Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e djeshme në Dortmund për të ndjekur ndeshjen Itali-Shqipëri. Ai shoqërohej edhe nga bashkëshortja Linda Rama, e cila siç shihet në këto foto është veshur kuqezi.
Krah kreut të qeverisë ndodhet edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ndërkohë, në stadium ishin edhe anëtarë të kabinetit qeveritar, si ministri Taulant Balla, Igli Hasani apo Ogerta Manastirliu.
Më herët kryeministri Rama shprehu opinionin e tij për sfidën në një intervistë për “TuttoSport”.
Shefi i qeverisë si një tifoz i deklaruar italian, tha se do ta ndjekë ndeshjen nga tribunat e stadiumit dhe dëshiron që kuqezinjtë dhe axurrët të ndahen me një barazim, rezultat që do të komplikonte Grupin B.
“E pabesueshme. Do të jetë hera e parë dhe shpresoj e fundit në jetën time, që dëshiroj që Italia të mos fitojë një ndeshje në Kampionatin Europian.
Por gjithsesi, mua do më pëlqente më mirë një barazim, i cili për kuqezinjtë tanë do ngjante si një fitore.
E di që për “axurrët”, një barazim me Shqipërinë do ishte fillimi i një gjyqi ndaj Spalletit. Por, për fat të keq, Italisë nuk mund t’i uroj asgjë më shumë se një barazim”.