Ky është Kujtim Rexhepi, pronari i magazinës së drogës në Derven të Krujës, ku policia gjatë kësaj jave ka gjetur plot 1.3 tonë kanabis. Kujtim Rexhepi pranoi sot në gjykatë se droga dhe magazina ishin të tijat, duke marrë përgjegjësi të plotë për to.
“Personat që u arrestuan me mua të tavolinë kur ishim në lokal nuk kanë asnjë faj”- ka thënë ai, duke kujtuar 3 anëtarët e fisit Gjokeja dhe Nilson Gegës që sipas tij ishin rastësisht me të në lokal.
Rexhepi pranoi se i paguante 15 mijë lekë të vjetra punëtorëve, që sipas tij vuajnë për bukën e gojës dhe nuk kanë pse të dënohen.
“Nëse çdo njeri që është me mua do të arrestohet, atëherë i bie sikur jemi në kohën e Enver Hoxhës”- ka thënë ai.
Përpara tij Gjykata e Krimeve të Rënda la në “burg pa afat” Gjovalin Gjokean dhe Nilson Gegën. Gjatë seancës pati debat mes avokatit mbrojtës të Rexhepit dhe trupit gjykues, pasi avokati pretendon se ka probleme në procesverbale. Por gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën ‘arrest me burg’ për Kujtim Rexhepin.
Gjatë operacionit në fshatin Derven u arrestuan Erjon Vathi, Ferit Sula, Ali Kuçi, Ersaldo Nikolla, Besmir Vathi, Erald Bardhoku, Kujtim (Valentin) Rexhepi (Smykalova), Gazmir Gjokeja, Nilson Gega, Gjovalin Gjokeja, si dhe Aurel Gjokeja. Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi sot masën “arrest me burg” për 6 prej të arrestuarve.