Pas marrëveshjes politike të arritur mes dy palëve, mazhorancës dhe opozitës, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka njoftuar në rrjetin social Facebook mbylljen e një tjetër marrëveshjeje të rëndësishme, vetëm se e saj nuk është një dakordësi politike, por krejt e kundërt me atë të 24 orëve të fundit. Bëhet fjalë për eventin e madh artistik që do të kulmojë në Gjirokastër, nga datat 19 deri më 21 maj, Fustanella Festival për të cilin ministrja shkruan:
“Marrëveshja për Fustanellën u arrit! Unë dhe Robert Bisha ramë dakord që Fustanella Festival do të mbahet në datë 19 – 20 – 21 MAJ, në Kalanë e Gjirokastrës. Fjalë burrash! Dhe grash!”, shkruan Kumbaro në Facebook.
Ministrja e Kulturës ka postuar edhe foton ku shihet e veshur me fustanell, teksa në krah të saj qëndron artisti i njohur Robert Bisha. Më 19 maj Gjirokastra mirëpret festivalin më të ri, i cili ka në vëmendje të tij trashëgiminë kulturore. Kështu në kuadër të “Fustanella Festival” do të festohet duke kujtuar fustanellën një nga veshjet tradicionale të shqiptarëve. “Fustanella Festival” do të zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.
Robert Bisha, në cilësinë e drejtorit artistic në konferencën e mbajtur ditëne djeshme vuri theksin në cilësinë e muzikës, që ky festival prezanton, duke rritur ritmet në orët e vona të darkës. “Do ftoja të gjithë studentët e muzikës-u shpreh Bisha të jenë pjesëmarrës për të kuptuar ritmet dhe ndërthurrjet e muzikës, një festë muzikore e përbashkët me rrënjët në identitet, por e jetuar në modernitetin e një bote globale”.
Ndërsa Olsi Sulejmani vlerësoi mbështetjen e MK-së dhe u shpreh se “vazhdimësia e ngjarjeve të tilla muzikore është një nga pikësynimet tona. Duam të përcjellim muzikën bashkëkohore dhe të nderojmë fustanellën, si një nga elementet estetitë të traditës shqiptare”.
Tri ditë-netë me muzikë nga Shqipëria, Greqia, USA, UK, Italia, Indonezia, Maroku, etj në festivalin më të ri të muzikës dhe trashegimise “Fustanella Festival”, organizuar nga Remont Kapital , që ideon këtë festival për herë të parë duke e cilësuar “kthim tek rrënjët”. Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës.
ma.me