Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në FB dhe të një fotoje të rrallë, ka vlerësuar autoritetet kishtare për celebrimin e denjë të 38 klerikëve martirë, si dhe për mirënjohjen publike së bërë nga ana e tyre ndaj mbështetjes së shumanëshme të Qeverisë, e cila e kishte këtë një detyrë morale të patjetërsueshme.
Më poshtë postimi i kryeministrit:
“Provinca françeskane e Shqipërisë, e cila pagoi më shtrenjtë nga çdo bashkësi tjetër ekleziale, dhunën dhe shfarosjen e regjimit totalitar, shfaqet në këtë foto të viteve ’30, në tërë lavdinë e saj, rreth zemrekut të saj intelektual ku spikat At Gjergj Fishta. Sot, nëpërmjet lumnimit të 38 klerikëve, rregulltarëve dhe laikëve të Kishës katolike, naltësimi i besimit të martirëve shqiptarë prek çdo altar, në çdo kishë të botës. Prej kësaj dite, emri i secilit prej tyre, është gdhendur përjetësisht në kalendarin liturgjik, duke naltësuar përnjimend edhe emrin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve.
Falenderoj autoritetet kishtare për celebrimin e denjë dhe për mirënjohjen publike ndaj mbështetjes së shumanëshme të Qeverisë, e cila ishte një detyrë morale e patjetërsueshme.
Kujtim të amshuar të lumëve martirë të Shqipërisë: “In memoria aeterna erit iustus; ab auditione mala non timebit” Ps. CXI”