Nga Arben Llalla*
Më 16 Maj, – me rastin e “101 vjetorit të aneksimit të jugut të Shqipërisë” (që njihet nga grekët si Autonomia e Vorio Epirit) – Protokolli i Korfuzit, një grup grek të shoqëruar nga minoritarë grekë në Krane të Delvinës bënë homazhe në përmendoret e andartit grek Thimios Lolis, i cili ka kryer masakra mbi popullsinë shqiptare në vitet 1914-1944.
Në homazhe është hequr flamuri shqiptar i zonës dhe është ngritur ai i “Vorio Epirit”. Ky provokim i rëndë vijoi me Odiseas Boros, kryetar i organizatës së Vorio Epirit Pirro në Thesali. Ai mbajti një fjalim me tone nacionaliste ku bënte thirrje se “Vorio Epiri është Tokë Greke dhe nuk e kemi harruar”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe trupa paraushtarake greke të Lidhjes Nacionaliste Greke.
Akte të tilla si ulja e flamurit shqiptar dhe ngritja e flamurit të aneksimit të jugut brenda territorit të Republikës së Shqipërisë nxisin urrejtjen etnike midis qytetarëve shqiptarë në prag të zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 21 Qershor.
Të nesërmen më 17 Maj, Stavros Gjinos, Odiseas Boros bashkë me kryetarin e OMONIA-s, Leonidhas Papas, morën pjesë në Delvinaq të Pogonit në paradën e përvjetshme që organizon Mitropoliti i Konicës “për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit – aneksimi i jugut të Shqipërisë”.
Paraushtarakë grekë mbanin në duar parrulla ku shkruante: Vorio Epiri Tokë greke, do të rikthehemi dhe toka do të dridhet (foto kryesore)
Kryetari i OMONIA-s, mbajti një fjalim për aneksimin e jugut të Shqipërisë dhe u takua me oficerë të lartë të sigurimit dhe ushtrisë greke. Ka mëse dy vjet që në jugun e Shqipërisë lëvizin ish-ministri i mbrojtjes së Greqisë, ish-Shefi i Shtabit të Ushtrisë greke dhe gjeneralë të sigurimit zbulim dhe kundërzbulimit grek. Qëllimi i tyre është njohja e terrenit shqiptar.
Në të njëjtën kohë nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule, si dhe Fredi Beleri, Anastas Guda, Jani Babi, organizuan tubim për këtë përvjetor duke kërkuar me çdo kusht që minoritarët të votojnë vetëm për kandidatët e PBDNJ dhe OMONIA.
Vangjel Dule në vitin 2010 është njëri nga iniciatorët për vendosjen e përmendores së andartit Thimio Lolis në fshatin Krane të Komunës së Delvinës.
Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë për çdo vit merr pjesë në përvjetorin e Autonomisë së Vorio Epirit në përmendoren e Thimios Lolis në Krane, por sivjet pas shkrimeve të shumta ku kam denoncuar aktivitetet e tij antishqiptare, si burracak që është ai u është shmangur aktiviteteve të tilla këto ditë.
*eVerteta-al