Një eksplorues urban ka vizituar burgun famëkeq të Shtetit Lindor, në Filadelfia PA. Ndërtesa në fjalë ishte shtëpia e disa prej të dënuarve më të dhunshëm dhe të shthurur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë Al Capone.
Në 142 vitet e funksionimit të monolitit solemn me tulla, ky burg ka parë raste të panumërta torturash, izolimi, sëmundjesh, vrasjesh dhe çmendurie.
Ndërkohë eksploruesi misterioz, i cili nuk dëshiron që t’i zbulohet emri, ka kaluar orë të tëra në burgun e lagësht, duke parë muret e prishura, mobiliet e braktisura e të thyera dhe qelitë e ngushta.
“Kam kaluar rreth tre orë brenda Shtetit Lindor duke eksploruar qeli në qeli dhe duke fotografuar gjithçka, nga muret e shkatërruara e deri te stolat dhe shtretërit e thyer. Madje u ula brenda një qelie për një kohë të mirë duke imagjinuar se çfarë do të kishin ndier të burgosurit”, ka thënë ai.
Ndër të dënuarit e burgut ishin bosi i mafias së Çikagos, Al Capone dhe “Slick Willie” Sutton, një nga grabitësit më të famshëm të bankave në historinë amerikane.
Ndërsa ishin brenda, të burgosurit do të përballeshin me dënime të tmerrshme si një banjë me ujë – ku i zhytnin dhe më pas i varnin në një mur derisa të formohej akulli në lëkurën e tyre.