Tre vite më parë, këngëtarja Tuna Sejdiu u përfol për një lidhje intime përtej miqësisë me këngëtarin 10 vite më të ri në moshë, Ylli Limanin.
Shkak për këtë dyshim u bë një foto nga jeta e natës, ku Ylli e kishte mbërthyer gjithë pasion. Duket se pas disa gotave dhe nën ndikimin e atmosferës së një klubi nate, edhe një pozim i tillë ishte i pranueshëm sa për t’u hedhur në “Snapchat” nga ata, duke përmbysur me një pozë deklaratat se janë thjesht shokë.
Kaq mjaftoi që Tuna Sejdiu dhe Ylli Limani të ishin në shënjestër të portaleve për një marrëdhënie që tejkalonte shoqërinë. Këto dyshime u nxitën edhe nga fakti se ata shiheshin vazhdimisht bashkë në studio, koncerte e klube dhe kaq mjaftoi për të menduar për një lidhje të mundshme.
Më pas, ajo bëri lëvizje të shpejta në jetën e saj sentimentale. Pa u larguar ende zhurma e thashethemnajës për Yllin, ajo u njoh me një tjetër muzikant nga Prishtina, Patris Berishën, me të cilin u martua dhe sollën në jetë djalin e tyre, Tian.
Dhe për çudinë e të gjithëve, Ylli ishte sërish i pranishëm në martesën e tyre, duke folur madje në media për lidhjen speciale që ruan me Tunën. Për këtë marrëdhënie, që foli jo vetëm media, por edhe vetë Tuna, Ylli ishte personazhi kryesor në albumin e saj të ri “Fortuna”, që inauguroi me një koncert të mbajtur në Shkup para dy javësh.
Pas atij koncerti, dedikuar dashurisë së vërtetë, Tuna publikoi një nga një edhe klipet, ku vlen për t’u veçuar dueti “A don hala” me Ylli Limanin. Kjo baladë, që i dedikohet një dashurie të pamundur, është kthyer në hit në “YouTube”.
Disa ndjekës e kanë komentuar si këngën që Tuna dhe Ylli ia kushtojnë historisë së tyre të pamundur, edhe pse tingëllon mjaft e guximshme kur mendon se kjo ide është hedhur në dritë në sy të burrit të saj, Patris Berishës. Për të ftuarin special të albumit, Yllin, ajo thuri një varg falenderimesh në profilin e asaj në “Instagram”.
“Yll, mezi pres, publiku të dëgjojë këngën e shkruar nga ti ‘Plagë’ dhe duetin tonë ‘A don hala’… Dije se ti nuk je prezent vetëm aty, ti je kudo në album. Nga fillimi deri në fund. Ashtu si që ishe me mua nga fillimi deri në publikimin e albumit. Nuk mjaftojnë fjalët për të të thënë faleminderit dhe për të shpreh mirënjohjen që kam për ty si artist dhe si mik! Të faleminderit që më binde se gjithato, që i kam brenda (e për të cilat ta kam lodh kryt ditë e natë), duna me i derdh n’kang! Të faleminderit për pjekurinë artistike! Të faleminderit që ishe pjesë e albumit! Të faleminderit që i dhe koncertit nur të veçantë! Të faleminderit që më ke duru! Të faleminderit që të kam! “, shkruante Tuna për Yllin në “Instagram”.
Nuk mungoi as Ylli me dedikimin e tij, ndërsa u shpreh: “’A don hala’ me Tuna Sejdiu për krejt ju që keni dhanë ç’ka keni pas, e në emër të dashnisë”, ka shkruar Ylli. Në vargjet e këngës Ylli i thotë Tunës: “A ka mbetë diçka që s’ta kam dhanë? Kudo preke, shenjë më ka mbetë”, ndërsa artistja ia kthen: “Kjo dashni s’e pat dorën e lehtë, nuk e paska as këmbën e mbarë!”.
Theksojmë se ende pa u bërë 24 orë nga publikimi, kënga numëroi mbi gjysmë milion klikime në “YouTube”, ndërkohë që pjesë e skenave të albumit “Fortuna” u bë edhe burri i saj aktual Patrisi, të cilit i dha një puthjen në buzë duke performuar.
TUNA DHE YLLI, HISTORIA MË INTRIGUESE E SHOWBIZ-IT NË 2016-ËN
Kjo marrëdhënie e re e Tuna Sejdiut me Ylli Limanin në verën e 2016-s nisi vetëm pak muaj pas ndarjes së saj nga reperi Cozman, me të cilin pati një lidhje të fuqishme, që u shoqërua edhe me bashkëpunime të suksesshme.
Gjithsesi, mediat shkruanin se për Tunën ka gjithmonë një mashkull tjetër që ia zë vendin atij që iku, pasi ajo gjithmonë suksesin e kërkon çift. Dhe ky ishte Ylli Limani, këngëtari nga Prishtina që sapo kishte kapërcyer të 20-at dhe shumë i talentuar për baladat e tij. Edhe pse me 10 vite diferencë, ata dukej se e kishin gjetur veten shumë mirë te njëri-tjetri.
Ata e hapën vetë lojën e thashethemeve me disa foto në mesnatë në një club nate, ku Ylli e prekte Tunën në pjesë intime, ndërsa ajo kishte veshur një veshje rrjetë të zezë. Tuna vazhdonte të ishte ende aktive në mbrëmje e koncerte të ndryshme ,brenda dhe jashtë vendit.
Nga ana tjetër, edhe Ylli Limani me projektet e reja, që solli 3 vite më parë, ia arriti të rezervonte shumë data koncertesh gjatë këtij sezoni artistik. Kjo konsiderohej lëvizja e re Tunës, e cila e kërkonte gjithmonë dashurinë paralel me suksesin profesional, pasi ajo gjithmonë mbështetet te bashkëpunëtorët meshkuj.
Tuna hyri në tregun muzikor në vitin 2000 në gjinitë pop, R&B, hip-hop, dance-pop. Ndërsa Ylli Limani është djali nga Prishtina, që lëvron muzikën pop. Ai u bë i njohur për publikun pas paraqitjes së tij dhe suksesit në edicionin e parë të talent show-t “The Voice of Albania”, në nëntor të vitit 2011, kur ishte vetëm 17 vjeç./panorama plus