E përditshmja britanike “The Sun” ngre shqetësimin për një fenomen të ri, që lidhet me grupet kriminale shqiptare. Sipas medias britanike kriminelët shqiptarë po postojnë nëpër rrjete sociale, pa asnjë droje, foto me shuma marramendëse parash të përfituara nga aktivitete kriminale, për t’ua bërë zili shokëve të tyre në atdhe.
Shqiptarët e përfshirë në aktivitete kriminale në Britaninë e Madhe rikthehen sërish në qendër të vëmendjes së mediave britanike. E përditshmja “The Sun” e ka fokusuar artikullin e saj të radhës tek disa foto, që qarkullojnë në rrjetet sociale, ku shfaqen shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale fitimprurëse, të rrethuar nga shuma marramendëse parash.
“Kriminelët shqiptarë në Britaninë e Madhe shfaqin pasurinë e tyre duke pozuar me mijëra paund kesh. Fotografitë i publikojnë më pas në rrjetet sociale për tu treguar shokëve të tyre në Shqipëri se sa të pasur janë” – është ky komenti që i ka bërë “The Sun” fotografive të tilla.
Disa prej atyre që nuk kanë frikë të postojnë fotografi nëpër rrjete sociale janë edhe persona që kanë hyrë ilegalisht në territorin britanik dhe janë bërë drejtues të rrjeteve kriminale.
“The Sun” sjell edhe raste konkrete. Një prej tyre është Olsi Behluli, i cili aktualisht ndodhet në burg ku vuan dënimin me 11 vite heqje lirie pasi është ndaluar për posedim të një sasie heroine me vlerë mbi milionë euro, shkruan AbcNews
Po ashtu Luan Plakiçi, për të cilin “The Sun” shkruan se udhëtonte me Ferrari. Ai vuan dënimin me 23 vite burg si trafikant i 60 femrave për qëllime prostitucioni.
Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani e konsideroi këtë fenomen si “kërcënim domethënës”, pasi kriminelët shqiptarë drejtojnë banda droge të lidhura me rrjete të Amerikës së Jugut dhe me rrjetet e trafikut të prostitucionit. Për më tepër – siç vlerëson Agjencia britanike e anti-krimit, – grupet kriminale shqiptare kanë ndikim pushtet të madh në krimin e organizuar në Britaninë e Madhe. /ma.me














