Forcat e Armatosura hapin dyert për të rinjtë e shkollave të mesme që ditët e verës t’i kalojnë pranë për të parë nga afër dhe për t’u bërë pjesë e përditshmërisë së burrave dhe grave në uniformë.
Grupi i parë i të rinjve u mirëpritën në mjediset e garnizonit të Forcës Tokësore në Zall – Herr ku përgjatë një jave u bënë pjesë e Forcave të Armatosura në kuadër të misionit të posaçëm “Rini – Talent – Mundësi – Dinjitet”.
Të rinjtë pjesëmarrës u përshëndetën nga ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Lindita Nikolla.
Ministrja e Mbrojtjes përgëzoi të rinjtë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet 1-javor, duke i ftuar ata të marrin në konsideratë të ardhmen në Forcat e Armatosura.
“Sot ne kemi pothuajse 300 vetë që punojnë në shtabet e NATO-s dhe në organizatat e tjera të Sigurisë dhe Paqes me të cilat ne bashkëpunojmë në të gjithë botën. Kemi atashe ushtarak në 10 vende të NATO-s, kemi njerëz jashtëzakonisht shumë që punojnë jashtë kufijve të vendit tonë, sigurisht duke përfaqësuar Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Është një karrierë që të jep mundësinë që të rritesh dhe të përparosh mjafton që të duash të ecësh përpara.”- u
shpreh ministrja Xhaçka, e cila theksoi mundësitë që ofrojnë Forcat e Armatosura për çdo profesion.
“Një profesionist i mirë nuk është vetëm një ushtar i mirë, një profesionist i mirë mund të jetë nga një efektiv xhenio, mund të jesh edhe një jurist shumë i mirë në FA, mund të jesh edhe një ekonomist shumë i mirë në FA, mund të jesh edhe një financier shumë i mirë në FA, mund të jesh një mjek shumë i mirë, mund të jesh një infermier, mund të jesh gjithçka. Dhe kam përshtypjen dhe këtë e dëshmon çdokush që e ka një formim ushtarak, disiplina që përfitohet në ushtri është ajo që i duhet gjithkujt për ta pasur si çelës suksesi në jetë.”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Ministrja Nikolla e vlerësoi si shumë të vyer këtë program, që do t’i shërbejë edhe qëllimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për këshillimin e karrierës.
“Këta djem e vajza që bashkë me mua sot kemi vendosur kapelën e një efektivi të FA, e shumë të tjerë që në të ardhmen do t’i bashkëngjiten kësaj eksperience, jam e sigurt që në fund do të thonë që ishte një ndër ndjesitë më të mira që arsimi dhe shkolla kanë ofruar. Unë jam e lumtur gjithashtu që këta të rinj dhe të reja kanë fatin që të bëjnë sot atë që është misioni edhe i Ministrisë së Arsimit, për të këshilluar karrierën e tyre se sigurisht ju e thatë dhe unë doja ta përforcoja që ju do të njiheni këto ditë jo vetëm me mundësitë shumë të mëdha që ka karriera juaj në FA, ndoshta nesër për dikë nga ju apo për shumë nga ju do të jetë edhe zgjedhje.”- u shpreh ministrja Nikolla.
Grupi i parë i të rinjve u vu nën drejtimin e instruktorëve të Forcave Komando dhe Forcave Speciale, ku u bënë pjesë e stërvitjeve bazë të dy reparteve elitë të Forcave të Armatosura. Të rinjtë praktikuan hedhjen nga kulla e alpinizmit, mësymjen në banesë, patrullim në zonat e banuara dhe përballje me protestues të dhunshëm.
Gjithashtu, ata vizituan edhe Muzeun e Forcave të Armatosura që ndodhet në mjediset e garnizonit “Skënderbej”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Programi “rini – talent – mundësi – dinjitet”, është konceptuar si një shkolle verore për të rinjtë pranë strukturave të Forcës Tokësore, Detare dhe Ajrore të Forcave të Armatosura shqiptare.
Nëpërmjet mësimeve teorike dhe trajnimit praktik në terren, gjimnazistët do të kenë mundësinë të marrin njohuri mbi mënyrën se si funksionon jeta ushtarake, si punohet në një garnizon ushtarak, njohuri mbi përdorimin e armëve, përgatitje fizike, bazën ligjore ku mbështeten dhe funksionojnë Forcat e Armatosura etj.
a.ç










