Në takimin e tretë për prezantimin e kandidatëve të “6 marsit’, ish-kryeministri Sali Berisha ka hequr nga fushata siglën e Partisë Demokratike.
Në të trija takimet e zhvilluara deri më tani, në Vorë, në Durrës dhe Rrogozhinë, stema që shoqëron Berishën në podium shfaqet e ndryshme.
Në takimin e parë, në Vorë, sfondi pas Berishës është i gjithi në ngjyrë blu dhe mban vetëm logon e “Shtëpisë së Lirisë”, shoqëruar me sloganin “Shpresë, ndryshim, fitore”.
Në takimin e dytë, të mbajtur dje në Durrës, Berisha ka shtuar në sfond edhe siglën e Partisë Demokratike, e cila shfaqet në krahun e tij të djathtë.
Por, një gjë e tillë nuk shihet të jetë edhe sot në takimin që ai po zhvillon në Rrogozhinë. Në këtë takim, Berisha ka hequr siglën e PD-së, duke e zëvendësuar atë me simbolin kombëtar të shqiponjës./m.j