25 shtatori i vitit 1982 ishte një ngjarje shumë e rëndë për regjimin komunist. Një grup shqiptarësh të diasporës, me në krye Xhevdet Mustafën zbarkuan në bregdetin e Divjakës duke u nisur për në Tiranë me qëllim rrëzimin e regjimit komunist. Ata u pikasën gjatë rrugës dhe u asgjësuan të gjithë. Ajo ngjarje mbart ende mjaft enigma, si përsa i përket organizimit, pikasjes, armatimit etj., megjithatë Albeu.com zbardh një detaj nga armatimi i grupit në fjalë. Bëhet fjalë për pistoletën që mbante Xhevdet Mustafa. Ajo është një pistoletë me kalibër të madh, 45 mm, me mulli e tipit: Ruger G-P 100 me numër serie: 550-28235.
Arma është në fondin e pistoletave të kapura nga Policia e Shtetit dhe tashmë ekspozohet si relike. Në një shkrim të disa viteve më parë, Agim Musta bën edhe një analizë të personazheve që përbënin grupin e Zhevdet Mustafës, të cilën ju ftojmë të lexoni më poshtë:
Sabaudin Haznedari
Sabaudin Haznedari ishte kryetari i grupit që së bashku me Xhevdet Mustafën dhe Halit Bajramin zbarkuan në bregdetin e Divjakës në mesnatën e 25 shtatorit të vitit 1982. Bashkë me ata të tre, në bazat e stërvitjes ishte përgatitur edhe një person tjetër, i cili pak çaste para se grupi të imbarkohej në motoskafin që do të lundronte drejt bregdetit shqiptar, u bë i sëmurë dhe u nis gjoja për të blerë ilaçe. Sabaudini nga lufta doli oficer me gradën e togerit dhe menjëherë u caktua në funksionin e kryetarit të këshillit NacÇl për lagjen “Varosh i poshtëm” të Durrësit.
Në atë detyrë Sabaudini nuk punoi për shumë kohë, sepse, në vitin 1945, atë e hoqën që andej dhe e përjashtuan nga partia. Atë vit në qytetin e Durrësit u zhvilluan zgjedhjet për në forumet drejtuese të pushtetit vendor dhe një pjesë e madhe e komunistëve kryesorë, që ishin shumë të njohur që nga koha e luftës, si Skënder Çela, Drita Malile, Hysen Ballhysa, Mark Toçi, etj., kundërshtuan kandidaturat që kishte dërguar KQ i Partisë.
Sabaudinin e shkarkuan nga kryetar këshilli dhe e përjashtuan nga Partia. Ky ishte dënimi më i lehtë, sepse shokët e tij, Hysen Ballhysën e Drita Malilen e ndonjë tjetër i futën në burg, ndërsa Skënder Çelën dhe Mark Toçin i pushkatuan pa gjyq. Pas këtyre ndëshkimeve politike, ai filloi punë si shef llogarie në Ndërmarrjen e Ujërave. Që këtej Sabaudini ra në një dëshpërim të thellë.
Si komunist idealist që ishte nuk i duronte dot prapaskenat që bënin në atë kohë komunistët brenda radhëve të tyre si dhe në popull. Kur i shihte të gjitha ato që bëheshin, Sabaudini vinte dy duart në kokë dhe thoshte: “Po pse, për këtë luftuam ne?” Sabaudini ishte i pezmatuar nga ideali komunist që ai kishte përqafuar që në vitin 1942 dhe, pa dyshim, ajo gjë vinte dhe nga se atij nuk i ishte dhënë vendi që i takonte, pasi kishte pasur kontribut jo të vogël gjatë luftës.
Ai jo vetëm mbeti i pakënaqur, por edhe shprehej se nuk e shihte të realizuar idealin e luftës. Këto biseda dhe debate më të mëdha Sabaudini i bënte brenda familjes me dy vëllezërit më të vegjël, që vazhdonin të ishin në Parti. Konfliktet dhe debatet më të ashpra Sabaudini i kishte me vëllanë e dytë, Eminin, i cili në atë kohë ishte komunist fanatik dhe nuk lëshonte pe në vijën e Partisë që ndiqte Enver Hoxha.
Duke qenë në gjendje krejt të padurueshme, më 14 gusht të vitit 1950, u arratis nga Shqipëria. Kur ishte në kulmin e dëshpërimit, u takua me një ish-shokun e tij të vjetër që nga koha e fëmijërisë dhe e luftës, Halit Bajramin dhe me të bëri planet e u arratis.
