Me sa duket, djalli duhet të jetë tifoz golfi, pas një krijesë me pamje dhie dhe “flatra lëkure” është vënë re sipër një fushe golfi. Banorët vendas në New Jersey besojnë se kanë kapur një pamje të “Djallit të Xhersit”, i cili thuhet se endet në atë zonë prej më tepër se 200 vjetësh. Shumë njerëz kanë deklaruar më parë se janë ndeshur me të, por pa ofruar kurrë prova. Deri tani! Dave Black po kthehej nga puna kur pa atë që fillimisht mendoi se ishte një lama që dukej e zhdukej midis pemëve anës rrugës. “Po ecja me makinë pranë fushës së golfit dhe m’u desh të tundja kokën disa herë kur mendova se pashë një lama”, shpjegon Dave. “Sikur të mos mjaftonte, hapi flatrat e lëkurta dhe fluturoi mbi fushë. Ose po më le mendja, ose sapo pashë “Djallin e Xhersit”. Njerëzit thonë që është fals, por jo. Sinqerisht, edhe vetë po kërkoj shpjegim për atë që pashë”.









