Për dekada, vendi i vogël mesdhetar, Shqipëria, ishte një nga vendet më të izoluara politikisht në botë. E vendosur mes Kosovës dhe Malit të Zi, në veri, dhe Greqisë, në jug, nga vitet 1990, izolimi i vendit i pas Luftës së Dytë Botërore kishte filluar të lehtësohej duke i lënë vendin një epoke të paprecedentë të hapjes dhe mundësive ekonomike të stilit perëndimor, shkruan Bruce Dorminey për ”Forbes”.
Megjithatë, ndryshimet e fundit klimatike, shoqëruar me një fluks të madh turistësh të etur për të bërë banja dielli në bregdetin e bollshëm të Shqipërisë, po komplikojnë të ardhmen e vendit.
Kjo për shkak se aplikimi i Shqipërisë për hyrje në Bashkimin Evropian është pjesërisht i kushtëzuar nga respektimi i rregulloreve strikte të BE-së për mbrojtjen e mjedisit.
Në rrezik nuk është vetëm anëtarësimi në BE, por potencialisht humbja e miliarda dollarëve ndihma që mund të pasojnë.
Megjithatë, një gjeografe vendase nga Universiteti i Tiranës shpreson se Shqipëria mund të zbusë me sukses efektet e ndryshimeve klimatike në nivel lokal duke bindur BE-në se është një lojtare e ekipit mjedisor.
Kjo është e gjitha, por pa sakrifikuar rritjen e qëndrueshme ekonomike.
”Ndryshimet klimatike janë problem për Shqipërinë. Shirat e dendur shkaktojnë përmbytje dhe valët e të nxehtit shkaktojnë periudha të gjata thatësire që prekin jetën e njerëzve dhe ekonominë”, thekson Sonila Papathimiu, gjeografe në Universitetin e Tiranës në Shqipëri.
”Ndryshimet në temperaturë dhe reshje kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në bujqësi, veçanërisht në ultësirën perëndimore, të cilat kanë një klimë më mesdhetare”, thekson ajo.
”Satelitët dhe teknologjia GIS (Sistemi i Informacionit Gjeografik) ofrojnë të dhëna në kohë reale gjatë përmbytjeve ose zjarreve në pyje, ose mbi shpërndarjen e reshjeve, ashpërsinë e thatësirës dhe gjithashtu ndihmojnë në përmirësimin e reagimit dhe planifikimit ndaj fatkeqësive”, shton Papathimiu.
”Të dhëna të tilla gjithashtu lejojnë vlerësimin e ndryshimeve në vegjetacion përmes metrikave të tilla si Indeksi i Vegjetacionit të Diferencës së Normalizuar (NDVI). Ky indeks NDVI ndihmon për të kuptuar se si ndryshimet klimatike ndikojnë në produktivitetin bujqësor dhe ekosistemet natyrore në Shqipëri”, thekson Papathimiu.
Analizimi i ndryshimeve në përdorimin e tokës gjithashtu ndihmon në zbulimin dhe kuptimin e modeleve të urbanizimit, shpyllëzimit dhe degradimit të tokës, të cilat janë intensifikuar për shkak të ndryshimeve klimatike.
Një pikë e nxehtë biodiversiteti
Pellgu i lumit Vjosa, një gur themeli i burimeve të bollshme natyrore të Shqipërisë, kërcënohet si nga ndryshimet klimatike, ashtu edhe nga shtetas të huaj që nxitojnë të ndërtojnë shtëpi pushimi pranë plazheve të njohura jugore të vendit.
Vjosa është vetëm një nga nëntë të ashtuquajturit “lumenj të egër” në Evropë, që do të thotë se lumi mbetet në drejtimin e tij natyror.
Delta e Vjosës dhe Laguna e Nartës aty pranë kontribuojnë në pasurinë e saj ekologjike duke krijuar ambient të përshtatshëm për kafshët e egra lokale dhe duke përmirësuar elasticitetin e ekosistemit ndaj ndryshimeve mjedisore.
”Lumi i egër Vjosës është pothuajse në të gjitha degët e tij i paprekur”, thekson Papathimiu dhe kolegët në një punim të vitit 2022 të botuar në Procedurat e Simpoziumit Ndërkombëtar mbi Aplikimet Novatore dhe Ndërdisiplinore të Teknologjive të Avancuara.
”Si të tilla, ato kanë siguruar habitat për mbarështimin e peshqve, shpendëve shtegtarë e të tjerë, theksojnë ata. Lumi është gjithashtu i një rëndësie të jashtëzakonshme për ngjalën evropiane, e rrezikuar në mënyrë kritike.
”Për shkak të dekadave të izolimit të Shqipërisë, mungojnë studimet shkencore dhe informacioni mbi biodiversitetin e pellgut të Vjosës, i cili është një nga më pak të eksploruarit dhe studiuar në Evropë”, shton Papathimiu dhe kolegët.
Pse lumi Vjosa duhet ruajtur?
1 – Ligatinat dhe zonat në të dy brigjet e lumit sigurojnë terrene shumimi për shumë popullata shpendësh dhe habitat të rëndësishëm për vidrën euroaziatike pothuajse të kërcënuar.
2 – Strategjitë për zbutjen e ndryshimeve klimatike përfshijnë marrjen e masave për mbrojtjen dhe restaurimin e ligatinave të cilat janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen nga përmbytjet, biodiversitetin dhe burimet.
3 – Rritja e reshjeve ka shkaktuar edhe shtimin e ujërave të ndenjura në kënetat bregdetare të Shqipërisë. Kjo siguron një terren të përsosur për përhapjen e malaries, kolerës dhe tuberkulozit. Të gjitha këto janë sëmundje nga të cilat Shqipëria shpëtoi rreth 50 vjet më parë.
Megjithatë, Papathimiu thotë se ka alternativa të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike.
Ndërtimi i mbrojtjeve kundër përmbytjeve në zonat e identifikuara si në rrezik përmbytjesh të rënda, bujqësia e qëndrueshme, përdorimi i arsyeshëm i ligatinave dhe turizmi i qëndrueshëm do të ndihmonte. Po kanalet bregdetare?
Një nga zgjidhjet më të thjeshta për të hequr qafe kërcënimin e mundshëm të ujit të ndenjur në ligatinat, mbetet teknologjia e vjetër e ndërtimit të kanaleve.
”Ndërtimi i kanaleve të vogla kënetore bregdetare do të ndihmonte në kullimin e ujit nga përmbytjet rajonale në detin Adriatik, aty pranë”, thekson Papathimiu.
/a.r