por edhe shumë pjesë të tjera të shoqërisë janë për t’u fajësuar. Opozita heshti dhe media promovoi skemat. Asnjë nuk doli që të paralajmëronte qytetarët rreth asaj që po ndodhte, sepse çdokush po bënte para. Dhe këtu, edhe komuniteti ndërkombëtar është për t’u fajësuar mjaft. Qeveria e SHBA-ve, qeveritë europiane, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar qëndruan me gojë mbyllur deri sa u bë shumë vonë. Ata nuk donin që të shkatërronin imazhin e Shqipërisë si një sukses i madh.
-Në librin tuaj, ju përmendni shumë gabime të shqiptarëve pas vitit 1990 në rrugëtimin e tyre drejt Europës. Po Europa a nuk ka ndonjë përgjegjësi apo gabim në këtë qëndrim ndaj shqiptarëve?
Libri është jashtëzakonisht kritik ndaj SHBA-ve dhe politikës europiane kundrejt Shqipërisë pas 1990, sepse ata më së shumti mbështetën një lider të korruptuar dhe autoritar për hir të stabilitetit rajonal apo bashkëpunimit në luftën ndaj terrorit. Fatmirësisht kjo gjë ka ndryshuar sot. SHBA-të dhe qeveritë europiane me të drejtë po flasin për të luftuar korrupsionin, reformimin e sistemit gjyqësor dhe ndërtimin e një shteti të fortë ligjor.
-Për shkak të punës, por edhe të punuarit mbi këtë libër, e njihni mirë politikën në Shqipëri. Cili është politikani që ju ka zhgënjyer më shumë?
Nuk ka ndonjë emër mbi të tjerët. Për mua, është elita politike që ka dështuar si e tërë, sepse shumë prej tyre i shikojnë pozicionet që mbajnë si një mundësi, më shumë se sa si përgjegjësi.
-Sa shpresë ju ngjall kryeministri Edi Rama për të bërë diçka më të mirë për Shqipërinë?
Unë nuk i besoj ndonjë individi, i gjatë apo i shkurtër. Unë besoj në institucione të forta që mbijetojnë kur kreu i shtetit thotë lamtumirë.
-Çfarë do t’i këshillonit kreut të qeverisë, për të ndryshuar në politikat e tij qeverisëse?
1.Të bllokojë korrupsionin. 2. Të promovojë një sistem gjyqësor të pavarur. 3. Të investojë në arsim.
-Sali Berisha, është një nga protagonistët e Shqipërisë së viteve ’90. Cili është gjykimi juaj për të, nëse do të bënit një rezyme karrierës së tij, cila do të ishte ajo…?
Berisha është figura dominuese në Shqipërinë pas 1990-ës. Ai ka qenë politikani më i aftë dhe i vendosur. Unë e kuptoj se si dhe pse ai u bë kreu i PD-së dhe pastaj president i vendit. Por për fat të keq, ai është gjithashtu ekstremist patriarkal dhe kontrollues ndaj të tjerëve. Një ish koleg i tij mjek e quajti këtë “energji djallëzore”.
-Ju jeni mjaft i interesuar për çështjen shqiptare. Çfarë vendi zë Kosova në interesimin tuaj?
Emocionet që kam për Kosovën do të lidhen gjithmonë me tmerrin e luftës dhe kurajën e njerëzve që luftuan në atë kohë. Sot jam i trishtuar që, pas 16 vitesh, strukturat demokratike dhe zhvillimi ekonomik ende nuk janë nën kontroll.
-Si e kanë pritur librin ata që kanë qenë protagonistë në ndërrimin e sistemeve?
Deri tani reagimi ka qenë jashtëzakonisht pozitiv. Unë mendoj se shumica e njerëzve vlerësojnë që kam kapur faktet dhe botëkuptimin e asaj kohe. Edhe nëse ata nuk e pëlqejnë vlerësimin tim, ata e pranojnë portretin si të përpiktë. Ana pozitive e shpenzimit të 15 viteve për të shkruar një libër është se unë dëgjova politikanë që ndryshonin pikëpamjet përgjatë kohës, përfshirë ata që kaluan nga një parti në tjetrën (e u rikthyen). Më së shumti qëndrimet e tyre ndryshuan në varësi të asaj nëse ata ishin ose jo në pushtet.
