Një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Antverp të Belgjikës, Gabriel C., i njohur me pseudonimin ‘Gishtat e gjatë’, inskenoi vdekjen e tij për të shpëtuar nga hakmarrja e mafias shqiptare.
Lajmi bëhet me dijeni nga gazeta belge Nieuws Blad. 32-vjeçari bëri gjithçka të dukej si një vrasje e vërtetë, nisur që nga plagët e shumta në trup e deri te mbishkrimi në gjoks “Hajdut”.
Pas hetimeve u zbulua se gjithçka ishte një inskenim i përgatitur nga një grimier profesionist. Edhe në tetor të këtij viti, Gabriel C. inskenoi vdekjen e tij, duke përhapur një certifikatë nga policia e Gambias, ku thuhej se ai ishte mbytur në një liqen.
Sipas portalit 7sur7, mendohet se Grabriel i ka vjedhur një sasi të konsiderueshme kokaine mafias shqiptare. Në total flitet për të paktën 1500 kg kokainë. Sipas 7sur7, urdhri për ekzekutimin e tradhtarit u dha menjëherë dhe prej atëherë, kanë ndodhur një seri sulmesh, ku në banesën e prindërve të Gabriel C. është hedhur një granatë.
Ndërkohë dhëndri i tij u qëllua me plumb në stomak një ditë më pas. Hakmarrja vazhdoi edhe më vonë kur u hodhën dy granata në një bllok apartamentesh ku mendohej se fshihej Gabriel C.
Këtë javë filluan të qarkullojnë foto duke treguar një burrë që dukej se ishte C. i torturuar deri në vdekje. Por ishte policia që tha se fotot ishin false. Sipas De Standaard, fotot janë të vërteta, dhe personi aty është me të vërtetë Gabriel C., por plagët në trupin e tij, në dukje fatale, janë false, sipas katër mjekëve që studiuan imazhet, përfshirë një patolog mjekoligjor.
Plagët që duken në foto ka shumë të ngjarë të kenë lidhje me punën e një artisti profesionist, shkruajnë mediat e huaja.



g.kosovari











