Policia shqiptare ka shtuar masat e sigurisë pranë ambasadës ruse në Tiranë. Javaneës.al vërejti se pranë kësaj ambasade është përforcuar shërbimi policor duke filluar që nga hyrja kryesore dhe përreth saj me policë, të cilët patrullojnë duke mos lejuar persona që të ndalojnë pranë mureve të ambasadës. Përpos kësaj, në portën kryesore të ambasadës qëndron një makinë policie e forcave ‘Shqiponja”, si dhe policë, të cilët ndjekin me vëmendje të gjitha lëvizjet e makinave apo personave që kalojnë pranë ambasadës. Javaneës.al sjell edhe imazhe të shtimit të prezencës policore pranë ambasadës ruse.
Masat e sigurisë janë shtuar jo vetëm për shkak të ngjarjes tragjike në Turqi ku u vra ambasadori rus, por edhe si pasojë e paralajmërimeve të ISIS, që ka shpërndarë një listë të ambasadave dhe zyrave konsullore ruse nëpër botë, që do të jenë në shenjëstër sulmi. Sipas mediave britanike, xhihadistët kanë publikuar në internet një skedë PDF adresash konsullore ruse në internet, pas sulmit të së hënës në Ankara, ku mes tyre spikat dhe ambasada ruse në Tiranë. Media britanike Daily Mail në një shkrim të saj ka cituar një listë të ambasadave dhe zyrave konsullore të cilat janë publikuar nga shteti islamik në mediat sociale. Në listë vihen re edhe ambasada të tjera si në Kampala, (Uganda), Teheren e Azerbajxhan. Një publikim i tillë vjen vetëm dy ditë pas vrasjes se ambasadorit rus në Ankara Andrei Karlov, i cili u ekzekutua nga një ish- polic i cili rezulton se ka qënë edhe pjesë e forcave të sigurisë së presidentit Erdogan.