Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi shpalljen të fajshme të Marjana Cmetës për vrasjen e vjehrrës së saj dhe dënimin me 35 vite burg.
Në seancën e zhvilluar dje, prokurori Besnik Muçi, duke iu referuar provave dhe dëshmive, tha se Cmeta ka vrarë Lirje Lamin, duke i hedhur fostoksinë në pije dhe më pas, e ka mbytur atë, ndërsa prova më e fortë është rrëfimi i të resë për hoxhën, Hysen Shehu, ku tregon për ngjarjen.
Ka qenë kjo video që pas disa muajsh nga ngjarja ka rihapur hetimet dhe ka vënë në lëvizje Prokurorinë për Krime të Rënda. Ndërkohë, vetë Marjana Cmeta, pavarësisht se rrëfen para hoxhës krimin e rëndë, në Gjykatë nuk e ka pranuar atë.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë, gjatë momentit që ndodhi ngjarja, në banesë kanë qenë vetëm viktima dhe autorja e dyshuar, Marjana Cmeta, e cila në dëshminë e dhënë para hetuesve nuk e ka pranuar krimin dhe ka thënë se ishte në gjumë gjatë gjithë kohës dhe kur është zgjuar ka gjetur në gjendje të rëndë vjehrrën e saj.
Por këto deklarime, nuk ishin bindëse për hetuesit, në kushtet kur në trupin e viktimës, e konkretisht në fytyrë dhe kokë, i janë gjetur shenja, si ato të kafshimit, apo dërrmishje.
Shenja këto, që tregonin për një përleshje të Lirije Lamit, me personin që e kishte vrarë. U deshën rreth 1 vit nga shënimi i procedimit penal për vdekjen, që të zbardhej vrasja në familje dhe kjo u bë e mundur nga një regjistrim i bërë nga hoxha Hysen Shehu. Ky i fundit, gjatë kohës që Marjana Cmeta ka rrëfyer krimin, e ka regjistruar.
“Provohet tej çdo dyshimi se shtetasja Marjana Cmeta në datën 30 prill 2017 gjatë kohës që ka qenë në banesën e saj së bashku me të vjehrrën, viktimën Lirije Lami, i ka ofruar të pijë një lëng frutash, në të cilin kishte hedhur një tabletë fostoksinë dhe se këtë helm e kishte marrë që më parë dhe e kishte ruajtur për të realizuar këtë vepër e për ta bërë që të dukej si vetëhelmim. Më pas, duke parë që viktima nuk po ndërronte jetë, ajo ka kryer dhe veprime fizike duke e mbytur me shall dhe pas reagimeve të viktimës e ka kafshuar në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Më pas ka njoftuar vëllanë e burrit të viktimës, banesa e të cilit ka qenë pranë dhe e kanë transportuar për në spital duke e paraqitur si të vetëhelmuar. Edhe në deklarimet e para, kjo shtetase ka mohuar që të ketë kryer krimin, duke dhënë alibinë se viktima gjatë kohës që ka qenë në banesë, ka qëndruar për rreth një orë në një dhomë tjetër. Kur ka shkuar e ka parë shtrirë dhe në gjendje të rëndë, ka njoftuar të afërmit dhe e kanë dërguar në spital”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Cmeta për videon: Më duket si histori e dikujt tjetër
Në dëshminë e dhënë para Gjykatës, Marjana Cmeta mohon të ketë vrarë vjehrrën e saj, duke pranuar që kishin pasur një debat, por më vonë ka qenë në gjumë. Sa i takon rrëfimit në videon që zgjat 78 minuta dhe që Prokuroria ka dorëzuar para Gjykatës, Cmeta tha se nuk mbante mend asgjë të tillë dhe se hoxhë Hysen Shehu i kishte dhënë asaj një hudhër kur kishte shkuar dhe atë mund ta kishte zënë gjumi.
“Duket sikur po dëgjoj historinë e dikujt tjetër”, tha ajo kur u pyet nëse e kishte parë videon.
“Pas debatit, jemi ndarë dhe unë shkova në dhomën time, gjatë kësaj kohe kam dëgjuar zhurmë në shtëpi, por nuk kam parë se çfarë ndodhi. Dola pak më vonë dhe pashë që ishte shtrirë në krevatin e saj, u futa sërish në dhomën time dhe kur po shkonte ora 12, m’u duk e çuditshme që nuk kishte ikur. Dola të kontrolloja dhe pashë që ishte përtokë në krah të krevatit”, vazhdoi më tej Cmeta./ panorama
g.kosovari