“Fraza e parë që mësova në shqip ishte Krishti u ringjall” – Kështu ka deklaruar kryepeshkopi i ndjerë Anastas Janullatos në një interviste të pa publikuar më parë, audio e së cilës është bërë publike nga media greke “Protothema”.
Biseda u regjistrua në vjeshtën e vitit 2017 ku ai ka treguar vështirësitë që ai hasi në vitin 1991 kur erdhi në Shqipëri, por edhe me dyshimet me të cilat ai u përball.
“Ishte viti 1991 kur ai shkoi për herë të parë në Shqipëri, pasi kishte përfunduar tashmë një rrugëtim misionar shumë të rëndësishëm në Afrikë dhe u dallua me aftësitë dhe punën e tij në komunitetin ortodoks global. Për habinë e tij të madhe, Patriarkana i kërkoi të udhëtonte në vendin fqinj për të parë se çfarë kishte mbetur në këmbë nga periudha e ndalimeve të ashpra fetare që i kishin paraprirë”, shkruan Protothema.
Imazhi i parë që ai hasi ishte mallëngjyes: “Zbrita në aeroport, që atëherë ishte një ndërtesë fshati, më prisnin një grup i vogël të moshuarish dhe më çuan në Katedralen e Ungjillit, e cila ishte kthyer në palestër. Aty takova njerëz të sëmurë, të varfër… Më duhej të komunikoja me njerëzit edhe pse nuk e dija fare gjuhën. Po mendoja se si mund ta përmbledh kuptimin e misionit tim dhe bëra si më poshtë: pyeta një zotëri të moshuar, i cili dinte shumë mirë greqishten, si thuhej “Krishti u ringjall” në shqip dhe ai më tregoi. Kështu u dhashë të gjithëve një qiri, ndeza edhe timin dhe thashë “Krishti u ringjall”. Ishin fjalët e para shqipe që mësova. Krishti u ringjall: Një mesazh shprese. Të gjithë filluan të qajnë dhe të përgjigjen “Ai është ringjallur me të vërtetë”. Ishte një nga momentet më prekëse që kam përjetuar ndonjëherë… “Krishti u ringjall” u bë motoja jonë. Kemi ecur me këtë si në ditët e mira ashtu edhe në ato shumë të vështira, sepse ishte një mesazh i fortë shprese”, ka treguar Anastas Janullatos.
Ai ka treguar se Kisha Ortodokse e Shqipërisë kishte pushuar së ekzistuari prej shumë vitesh.
“Ishte një vend pa kisha. Ishin bërë magazina, stalla… Ishte e pamundur të kishte një qendër fetare apo çfarëdo forme shprehjeje fetare, si p.sh. ikonografia. Dhe kjo ndodhi për një periudhë shumë të gjatë kohore, që korrespondon me rritjen e një brezi të tërë. Pra, kishim përshtypjen se feja ortodokse kishte marrë fund”, përshkroi ai me qartësi, duke shtuar: “I gjithë ky ndalim fetar ishte një përpjekje për të çrrënjosur atë që ishte në zemrat e njerëzve. Unë ndonjëherë them: “Nuk jam i shqetësuar për prishjen e Kishës. Më shqetëson fakti që kanë rrënuar aftësinë e brezit të ri për të besuar dhe zgjedhur lirisht”.
Kryepeshkopi ka deklaruar se u desh shumë kohë dhe shumë pengesa domethënëse për t’u kapërcyer përpara se të hidheshin themelet e forta mbi të cilat do të ngrihej rilindja e Ortodoksisë.
“Vështirësia më e madhe ishte dyshimi- tregon Anastas Janullatos- shumë njërëz mendonin “Pse erdhi këtu?”.
“Edhe pas gjithë këtyre viteve që jam këtu, dyshimi mbetet. U pajtova me dyshimet e njerëzve dhe vazhdova. Sepse mendova se është vërtet e vështirë për shumë njerëz që kanë jetuar 23 vjet persekutim absolut fetar, të cilëve u është mësuar, që nga kopshti në universitet, se nuk ka Zot, të pranojnë thjesht atë njeri, për të cilin dëgjojnë kaq shumë lëvdata , erdhi papritur në vendin e tyre sepse ai thjesht beson në Zot. Madje në shumë kontekste kam përdorur identitetin e profesorit, jo atë të Fortlumturisë së Tij. Më kujtohet një herë një deputet dhe profesor nxitoi të më prezantohej si ateist. Dhe unë iu përgjigja: “Shiko, fjala është greke, nuk po e përdor drejt. Nuk je ateist siç e imagjinon, je jofetar, por e sigurt është se Zoti është shumë afër teje”. Ai buzëqeshi, u përgjigj se ishte dakord dhe ne kemi qenë miq që atëherë.”
“Gjëja më e keqe për mua ishte kur disa, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi, filluan të shpifin sistematikisht se Anastasi nuk donte të vinin mitropolitë të tjerë. por Shqipëria ishte një vend tjetër që të pranohej një sinod i tërë grek. Unë mendoja shumë seriozisht për të dhënë dorëheqjen në atë kohë: E dija se dikush tjetër që dha dorëheqjen në një kohë tjetër, bëri një gabim të madh, por çfarë do të ndodhte më pas? Të gjitha këto gjëra të rëndësishme që krijoi Kisha Ortodokse e Shqipërisë nuk do të kishin ekzistuar”.
Slogani “Të gjithë së bashku” ka qenë një fener dhe udhërrëfyes i ndritshëm gjatë gjithë këtij rrugëtimi krijues dhe suksesi i krijimit të një komuniteti fetar, në të cilin njerëzit me origjinë, fe dhe klasa shoqërore të ndryshme mund të bashkëjetonin, ishte padyshim një nga arritjet më të rëndësishme dhe më të paprecedentë të të bekuarit Anastas.
“Kishte tundimin nga vendet fqinje për të krijuar të ndarë foletë fetare në Shqipëri: Kisha e Greqisë folenë e saj, Rumania folenë e saj, Serbia folenë e saj, Shkupi të tyren. Ne zgjodhëm të ishim të gjithë bashkë. Dhe ne jemi të gjithë bashkë, shqiptarë, grekë, me origjinë sllave, vllehë, disa të lidhur me Greqinë, të tjerë me Rumaninë. Për ta bërë më të kuptueshme këtë bashkëjetesë, sjell shembullin e mëposhtëm: Në Greqi themi “Rrofshin grekët”, këtu nuk ka një gjë të tillë. Që në vitin e parë që erdha thosha: “Pylli nuk është i bukur nëse ka vetëm një lloj peme, por kur ka lloje të ndryshme pemësh, të gjitha të lira të rriten”.
https://www.protothema.gr/greece/article/1596108/arhiepiskopos-anastasios-i-adimosieuti-sunedeuxi-tou-oi-plousies-ekklisies-na-min-ta-kratoun-ola-gia-ton-eauto-tous/