Sekuenca e përsëritur e përmbytjeve në autostradën Tiranë-Durrës dhe me pasoja dramatike sidomos në pjesën e Qafë së Kasharit mbetet ende pa një fajtor. Biznesi argumenton se faji ka qenë i administrimit të keq që i është bërë situatës por edhe liqeneve që ndodhen në këtë zonë, ku janë hapur digat. Dhe këtë të fundit nuk e mohon dot askush për aq kohë sa pas çdo përmbytjeje shfaqet si me magji peshk nëpër ambientet e bizneseve të përmbytura.
Ekspertë të tjerë kanë lakuar se faji është i mënyrës sesi është konceptuar trafikndarsja, një beton i padepërtueshëm që krijon rezervuar artificial pas shtrëngatave në njërën atë të autostradës. Përtej gjithë shkaqeve të marra sëbashku përfshi dhe palmat e famshme që tashmë do zëvendësohen me pisha, të paktën tek zona e Qafës së Kasharit fajtorët janë më shumë sesa një.
“Monitor” disponon dy foto satelitore të përroit të Limuthit që është edhe kryesori në zonën e Qafës së Kasharit dhe bizneseve rrotull tij, në dy kohë të ndryshme. Foto e parë është ajo shkurt 2003 ku duket qartazi gjurma e përroit dhe mungesa e ndërtimeve masive.

Foto, Gush 2017

Foto, Shkurt 2003
Në foton e dytë është i njëjti përrua por në gusht 2017. Në këtë foto bien në sy ndërtimet si kërpudha pas shiut dhe përroi i cili zhduket në një pjesë të tij duke u futur në tubacione të vegjël, bllokuar me struktura të panevojshme apo devijuar nga ndërtime të tjera. Pikërisht “zemërimin” për këtë zaptim që i ka bërë njeriu natyrës, përroi e shpërthen sa herë ka rreshje shiu.
Ndryshimi i jashtëzakonshëm i zonës, në mënyrë kaotike dhe pa asnjë plan ka rezultuar në mungesë të dukshme të kanalizimeve dhe kullimit. Bizneset janë fajtore që kanë ndërtuar por shteti është akoma edhe më fajtor që ka lejuar një kaos të tillë që sot i kthehet si bumerang./monitor/











