Një 37-vjeçar, i dënuar dy herë më parë për trafik droge dhe vjedhje të kryer në bashkëpunim, është kapur në flagrancë mbrëmjen e së shtunës kur po tentonte të vidhte navigatorin e një automjeti të parkuar në rrugën “Myslym Shyri”.
I arrestuari është Ervin Tavanxhi, djali i ish-deputetit të PD-së, për legjislaturën 1992- 1996, Kozma Tavanxhi. Por më shumë se djali i një ish-deputeti, për Policinë ai është i njohur për të shkuarën e tij kriminale, kryesisht si pjesë e grupit të drogës “Poter Al”.
Policia tha dje zyrtarisht se, Tavanxhi, përveç vjedhjes që po tentonte të kryente, të cilën nuk e realizoi dot pasi u kap në flagrancë, akuzohet edhe për të paktën 4 vjedhje të tjera. Ai vidhte kryesisht aksesorë të ndryshëm automjetesh, pasqyra e navigatorë. Në momentin e arrestimit atij iu gjetën edhe “mjetet”, që përdorte për të realizuar vjedhjet, një kaçavidë dhe një grup me 7 çelësa.
TRAFIKU I DROGES
Ervin Tavanxhi, dikur ishte trafikant droge ndërsa tani kishte përfunduar duke kryer vjedhje navigatorësh automjetesh. Historia kriminale e djalit nga Elbasani, me banim të Tiranë, u zbulua fillimisht më 23 maj të vitit 2006, kur u arrestua bashkë me 6 persona të tjerë gjatë operacionit të koduar “Poter Al”.
Një operacion policor që u zhvillua njëkohë- sisht në 4 qytete, Tiranë, Elbasan, Durrës e Vlorë, ku u angazhuan 32 efektivë policie dhe që u konsiderua si një ndër më të suksesshmit.
Si pjesë e këtij grupi, Tavanxhi, në atë kohë 26 vjeç, u dënua me 10 vjet heqje lirie. Grupi “Poter Al”, kishte shtrirë veprimtarinë e jashtëligjshme të trafikut të drogës në Itali, por edhe në vende të tjera perëndimore si, Holanda, Franca e Gjermania.
Dy prej anëtarëve të këtij grupi nuk jetojnë më. Pasi përfunduan dënimin, duke rifituar lirinë, ata u ekzekutuan në Tiranë. Fillimisht Aleksandër Koliçi e më pas Bledar Balliu.
VJEDHJET
Pasi përfundoi dënimin për trafik lëndësh narkotike, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, Ervin Tavanxhi, vendosi të ndryshonte “fushën” e veprimtarisë kriminale. Më 6 shkurt të vitit 2015, ai u rikthye sërish në qeli, pasi ishte shpallur person në kërkim nga Policia, i akuzuar për vjedhje në bashkëpunim.
Gjykata e Apelit të Tiranës e kishte dënuar atë me 1 vit e 2 muaj heqje lirie. Por duket se Tavanxhi ende nuk ka hequr dorë. Mbrëmjen e së shtunës përfundoi sërish në pranga, po për vjedhje.
Policia e Tiranës tha se me arrestimin e tij u arrit zbardhja e disa ngjarjeve të ndodhura në territorin e Komisariatit nr.3, kryesisht vjedhje pasqyrash automjetesh, navigatorësh, baterish e pjesësh të tjera.
Deri tani janë dokumentuar edhe 4 ngjarje që dyshohet të jenë realizuar prej tij, përveç vjedhjes që i mbeti në tentativë, pasi u arrestua në flagrancë nga Policia.
VJEDHJET
1. Më datë 23 dhjetor, në rrugën “Myslym Shyri”, ka tentuar të vjedhë navigatorin e mjetit “Benz”
2. Më datë 12 dhjetor, në “Rrugën e Bogdanëve”, ka vjedhur pasqyrat e një automjetit “Benz”
3. Më datë 24 tetor, në rrugën “Vangjush Furxhi”, ka vjedhur pasqyrat e mjetit “Benz”
4. Më datë 23 gusht, në rrugën “Myslym Shyri”, ka vjedhur aksesorët dhe navigatorin e mjetit “Benz”
5. Më datë 23 gusht, në rrugën “Myslym Shyri”, ka vjedhur aksesorët dhe navigatorin e mjetit “Golf”