Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve dhe Policinë e Shtetit, nisën sot një aksion, i cili do të shtrihet në të gjithë vendin, për parandalimin e lëvizjes së kafshëve të pamatrikulluara e te paregjistruara, për kontrollin e kushteve në tregje dhe makinat e transportit të kafshëve.
Që në orën 04.00 të ditës së sotme, Zëvendësministri i Bujqësisë, Roni Telegrafi, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Bujqësore, Flamur Laze dhe Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë, Edi Fero, përfaqësues të Drejtorisë së Kontrollit të Automjeteve dhe të Policisë së Shtetit, ndërmorën një aksion në tregun e kafshëve të gjalla në Tapizë (Fushë Krujë), ku verifikuan të gjithë lëvizjen e kafshëve të gjalla në këtë treg, regjistrimin e tyre, matrikullat, si dhe mjetet e transportit të tyre, nëse kishin autorizime.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar, Fero, deklaroi se ky aksion do të vazhdojë në të gjitha qarqet e vendit, ndërkohë iu bëri thirrje fermerëve, që të mos ndërmarrin iniciativa për lëvizjen e kafshëve pa matrikull, pasi ato do të sekuestrohen.
“Iu bëj thirrje fermerëve, që të matrikullojnë çdo kafshë. Nëse gjenden të papërgatitur, pasi kjo gjë nuk u është kërkuar më parë, të drejtohen pranë Drejtorive të Bujqësisë në rrethet e tyre dhe të kërkojnë matrikullimin, gjë që po ecen edhe aktualisht me ritme të shpejta. Ndërkohë, transportuesit e kafshëve të mos lëvizin, nëse automjetet e tyre nuk janë të autorizuara e certifikuara nga specialistët për një shërbim të tillë. Ndërsa pronarët e tregjeve, privatë apo pushtet vendor, të marrim masa për përmirësimin e kushteve në to”, theksoi Fero.
Tregtarëve në tregun e Tapizës u është kontrolluar i gjithë dokumentacioni shoqërues i kafshëve, me qëllim ndjekjen dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së tyre, përfshirë edhe regjistrin e vaksinave të kafshëve për brucelozë etj. Nga kontrolli i sotëm janë verifikuar disa raste të lëvizjes së kafshëve pa matrikull, të disa automjeteve të pacertifikuara për lëvizjen e tyre, ndërkohë që janë paralajmëruar se, nëse do të konstatohen të tilla probleme në ditët në vazhdim, kafshët pa matrikull dhe automjetet e paautorizuara për transport kafshësh, do të sekuestrohen. /ma.me