Tirana, Elbasani e të gjitha qytetet e Shqipërisë presin sot “Ditën e Verës”. Kjo festë, tashmë tradicionale, shoqërohet me programe të ngjeshura të aktiviteteve argëtuese në të gjithë vendin. Kreu i qeverisë, Edi Rama, në urimin e mëngjesit postoi dhe një foto nga Elbasani, ku dhe është mbledhur qeveria së fundmi, për të uruar Ditën e Verës.
“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje diellore nga Elbasani ju uroj GËZUAR DITËN E VERËS,” shkruan ai.
Ish-kryeminsitri Sali Berisha ka bërë një urim të thjeshtë në rrjetin social Facebook ku shkruan “Gëzuar ditën e verës, sb!”. Bashkangjitur postimit ka publikuar dhe një foto të tij me bashkëshorten Lirie Berisha, ku në sfond duket një pikturë me një lule.
I thjeshtë ka qenë edhe urimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka postuar dhe një foto me çeljen e luleve.
Një urim vjen edhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili uron optimizëm, shpresë e gëzim për çdo familje.
“Të dashur miq, Gëzuar Ditën e Verës! Uroj që ngjyrat dhe tingujt e mrekullueshëm pranverorë të përtërijnë optimizmin, shpresën dhe gëzimin në familjet dhe zemrën e secilit prej jush!,” shkruan ai.