Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi mori pjesë sot në Forumin për Sigurinë të organizuar nga Kongresi Amerikan, ku mbajti një fjalë mbi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rëndësinë e rritjes së investimeve në mbrojtje.
Në fokus të diskutimeve ishin çështjet e sigurisë në kontekstin global e rajonal, sfidat e reja gjeopolitike dhe bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, në përputhje me qëndrimet dhe prioritetet strategjike të SHBA-së dhe NATO-s.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari Peleshi theksoi se Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA dhe një anëtare e denjë dhe aktive e NATO-s, e cila është e vetëdijshme dhe mban mbi supe barrën e saj të sigurisë. Ai vuri në dukje se Shqipëria ka rritur investimet në mbrojtje në 2.12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një trajektore të qëndrueshme rritjeje në vitet në vijim, në përputhje me angazhimet e aleatëve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurisë kolektive.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se partneriteti Shqipëri-SHBA nuk është transaksional, por strategjik, afatgjatë dhe i bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Ai theksoi rolin aktiv të Shqipërisë si partnere operative, kontributin në misione ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e modernizimit të forcave të armatosura dhe sigurisë kibernetike.
Në fjalën e tij, Peleshi vuri theksin edhe te rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si një hapësirë gjeopolitike të ndjeshme ndaj kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, çka kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe koordinim të ngushtë me aleatët. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Forumi mblodhi drejtues komisionesh të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, senatorë e kongresmenë, përfaqësues të lartë të sigurisë, parlamentarë dhe qeveritarë nga vendet e Europës dhe të rajonit si dhe personalitete të larta ushtarake të SHBA-së etj.
Në përfundim, Kryetari Peleshi ritheksoi se Shqipëria nuk kërkon përfitime pa kontribut, por synon të forcojë partneritetet strategjike mbi bazën e përgjegjësisë, besueshmërisë dhe veprimit konkret, duke e konsideruar sigurinë një investim thelbësor për paqen dhe stabilitetin afatgjatë.