Halit Bajrami
Halit Bajrami është me origjinë nga Tivari, por ai kishte lindur në Durrës dhe familja e tij në atë kohë banonte në Shkozet. Më herët kishte qenë partizan dhe nga lufta kishte dalë me gradën e aspirantit.
Në kohën që Sabaudini u takua me Halitin, ai mbante detyrën e zv.shefit të Sigurimit në Divizionin e Korçës. Bajrami ishte me punë në Korçë, por vinte me pushime në Durrës dhe aty u takua me Sabaudinin Për herë të parë, Haliti erdhi me pushime në plazhin e Durrësit në verën e vitit 1949. Aty u takua për herë të parë me Sabaudinin. Aty me sa duket bënë edhe planet për t’u arratisur. Pas këtij takimi, Halit Bajrami erdhi përsëri verën tjetër në Durrës. Ishte korriku i vitit 1950. U takua përsëri me Sabaudinin dhe përfundimisht i dhanë jetë planit të arratisë. Më 14 gusht të vitit 1950, u nisën për ‘pushime” në shtëpinë e pushimit në Dardhë të Korçës.
Në atë shtëpi pushimi ata qëndruan tri-katër ditë dhe më pas u arratisën pa ndonjë problem, sepse Haliti e njihte mirë atë vend, ku shërbente si zv.shef Sigurimi për Divizionin e Korçës. Ishte ky një mision i mistershëm, sidomos për Sabaudinin që drejt kësaj sprove e çonte pakënaqësia e theksuar për regjimin dhe fryma antikomuniste e kultivuar në vite. Tjetërsoj ndodhte me Halitin, njërin nga oficerët e besuar të sigurimit.
“Arratia” e tij fshihte në vetvete një sërë dilemash, deri te pandehma për një mision të fshehtë. Ngjarjet duhet të jenë zhvilluar kështu: Gjatë kohës që Sabaudini është takuar me Halit Bajramin si shok fëmijërie, i ka shprehur atij pakënaqësitë që kishte lidhur me qëndrimin që po mbante Partia ndaj tij dhe i ka kërkuar mendim për një arratisje të mundshme. Pas takimit të parë, Haliti e ka raportuar te eprorët e tij, të cilët i kanë thënë t’ia mbështeste mendimet dhe të arratiseshin bashkë.
Njerëzve të Sigurimit nuk u ka interesuar aspak arrestimi dhe dënimi i Sabaudinit, por ata kanë qenë më të interesuar që ai të arratisej dhe, kur të dilte jashtë, nëpërmjet Halitit ta kishin nën kontroll për të parë dhe zbuluar të gjithë personat e mundshëm antikomunistë, me të cilët mund të takohej e të kishte lidhje.
Këtë gjë ata e kanë bërë duke pasur shpresa se si ish-komunist Sabaudini mund t’u shërbente përsëri. Pra, arratisjen e Sabaudinit indirekt e kanë nxitur vetë njerëzit e Sigurimit për qëllimet e tyre. Pasi kaluan kufirin dhe ikën nga Shqipëria, Sabaudini me Halit Bajrami u kapën nga forcat greke të kufirit dhe u dërguan në një kamp refugjatësh në afërsi të Kosturit. Në këtë kamp ata nuk i mbajtën shumë dhe prej aty ata shkuan në Stamboll. Halit Bajrami kërkonte të shkonte në Zelandën e Re, sepse ashtu ishte misioni i tij, të cilin ia kishte ngarkuar Sigurimi i Shtetit.
Në atë kohë, por edhe më vonë, Zelanda e Re ka shërbyer si strofull apo çerdhe e agjentëve të zbulimit shqiptar. Halit Bajrami u vendos në Zelandën e Re ku ka jetuar deri sa vdiq. Po kështu në atë vend të largët kanë shkuar dhe kanë jetuar shumë agjentë të tjerë të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, të cilët pas viteve ’90 janë kthyer dhe kanë ardhur në Shqipëri.
