Belshit turistik pritet t’i shtohet një tjetër atraksion. Bëhet fjalë për një zbulim arkeologjik në njësinë administrative të Rrasës, ku në tokën e një prej banorëve të kësaj zone janë gjetur rrënojat e një banjoje të lashtë romake.
Zbulimi fillimisht është bërë nga vetë pronari i tokës, i cili më pas ka lajmëruar autoritetet lokale. Një përfaqësi e Institutit të Monumenteve të Kulturës ka shkuar në vend dhe nga vlerësimet paraprake mendohet të jetë një banjo romake.
Grupi i ekspertëve ka nisur punën për zbulimin e të gjithë objektit dhe vlerësimin e tij.
Kjo nuk është hera e parë që në zonën e Belshit gjenden objekte arkeologjike. Rreth 24 objekte që janë gjetur vite më parë në Liqenin e Seferanit sot gjenden të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik.