Reshjet e dendura të shiut gjatë këtyre dy ditëve kanë shkaktuar vështirësi, kryesisht në zonat rurale të Tiranës. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë duke u ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet. Gjatë gjithë natës, ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe janë vendosur në terren, në shërbim të qytetarëve në të gjitha njësitë administrative.
Siç mund të shihni edhe nga këto foto, grupet e punës së Bashkisë së Tiranës kanë ndërhyrë në autostradën Tiranë-Durrës tek City Park për të kthyer në normalitet qarkullimin e mjeteve, por njëkohësisht dhe në disa prej akseve brenda qytetit, kryesisht pemë të rrëzuara si pasojë e erës.
Ndërkohë, mjetet e rënda kanë shkuar në zonat rurale për të mundësuar lirimin e rrugëve si pasojë e rrëshqitjes së dherave duke sjellë dhe izolimin e fshatrave. Por ndërhyrja në kohë ka shmangur edhe këtë problematikë. Të gjithë punonjësit vijojnë që të jenë në terren në ndihmë të qytetarëve në rast nevoje. ma.me


