-Kur nis rrëfimi në librin tuaj, në çfarë viti dhe sa vend zë Shqipëria komuniste?
Libri zanafillën e ka me vdekjen e Enver Hoxhës në vitin 1985, edhe pse disa seksione shkojnë në periudhën komuniste para kësaj ngjarjeje. Por pika kryesore e librit është periudha 1990-9999. Më intensivisht përqendrohem në protestat e para, si në Shkodër në janar të 1990 dhe dyshimet që çuan në fitoren e PD-së në mars të 1992-it. Pas kësaj është drejtimi i Berishës si president, zgjedhjet e 1996-ës, skemat piramidale të 1997-ës dhe lufta e Kosovës. Kapitulli i fundit mbulon periudhën nga 1999-ta deri në ditët e sotme, por ato janë më pak të detajuara.
-Sa kohë keni punuar për këtë libër dhe a keni folur me të gjithë protagonistët?
Mund të them se librin e nisa në korrik të 1993-it kur unë shkela për herë të parë në Shqipëri, sepse nisa të vëzhgoja dhe të shënoja detaje. Por punës me themel iu futa në vitin 2000, kështu që mund të them se ky proces zgjati për 15 vite. Duhet thënë që unë nuk kam qenë gjatë gjithë kësaj kohe vetëm duke bërë kërkime dhe duke shkruar. Kam pasur shumë punë të tjera dhe kam bërë pushime të gjata. Për kërkimin u përpoqa që të flisja me sa më shumë njerëz të ishte e mundur, nga të gjitha partitë politike, po aq sa diplomatë të huaj, gazetarë, analistë dhe individë të tjerë me pikëpamje interesante.
-Po me Sali Berishën?
Për fat të keq, jo. Unë tentova katër herë, por nuk pata sukses.
-Pse?
Duhet pyetur ai përse. Por unë dyshoj se ka dy arsye kryesore. E para është se ai nuk ka interes që të zhytet kaq thellë në të kaluarën. Ndryshe nga një gazetar, ai e dinte se unë do të kërkoja për detaje në vitet si pjesë e Partisë së Punës, roli i tij në lëvizjen studentore të vitit 1990 dhe formimi i Partisë Demokratike, prishja e marrëdhënieve në mes të 1990-ës me SHBA, përfshirë akuzat se SHBA-të tentuan që të rrëzonin qeverinë e tij (plani i famshëm Lotus). Tjetra është, se ndoshta ai nuk ka besuar që unë mund të bëj një punë objektive. Për këtë ai e ka gabim. Unë isha gati të dëgjoja e të shqyrtoja çdo gjë që do thoshte dhe do ta paraqisja saktë.
-Ndryshimi i sistemeve në vitet ’90 identifikohet edhe me rolin e ish-presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia. Si e keni parë këtë figurë?
Alia kuptoi një gjë, pas 1989-s Shqipëria duhet që të ndryshonte. Dhe ai kishte një karakteristikë të rëndësishme. Ndryshe nga Hoxha, ai nuk u mbështet në përdorimin e forcës. Por kjo nuk do të thotë se ishte një demokrat, përkundrazi. Ai më tha se ai nisi reformat për të demokratizuar vendin. Unë mendoj se këtë e bëri sepse Shqipëria ishte vendi i fundit komunist dhe ai i kuptoi që nëse bllokonte reformat kjo do të çonte në derdhjen e gjakut të drejtuesve të Partisë Komuniste.
-Zoti Abrahams, në gjykimin tuaj, nëse mund të jeni i sinqertë, sa realist dhe i paanshëm është libri juaj?
Sipas meje, është jashtëzakonisht i paanshëm. Por kjo s’do të thotë se unë nuk ruaj qëndrime të forta vetë. Por këtë e bëj duke u bazuar në fakte dhe i bazuar në fjalët që Shqiptarët më kanë thënë mua. Çdokush që thotë që ky libër është duke mbështetur një forcë politike krahasuar me tjetrën, nuk e ka lexuar atë.
Gazeta Dita