Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*
Nga Armando Meta & Javanews.al/
Rruga nga Berati drejt kanioneve të Osumit në Skrapar ndahet në dy pjesë, ku rruga plot gropa të mërzit udhëtimin, ndërsa peizazhi natyror, tokat e punuara në çdo cep, të tërheqin vëmendjen me sipërfaqe të mëdha me sera në zonën e Fushë-Peshtanit deri afër Poliçanit, për t’ia lënë vendin vreshtave mbjellë kudo nëpër kodrat e buta. Anës rrugës deri pranë Bogovës, katrorë të mëdhenj mbushur me gurët dhe mermerin e zonës së Tomorit presin blerës. Sa mund të jenë prerë këto gurë pa dëmtuar malin e Tomorit?
Nga gjithë sa rrok syri, të bëjnë të mendosh të përditshmen për banorët, teksa mbërrin në qendrën e Skraparit, qyteti i vogël i Çorovodës ku ndjen një përballje të fortë me paravitet ‘90, me pallatet e dikurshme tipike 5-katëshe, tek -tuk ca parulla nëpër mure, mbetur gati të paprekur.
Në qytetin shumë miqësor me më pak se 10 mijë banorë, të gjithë e njohin njeri-tjetrin, miqësitë vijojnë, edhe pse shumë janë larguar drejt metropolit e banesat janë blerë nga të ardhur fshatrave përreth. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar në qytetin e krijuar kështu që në fillim, ku lidhjet fisnore nuk ndërpriten kurrë. Tek-tuk poshtë, buzë lumit, janë ndërtuar banesa të reja përgjatë këtyre viteve, pa prekur të mëparshmen.
Qyteti, ku historia duket se ka ngecur në vitet ‘90
Ky qytet ka mbetur identik me vitet e para ‘90-s dhe sot në botë këto pika kërkohen. E kush më mirë se Çorovoda në Skrapar mund t’a tregojë kaq bukur? Duke pasur edhe kanionet, nuk ka asnjë arsye që të mos kthehet qyteti në një pikë turistike ku të krijohet dhe një shkollë rafting. Këto resurse kthehen në pikë thithje turistësh dhe brezit të ri, që me dëshirën për rafting në kanionet, kuptojnë një histori tashmë të lënë mënjanë. Në Çorovodë, gati 90% e ndërtimeve janë si dikur, pallatet nëpër tarraca, ku vetëm tek-tuk sheh dritare të zëvendësuara me duralumin, shkallët gurështruar kudo, lulet nëpër mjediset e përbashkëta mes pallateve, i paprekur është pastërtia shembullore, ndërsa vijon tradita e pastrimit kolektiv. Gjatë komunizmit, në Skrapar u zhvilluan industritë e drurit dhe ushqimore, ndërsa në Poliçan ishte kombinati ushtarak, një mori tunelesh për ruajtjen e municioneve ushtarake, deri dhe Thesarit të Shtetit. Sot, këto objekte ndërmarrjesh dhe depot e ish-Rezervave të Shtetit ruhen më mirë se kudo, ndonëse të mbyllura e pa punë.
Vreshtat dhe rakia e famshme
Skraparllinjtë dinë të ruajnë bukur të kaluarën, që për ta përbën një mendësi jetese, që e kupton kur mëson se thuajse gjithë bizneset në lokalet e pakta në Çorovodë ruajnë traditat me agro-industri. Gjithë banorët në qytet e fshatra jetojnë me të ardhurat nga vreshtat e tyre, kryesisht me rakinë me famë të Skraparit. “Me dy hektarë vreshta me shitjen e rakisë fiton deri në 7 milionë lekë të vjetra dhe bashkë me blegtorinë, kryesisht të imta, janë të ardhura të mjaftueshme për vitin”, tregon Halimi, banor i Çorovodës. Por ka shumë banorë që vijojnë ta braktisin qytetin në kërkim të një jete më të mirë drejt Tiranës, Durrësit, ndërsa emigracioni, kryesisht në Greqi e Itali, ka zvogëluar forcën aktive të rinisë. Naxhi, një emigrant nga Belgjika i cili ka ardhur sivjet, ndërsa na shoqëron rrugës për në kanione, mendon se më mirë investon larg si në Tiranë, a Durrës se në Çorovodë. “Këtu nuk kthehet kollaj fitimi se nuk ka para nëse hap një restorant”, thotë ai, edhe pse i lexohet dyshimi nëse duhet të rrijë, a të largohet kur teksa udhëtojmë në të dalë të qytetit, rrugës drejt kanioneve, shikon hotelin e ri “Kanionet”, një investim që në fakt jep shpresa se këtu zhvillimi sapo ka nisur.
