Brenda 4 majit duhet të dorëzohen formularët nga funksionarët publikë, pas botimit në Fletoren Zyrtare të ligjit “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Ligji u miratua nga parlamenti më 4 mars. Dhe ashtu siç saktësohet edhe në ligj, “Funksionarët publikë, që janë subjekt i neneve 2 dhe 3, të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, që janë aktualisht në detyrë, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi janë të detyruar të depozitojnë formularin e vetëdeklarimit pranë organit përgjegjës, të përcaktuar në kreun II të këtij vendimi. Çdo formular vetëdeklarimi regjistrohet në regjistër me një numër unik identifikimi, si dhe ruhet e dokumentohet në rrugë elektronike, shkruan Gazeta Shqiptare.
Nëse konstatohet se formulari i vetëdeklarimit është i paplotësuar apo pjesë të caktuara të tij janë të paplotësuara, struktura apo personi përgjegjës njofton subjektin dhe ia kthen atë mbrapsht, duke i caktuar edhe afatin e ri 5-ditor, brenda të cilit duhet të dorëzohet pa të meta. Nëse subjekti nuk dorëzon formularin e vetëdeklarimit, të plotësuar sipas konstatimeve fillestare të strukturës apo personit përgjegjës, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Organet përgjegjëse, siç përcakton ligji, brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit, sipas pikës 1 të këtij kreu, bëjnë publike listën e funksionarëve publikë që kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit pranë tyre. Si rregull, në çdo rast organi përgjegjës për administrimin merr masa për publikimin e vetëdeklarimeve në faqen zyrtare të tij në internet. Brenda 5 ditëve nga skadimi i afatit, sipas pikës 1 të këtij kreu, organi përgjegjës evidenton funksionarët publikë që nuk kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit. Në këtë rast, organi përgjegjës e trajton këtë rast si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik.
Brenda 3 muajve nga skadimi i afatit, sipas pikës 1 të këtij kreu, organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit është i detyruar të verifikojë të dhënat e deklaruara nga personi dhe kryen të gjitha veprimet dhe procedurat e parashikuara në kreun V të këtij vendimi. Ndërkaq, po sipas vendimit, Prokuroria e Përgjithshme kryen verifikimet për funksionarët publikë aktualë, sipas të njëjtave rregulla të parashikuara në kreun V të këtij vendimi. Brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, organi përgjegjës zbaton procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra, sipas nenit 15, të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
FORMULARI I VETËDEKLARIMIT DORËZOHET DHE ADMINISTROHET NGA:
- a) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për funksionin e:
- i) Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
- ii) Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave që nuk është deputet.
iii) Kryetarit të bashkisë apo këshilltarit në këshillin bashkiak.
- b) Prefekti, për kandidatët në funksione publike që emërohen nga këshillat bashkiakë ose të qarkut.
- c) Kryetari i Kuvendit, për drejtues apo anëtarë të organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj që
zgjidhen nga Kuvendi.
ç) Titullari apo organi që bën emërimin, për drejtues ose anëtarë të organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj që nuk zgjidhen nga Kuvendi.
- d) Organi përgjegjës për emërimin, transferimin dhe ngritjen në detyrë, për gjyqtarët ose prokurorët.
- dh) Presidenti i Republikës, për:
- i) Përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat Ndërkombëtare.
- ii) Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit.
iii) Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve.
- iv) Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore.
- v) Çdo funksionar tjetër publik të emëruar prej tij, me përjashtim të kryeministrit dhe anëtarëve të
Këshillit të Ministrave.
- e) Kryeministri, për zëvendësministrin, për pozicione të njëvlershme me të, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit apo prefektin.
ë) Titullari apo organi që bën emërimin, për funksionarët politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të krijuar me ligj.
- f) Drejtuesi i Shërbimit Informativ Shtetëror apo drejtuesi i çdo shërbimi tjetër informativ, për punonjësit pranë këtyre shërbimeve.
- g) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për punonjësit e Policisë së Shtetit.
- gj) Departamenti i Administratës Publike, për nëpunës në shërbimin civil dhe shërbimin diplomatik, si dhe drejtues të çdo niveli në administratën publike të nivelit qendror dhe vendor që nuk përfshihet në shërbimin civil.
- h) Ministri i Mbrojtjes, për ushtarakët e Forcave të Armatosura.
- i) Ministri përgjegjës që ka nën përgjegjësi shoqërinë tregtare, për drejtuesit e kompanive që zotërohen plotësisht apo në maxhorancë ose administrohen nga shteti.