Ministrja Xhaçka falënderoi përfaqësuesit e vendeve që kanë ofruar ndihma për përballimin e kësaj situate dhe vlerësoi angazhimin e ushtarakëve shqiptarë, jo vetëm gjatë ditëve më të vështira, por edhe në fazën e post – menaxhimit. “Ndihma juaj është e çmuar për popullsinë në nevojë, por edhe për ne si Ministri e Mbrojtjes, pasi edhe sot që flasim, forcat tona të komandës mbështetëse vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, duke u qëndruar pranë njerëzve më të rrezikuar,si pasojë e reshjeve të rënda që goditën vendin tonë. Struktura të veçanta të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë angazhuar fuqishëm për menaxhimin dhe shpërndarjen e të gjitha donacioneve ndërkombëtare. Në emër të Qeverisë shqiptare ju siguroj se të gjitha donacionet do të përdoren edhe për të ndihmuar, edhe për të rikuperuar gjendjen pas katastrofës, dhe se shpërndarja do të jetë e hapur dhe transparente”- u shpreh ministrja Xhaçka.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, vlerësoi investimet e qeverisë për parandalimin e përmbytjeve edhe më të mëdha, dhe falënderoi efektivët e angazhuar në zonat e prekura. “Dëshiroj të falënderoj të gjithë ju për këto arritje që janë bërë tashmë edhe përsa i përket parandalimit të rezultateve negative që sjellin përmbytjet sepse ajo që kemi parë është që Shqipëria është më mirë e përgatitur se më parë, kjo edhe në sajë të investimeve që janë bërë në lumin Vjosë. Dëshiroj t’ju falënderoj ju që jeni këtu përpara nesh për punën e shkëlqyer që keni bërë sepse ju keni qenë atje gjatë gjithë kohës me të gjithë ata njerëz që kanë pasur këto probleme dhe që kanë përjetuar fatkeqësitë dhe duke qenë atje ju iu keni dhënë atyre shpresë”- tha ambasadorja Vlahutin, e cila premtoi në të ardhmen asistencë më të mirë, më të shpejtë dhe më të organizuar, nga BE.
Nga ana e tyre, ambasadorët e Austrisë, Greqisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë vunë në dukje funksionimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, si dhe premtuan të jenë bashkëpunues sa herë të jetë e nevojshme. Ndihmat e para nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së kanë ardhur nga Greqia dhe Sllovenia, ndërkohë që ditën e sotme e në vijim pritet të vijnë ato nga Austria, Franca dhe Sllovakia. Italia ka dërguar një mision për të vlerësuar kushtet e urave të dëmtuara, si dhe po shqyrton ofertën e mëvonshme. Përveç produkteve ushqimore dhe veshmbathjeve, vendet anëtare të BE kanë ofruar edhe mjete dhe pajisje të ndryshme logjistike, për të përballuar situata të tjera të ngjashme. Ndërkohë, Forcat e Armatosura, nëpërmjet Komandës Mbështetëse kanë filluar shpërndarjen e ndihmave pranë banorëve të prekur nga përmbytjet e këtij fillimuaji. /MA.ME