Pasi Sabaudini nuk pranoi që të shkonte me Halitin në Zelandën e Re, ai e bindi Halitin që të mos largoheshin shumë nga Shqipëria dhe që të dy ikën nga Stambolli dhe erdhën në Itali. Ai kishte shpresa për t’u kthyer një ditë pranë familjes, pasi mendonte në një rrëzim të mundshëm të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Haliti iku nga Italia në Zelandën e Re, sepse atje e kishin nisur me mision shefat e tij, ndërsa Sabaudini u vendos përfundimisht me banim në Itali.
Lidhur me bindjet dhe qëndrimin antikomunist të Sabaudinit ka dëshmuar dhe z. Avdul Banushi para pak kohësh në shtyp, pasi ata të dy kanë hedhur bombat në Ambasadën Shqiptare në Romë. Pak muaj pas asaj ngjarje, pasi Sigurimi me anë të agjentëve të vet mësoi të vërtetën se Sabaudini me Avdyl Banushin ishin autorë të asaj ngjarje, ata nisën të hakmerren ndaj tyre.
Në atë kohë njerëzit e Sigurimit, të cilët vepronin jashtë Shqipërisë, shkuan në shtëpinë e Sabaudinit dhe i helmuan gruan e tij italiane. Që në fillim të vitit 1982, diku nga mesi i janarit, Sigurimi i Shtetit u shpërndau fotot e Sabaudinit të gjithë agjentëve të tyre, deri te ata më ordinerë që njiheshin nga të gjithë.
Para se Sabaudini të vinte në Shqipëri, ai jetonte në kryeqytetin italian, Romë, së bashku me vajzën e tij të vetme. Që kur ishte vendosur në Romë, Sabaudini kishte hapur një lavanteri private dhe kishte arritur të nxirrte të ardhura të konsiderueshme. Por, ato të ardhura ai i shpenzonte më shumë duke ndihmuar emigrantët shqiptarë antikomunistë dhe shtëpinë e tij në Romë e kishte kthyer në një qendër bamirësie për të gjithë ata që arratiseshin në Perëndim.
Ideja për krijimin e grupit Komando i lindi Sabaudinit rreth një vit e gjysmë përpara, pra diku nga fillimi i fitit 1980. Që nga ajo kohë Sabaudini ndërmori një udhëtim të gjatë nëpër disa shtete të botës, sidomos në ato vende ku jetonte mërgata antikomuniste shqiptare. Qëllimi i atij udhëtimi ishte që ai të kontaktonte me njerëz të besuar, në mënyrë që t’i rekrutonte ata si efektiv të grupit të tij, që do të zbarkonte në Shqipëri.
Gjatë udhëtimit që ai bëri në SHBA u njoh me Xhevdet Mustafën, me të cilin, ndonëse ishin nga një qytet, nuk kishin pasur njohje më parë, pasi Xhevdeti ishte rreth njëzet vjet më i vogël.
Xhevdet Mustafa
Ndërkohë që Sabaudini i parashtroi qëllimin për të cilin e kishte takuar, Xhevdeti u tregua krejt i gatshëm që të bënte pjesë në grupin e Sabaudinit.
Pasi u sigurua për pjesëmarrjen e Xhevdetit në grupin e tij, Sabaudini u kthye në Europë dhe ndërmori një udhëtim tjetër në disa shtete ballkanike, për të rekrutuar njerëz të tjerë. Në këtë kohë, Xhevdetin e arrestojnë dhe dënojnë në Neë York me katërmbëdhjetë vjet burg si korrier droge ndërkombëtar.
Sigurimi i Shtetit Shqiptar, i informuar prej agjentit të tij, Halit Bajrami, për krijimin e këtij grupi, bëri të gjitha përpjekjet që të fuste në grup edhe dy agjentët e vet: Halit Bajramin dhe Fadil Kacelin.
Sabaudini ka menduar se Halit Bajrami nuk i shërbente Sigurimit të Shtetit, sepse kishte vite që jetonte në Zelandën e Re, ku nuk ishte aktivizuar nga Zbulimi shqiptar. Ka pasur dhe raste të tjera nga agjentët e Zbulimit Shqiptar që kanë bërë lojë të dyfishtë. Në takimin që Sabaudini ka pasur me Halit Bajramin, ai është treguar plotësisht i gatshëm për të ardhur në Shqipëri si anëtar i grupit të tij.
Duke u nisur nga këto, Sabaudini ka menduar se Halit Bajrami nuk do ta tradhtonte, pasi ai e kishte pasur shok fëmijërie dhe ata ishin arratisur bashkë në vitin 1950. Por, edhe pse Sabaudini pranoi që ta merrte Halitin në grupin e tij, ai kishte shumë dyshime për të dhe për shokun e tij, personin e katërt, që u stërvit bashkë me ta.