Ujvarat, kanioni dhe misteret epike
Skraparin me kanionet vertikale me forma të ndryshme, thellësi deri në 150 metra në zonën e Çorovodës dhe 8 ujëvara, po e quajnë “Kolorado shqiptare”, ku turistë të huaj dhe vendas praktikojnë sportin e rafting. Kanioni vizitohet nëpër shtratin e lumit me kanoe, varka gome dhe vozitja bëhet nga pranvera deri në fundin e vjeshtës ku shërbimin e ofron sot për sot vetëm një agjenci turistike në Berat. Përgjatë rrugës Çorovodë-Hambull, kanioni me shpatet vertikale, në fund të të cilëve vrapon lumi Osum, shfaqet në rreth 13 kilometra gjatësi, 4-35 metra i gjerë, i thellë deri në 70-80 metra, ku në brendësi shikon si bashkohen copat e qiellit me pjesët e mureve vertikale gëlqerorë gri e bimësinë e blertë, që pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit. Kanioni ishte i pashfrytëzuar deri në fillimvitet ‘90, kur nisën ta vizitojnë italianë dhe francezë, që rikthehen çdo vit për vozitje me kanoe e kajak, ndërsa Federata Shqiptare Rafting po rrit numrin e vizitorëve. Nga toka, kanioni vizitohet në çdo kohë me më pak shpenzime në rrugën Çorovodë-Hambull, ku ka linja dy herë në ditë. Rikonstruksioni i rrugës së kanioneve me gjatësi 16 kilometra sivjet ka dyfishuar fluksin e turistëve, që arrin në 10 mijë.
Rrugës drejt kanioneve në Bigas, legjenda ndërthuret me natyrën te një gropë natyrore, që vendasit e quajnë “Vëra e Nuses”, që vjen mes një kënge, e cila tregon fatin e një nuseje që po e martonin pa dëshirë. Kur krushqit po ktheheshin me nusen, kjo u thotë se po e çonin te burri pa dëshirën e saj dhe ndërsa ata nuk i dhanë përgjigje, mendoi ikjen dhe duke iu lutur Zotit, i drejtohet kanionit: “Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë”. E shkëmbi e dëgjoi, hapi një zgavër, ku nusja u hodh nga kali, zbriti poshtë në kanione dhe më pas u martua me djalin që donte. Legjenda tregon se kjo vrimë nisi që aso kohe dhe vizitohet nga nuse që kërkonin të lindnin.
E ardhmja…
Bashkia e Çorovodës ka sot projektin turistik ASSI, me mbështetjen e Ministrisë italiane të Zhvillimit Ekonomik për hartimin e paketave turistike, zhvillimin e resurseve turistike, krijimin e një agjencie turistike, bashkëpunim privat-publik, me biznesin për turizmin, përmirësimin e shërbimeve, përcaktimet e pikave të hyrje-daljeve në kanionet për gomonet, zonat panoramike, ujëvarën e Bogovës për rehabilitim. Malet përreth plot pisha të nxisin mendimin se një kompleks spitalesh aty do të jenë burim i mirë shërimi dhe biznesi. Pse jo edhe për të huajt..
*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.