Përpos gjelbërimit dhe ajrit të pastër, kodrat e Liqenit Artificial ofrojnë edhe një hapësirë plot ngjyra për vizitorët. Pas qilimit të parë dekorativ që tërhoqi jo pak vëmendjen e qytetarëve, shkallët e digës së liqenit janë “veshur” me një tjetër dekor plot ngjyra.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri së bashku me Dekor Tirana dhe stafin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, kanë lyer qilimin me motive folklorike tek shkallët që zbresin nga diga e liqenit deri tek një prej rrugëve hyrëse në park.
“1001 ngjyrat e Tiranës!🌈 Edhe këtë vit, Peace Corps Albania bashkë me ekipet e parqeve dhe dekorit, shtruan qilimin me motive popullore te shkallët e digës!”, shkruan kryebashkiaku Veliaj në rrjetin social “Facebook”, teksa sjell edhe foto nga puna fantastike e të rinjve.
Ata gjithashtu kryen dhe një aksion pastrimi përreth kësaj zone, pasi është një ndër vendet që vizitohet shumë nga qytetarët e gjithë grupmoshave, si dhe është edhe “mushkëria e kryeqytetit”.