Fadil Kaceli
Personi i katërt quhej Fadil Kaceli dhe ai kishte jetuar prej vitesh në Zelandën e Re ku ishte dërguar me mision nga Sigurimi i Shtetit. Këtë person Sabaudinit ia prezantoi Halit Bajrami gjatë udhëtimit që bëri në Zelandën e Re, pasi nuk e njihte dhe Sabaudini pranoi ta merrte me vete.
Pasi Fadil Kaceli u stërvit bashkë me grupin për disa kohë në Itali, në momentet e fundit, kur ata të katërt kishin ardhur në Itali dhe do të imbarkoheshin në motoskafin që do të lundronte drejt brigjeve shqiptare, Fadil Kaceli u bë i sëmurë.
Fadil Kaceli, pasi u largua nga stacioni i trenit të Firences, u takua rastësisht me një shqiptar antikomunist të quajtur Eqerem Maçi, me origjinë tiranas dhe i kërkoi atij 1500 USD borxh, duke i thënë se i kishte humbur portofoli dhe ato do t’ia kthente menjëherë sapo të shkonte në Zelandë.
Eqeremi ia dha dhe ai i hipi avionit dhe iku në Zelandë. Pas tri ditësh, Fadil Kaceli mori në telefon Eqeremin duke i thënë se ia kishte postuar dollarët në Itali.
Eqeremi, që e kishte mësuar dështimin e misionit të grupit dhe vrasjen e Sabaudinit e të Xhevdetit, i tha në telefon: “Mos ta shoh bojën më dhe nuk i dua fare paratë, sepse ju e tradhtuat Sabaudinin në Shqipëri”. Këtë gjë e ka dëshmuar vetë Eqerem Maçi. Pas ikjes së Fadil Kacelit, patjetër që Sabaudini ngjalli dyshime, por ai nuk mund të mos e vazhdonte misionin që kishte marrë përsipër, sepse atë nuk ia lejonte karakteri i tij.
Ishte kjo arsyeja që Sabaudini e ndërroi itinerarin dhe vendin e zbarkimit të grupit. Ishte kjo arsyeja pse grupi mundi të zbarkonte në bregdetin e Divjakës, pa u diktuar fare nga forcat speciale të Ministrisë së Brendshme, të cilat kishin rreth gjashtë muaj që bënin shërbim të rregullt në bregdet, në pritje të këtij grupi. Halit Bajrami ishte në dijeni për vendin ku do të bëhej zbarkimi dhe kishte njoftuar Sigurimin për këtë, por, kur ata hipën në motoskaf dhe Sabaudini ndërroi itinerarin e lundrimit, ai s’kishte si të njoftonte Sigurimin, sepse ishte nën kontrollin e plotë të Sabaudinit dhe të Xhevdetit.
Pra, në barkë Bajrami nuk kishte si të shkëputej dhe të njoftonte me radio për vendin e zbarkimit. Haliti vetë, në dëshminë e tij gjatë gjyqit, ka deklaruar se e kishte kryer detyrën, duke e informuar Sigurimin e Shtetit nga hotelet e Parisit dhe Brukselit, ku ata shkuan për të blerë armë.
Ngjarja
Grupi zbarkoi në bregdetin e Divjakës rreth mesnatës dhe ka qëndruar në një bunker deri sa ka zbardhur dita. Më pas, ata janë nisur për të dalë në rrugën nacionale, për të udhëtuar drejt Tiranës. Rrugës Xhevdeti ka eliminuar dy-tre persona që i kanë dalë para, duke menduar se po ndiqeshin dhe njërin prej tyre, një polic të quajtur Sokrat, e ka marrë peng, duke i ngarkuar çantat që kishin me vete. Ndërsa Sokrati ka mbajtur çantat me rrobat e pajisjet e tjera, çantën me armë Sabaudini ia ka lënë Halit Bajramit.
