Pasi goditi rëndë Kubën, uragani “Irma” mbërriti në Florida si një stuhi e kategorisë së katërt. Fillimisht goditi ishujt Key West me erëra deri në 209 km në orë, e më pas ju drejtua bregdetit perëndimor në Floridan kontinentale.
Sipas medias amerikane Abc News edhe pse pa shkelur mire ne florida, irma ka shkaktuar 3 viktima. Një burrë humbi jetën në kontenë e Monrosë në Key West, pasi humbi kontrollin e kamionit që po drejtonte për shkak të erës së fortë, ndërsa dy të tjerë vdiqën në një aksident rrugor në kontenë e Hardee.
Erërat e forta dhe përmbytjet kanë përfshirë edhe Majemin, kryesisht distriktin financiar te qytetit. Me shume se 1.4 milion banesa janë pa energji elektrike dhe mbi 2 mijë fluturime u anuluan.
6.3 milionë njerëz u urdhëruan të evakuoheshin me paralajmërimet se rritja e madhe e nivelit të detit do të rrezikojë jetën e kujtdo në rrugën që do të ndjeke stuhia.
Gati i gjithë shteti është në alarm, e të paktën 36 milionë njerëz rrezikohen nga shkulmet e forta te erës, reshjet e dendura dhe përmbytjet.
Përmes një mesazhi ne rrjetin social twitter presidenti amerikan njoftoi se të gjitha trupat e mobilizuara në terren janë gati, e megjithatë fjalët e tij kishin tone apokaliptike. “Zoti na bekoftë të gjithëve”-shkroi numri një i Shtëpisë së Bardhë.
Të kërcënuara nga rritja e nivelit të ujit deri në 4.6 metra, janë edhe ishujt koralore, shumica e të cilave gjenden vetëm pak cm mbi nivelin e detit. Një zyrtar paralajmëroi se qëndrimi në ishuj do të nënkuptonte vetëvrasje.
Guvernatori i Floridas Rick Scott ka vënë në dispozicion 390 qendra strehimi ku janë grumbulluar shumë të moshuar, familje e gra afro-amerikane.
Ndryshe nga parashikimet stuhia duket se do të godasë drejtpërdrejtë Floridën Perëndimore, me qytetin e Shën Petersburg që është me i ekspozuar ndaj furisë së saj. Para se të përplasej në Florida, Irma shkaktoi 27 viktima në Kubë ku para mbërritjes së stuhisë u evakuuan 1 milionë persona.