Gjatë gjithë kohës deri sa ata kanë dalë në rrugën nacionale, Sabaudini me Xhevdetin kanë ecur para, ndërsa Haliti, që kishte çantën me armë, ka ecur pas tyre për të mos u diktuar. Por, siç duket, Haliti nuk ka pasur urdhër që t’i vriste ata, sepse nuk duhej të dekonspirohej qenia e tij si agjent i Sigurimit Shqiptar. Pasi ata të tre dolën në rrugën nacionale, te stacioni i trenit në Rrogozhinë, Halit Bajrami nuk i ka ndjekur më nga pas, por është futur në një berberhane dhe aty ka thënë: “Kapini ata të dy se janë diversantë”.
Sabaudini me Xhevdetin kur kanë parë se Halit Bajrami nuk ishte pas tyre, sipas urdhrit që i kishin dhënë, e kuptuan se ai i ka tradhtuar dhe u ndanë. Xhevdeti ka marrë me forcë një makinë dhe ka ikur në drejtim të fshatit Zhamë të Lushnjës, ndoshta me qëllim për t’u kthyer nga kishte ardhur, ndërsa Sabaudini është futur në një bunker aty pranë. Në momentin kur janë ndarë, ata kanë pasur me vete vetëm nga një revolver, sepse armët automatike i kishte Halit Bajrami. Sabaudini u rrethua në bunker nga forcat vullnetare dhe ato të policisë, të cilat i bënë thirrje për t’u dorëzuar. Ai nuk ka qëlluar asnjëherë kundër tyre, por u ka bërë thirrje: “Mos luftoni kundër meje, por hajdeni t’i bashkojmë armët dhe të shkojmë në Tiranë të vrasim Enver Hoxhën”. Pas kësaj, ai është qëlluar përsëri dhe, për të mos rënë i gjallë në duart e tyre, ka vrarë veten, duke e qëlluar me një plumb në kokë. Kështu është e vërteta e vrasjes së tij dhe sikurse është thënë se e vrau një pushkatar i forcave vullnetare. Ndërsa Sabaudini është vrarë aty rreth orës 11:00, Xhevdeti u vra pasdite në shtëpinë ku u fut në fshatin Zhamë të Lushnjes. Avdyl Banushi, shok i Sabaudinit në aksionet antikomuniste, ka treguar se në vitin 1968, Sabaudini shkoi në Neë York, i thirrur nga kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Prof. Rexhep Krasniqi. Ai e ngarkoi Sabaudinin me detyrë që të punonte me emigrantët antikomunistë shqiptarë të vendosur në Itali, Austri dhe Jugosllavi.
Në New York Avduli e ka njohur Sabaudinin me Xhevdet Mustafën. Qysh prej atij çasti, ata bashkëpunuan me njëri-tjetrin kundër qeverisë së Tiranës. Ka me dhjetëra fakte që vërtetojnë në mënyrë të pakontestueshme se Sabaudini nuk ka bërë lojën e fëlliqur të Sigurimit enverist.
Përqasje
Historiani dhe studiuesi i mirënjohur Auron Tare jep disa të dhëna të papublikuara deri më sot në shtypin shqiptar, për grupin desantues të Xhevdet Mustafës. Z. Auron Tare shoqëroi në vitin 2010 një oficer të zbulimit të Zelandës së Re, i cili u mor me përgatitjen e anëtarëve të grupit në Zelandën e Re dhe në Itali, para se ata të zbarkonin në Shqipëri.
Sipas Z. Tare, oficeri i zbulimit të Zelandës së Re, Vincent Fogart, u njoh në Zelandë me Halit Bajramin, ish-oficer i Sigurimit të Shtetit Komunist Shqiptar. Nëpërmjet Halit Bajramit, oficeri Fogart mori përsipër stërvitjen e grupit të përbërë nga Halit Bajrami, Xhevdet Mustafa, Sabaudin Hasnedar dhe Fadil Kaceli, që do të zbarkonin në Shqipëri, për të kryer një atentat kundër diktatorit Hoxha. Z. Fogart tregon se për stërvitjet e grupit të shqiptarëve ishin në dijeni edhe oficerë të CIA-s amerikane dhe të MI-6 angleze. Oficeri Fogart tregon se gjatë qëndrimit në Itali ai kishte parë Xhevdet Mustafën me një zonjë, që dyshonte se ishte Suzana, gruaja e mbretit Leka në mërgim.
Z.Fogart flet me simpati për “miqtë” e tij shqiptarë, por kish mbetur i zhgënjyer prej tyre, që evituan marrjen e tij në Shqipëri dhe ndaj çiltërsisë që tregonin në lidhje me misionin që do të kryenin në Shqipëri. Duhet të kemi parasysh ngjarjet në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë vitit 1981-82.
Rëndimi i gjendjes shëndetësore të diktatorit Hoxha, eliminimin fizik të kryeministrit Shehu më 17 dhjetor 1981, heqja e Kadri Hazbiut nga dikasteri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, rrënimi ekonomik i vendi dhe ngjarje të tjera, që zhvilloheshin në heshtje dhe në konspirativitet të thellë, e kishin kthyer Shqipërinë në një kazan që vlonte, por askush nuk mund ta dinte ditën kur do të shpërthente. Më i interesuari, që katrahura të shpërthente sa më parë, ishte Beogradi. Eliminimi i Enver Hoxhës në këtë kohë do të ishte një grusht i fortë për iluzionistët kosovarë, që shpresonin në ndihmën e Shqipërisë komuniste për të shpallur Kosovën “Republikë”.
Për këtë qëllim, zbulimi jugosllav futi në valle Halit Bajramin, agjentin shqiptar të rekrutuar edhe nga zbulimi jugosllav gjatë kohës së luftës ose kur ai ishte zv.shef i Sigurimit të Divizionit të Korçës. Zbulimi jugosllav i dha atij një milion dollarë për ta nxjerrë nga burgu i Neë Yorkut Xhevdet Mustafën, i dënuar me 14 vjet burg, si korrier ndërkombëtar droge. Halit Bajrami, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1950, ishte vendosur në Zelandën e Re, ku sigurimi komunist i Enver Hoxhës kishte krijuar një bazë për agjentët e vet, që vepronin në botën perëndimore.
Vetvetiu lind pyetja: Ku i gjeti një milion dollarë Halit Bajrami, të cilat i depozitoi si garanci në bakën e Neë Yorkut, për lirimin e Xhevdet Mustafës nga burgu? Sigurimi shqiptar nuk mund të përballonte një luks të tillë për individë, që mund të tradhtonin në çdo kohë dhe pa shumë formalitete. Ishte dora e zezë e Beogradit, që me anën e Halit Bajramit, mori të dhëna për Xhevdet Mustafën nga shoku i tij, Sabaudin Hasnedari. Konkluzioni i Z. Auron Tare se Xhevdet Mustafa është liruar nga burgu amerikan me paratë e zbulimit jugosllav, është i pranueshëm dhe bindës. Njohjen midis Xhevdet Mustafës dhe Sabaudin Hasnedarit e ka bërë në Amerikë Abdul Banushi nga Golemi i Gjirokastrës, që së bashku me Sabaudin Hasnedarin, kreu aksionin e hedhjes së bombave në Ambasadën Shqiptare në Romë.
Lind dyshimi nëse Kadri Hazbiu ishte i implikuar në grupin e Xhevdet Mustafës. Si fakte për këtë janë nervozizmi i tij në postën e Policisë së Rrogozhinës ndaj Halit Bajramit dhe fakti tjetër që ka të bëjë me dërgimin një muaj më parë në Lushnjë si zv.shef të Policisë Muharrem Bricin, kunatin e tij. Biseda që Xhevdet Mustafa ka bërë me Muharremin mbasi kishte zbritur në Divjakë, është e panjohur, por zemërimi i Xhevdetit që arriti ta qëllojë për vdekje Muharremin në distancë prej 8 metrash u shkaktua për mosardhjen e “personit të rëndësishëm” (aludohet për Kadri Hazbiun). Personi i katërt i grupit që do të vinte në Shqipëri me Xhevdet Mustafën ishte Fadil Kaceli, tiranas, “arratisur” në Greqi në vitin 1949 dhe prej andej ishte vendosur në Zelandën e Re, në bazën e Sigurimit Shqiptar.
Fadili i trembur nga të papriturat që mund të ndodhnin në Shqipëri, improvizoi një rrëzim para hipjes në motoskafin, që do t’i binte në brigjet shqiptare. Fadili gjatë periudhës së tranzicionit ka ardhur disa herë në Shqipëri, por asnjëherë nuk është prononcuar për jetën e tij misterioze gjysmëshekullore. Sot nuk ekziston asnjë i gjallë nga grupi i mësipërm. Xhevdeti dhe Sabaudini bënë vetëvrasje kur u rrethuan në Rrogozhinë, ndërsa Haliti dhe Fadili kanë vdekur këto vitet e fundit.
ma.me