Nga Bamir Topi
Politika shqiptare vijon të rrethohet nga kaosi dhe paqartësia. Përballë kësaj situate, Fryma e Re Demokratike ka marrë tashmë vendimin për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
Në cilësinë e ish-kryetarit të shtetit më duhet të pohoj se nuk duhet të luhet me datën e zgjedhjeve dhe afatet kushtetuese. Ajo që ne kërkojmë sot, edhe ne si Frymë e Re Demokratike, janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore. Të mos jetë e ndarë në rajone, në parcela. Të ketë korrektim kombëtar, të rregullohet pragu për partitë politike dhe patjetër të kthehet në seriozitetin minimal që mund të ketë një politika, t’i kthehen stabilitetit institucional.
Kam pasur dhe kam respekt për kauzën e opozitës, është e drejtë e tyre. Nuk bëj komente se për çfarë motivi opozita është futur në protestë, se po të njëjtin motiv e kemi pasur edhe ne, ai për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është e drejta e tyre të kërkojnë “qeveri teknike”, por nuk po i dëgjoj më të thonë se ku është reformimi i Kodit Zgjedhor. Të mos harrojmë, nga 2013-a në 2017-ën nuk janë mbushur ende 4 vjet.
FRD ka qenë e persekutuar edhe nga ata. Kush ka pasur komisionerë, kamikazë të partive politike, kanë persekutuar të drejtën legjitime të FRD për të qenë pjesë e Parlamentit shqiptar. Këto nuk janë imagjinata, nuk janë hipoteza, por gjëra konkrete. Të mos dal pastaj në situata të tjera ku jemi bërë gazi i botës. Ne nuk kemi thënë për të mbivlerësuar rolin e faktorit ndërkombëtar, sepse i kemi në koshiencë të plotë që zgjidhjen e presim nga institucionet e Shqipërisë.
E kam dëgjuar terminologjinë për “qeveri teknike” apo dhe “qeveri besimi”. Kjo është çështje emërtimi, por ajo që nuk konstatoj sot në asnjë element të kësaj marrëdhënie është pikërisht besimi, të cilin nuk e shoh në asnjë vend.
Si mund të ndërtojmë ne një skemë për të pasur besim, kur kredibiliteti ka rënë kudo, ka rënë midis mazhorancës dhe opozitës, ka rënë brenda mazhorancës, midis institucioneve, Kuvendit dhe Presidencës, qeverisë brenda, në komisionet parlamentare.
Nuk besoj, përjashto Maqedoninë që po shkon për arsye të tjera, nuk arrij të kuptoj sesi asnjëherë tjetër në vitet e tranzicionit shqiptar, klima e dialogut politik është më mizerabël se asnjëherë tjetër.
Edhe po të bëj një thirrje për faktorin ndërkombëtar, kam frikë se kjo krizë në standardin e ambasadorëve nuk mund të zgjidhet.
Ndonëse përpjekja e tyre për shumë gjëra ka qenë e vlerësueshme, por sot nuk po dëgjohen më as zërat që vijnë nga institucionet ndërkombëtare.
Atëherë ku po shkojmë? Është e vërtetë dhe kemi dëgjuar gjithmonë me shumë respekt vërejtjet edhe në raportet për çështjet e korrupsionit, korrupsion në të gjitha fushat. Më thoni ku fillon korrupsioni?
Korrupsioni emblematik fillon ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, ose aty ku zyrtarizohet, sepse korrupsioni është në vazhdim me mënyrën e sjelljes së partive politike, mënyrës si funksionojnë, si hartojnë listat, si kanë infiltruar njerëz me profile kriminale në politikë, Parlament dhe shtet, në mënyrën si blihet dhe tjetërsohet vota, në mënyrën si vazhdon ky korrupsion kur një njeri që ka marrë një mandat me një parti tjetër vendos dhe ikën në një parti tjetër.
Situata për hir të së vërtetës, edhe pse çdo njeri tenton ta ekuilibrojë fjalën e vet, situata për aq sa ne e njohim pak, është e rëndë. Situata është e rëndë dhe nuk mjaftohet duke thënë se është e rëndë.
Çdo ditë që ikën shpejton shpejtësinë e rënies në greminë. Dhe s’e kam fjalën këtu thjesht për kolltukët politikë të disa personave, por e kam fjalën për institucionet, për ekonominë, për biznesin, për reputacionin dhe për shumë gjëra të tjera që lidhen me këtë situatë dhe tek e fundit çdo gjë përkthehet në nivelin dhe standardin ekonomik të njerëzve, të cilët sot, për hir të së vërtetës, janë më të çorientuar se kurrë.
Ndërkohë, nga ana tjetër kemi njërin krah të politikës që bën lobingje dhe nxjerrin para për të bërë lobingje, për të paguar njerëz, për të sjellë njerëz që vijnë e flasin për t’i mësuar qytetarëve demokracinë dhe për t’iu bërë grim fytyrave të politikanëve dhe një pjesë tjetër e cila është totalisht e çorientuar, e pret ditën e zgjedhjeve edhe me një lloj inercie nga zgjedhjet e kaluara dhe e kanë shumë të vështirë sot të orientohen tek ideali i tyre. Cili është ideali i tyre?
Kush ua përfaqëson idealin? Apo të shkojnë atje ku ndahen paratë për votat? Dhe dihet, flitet në popull si janë të profilizuara partitë, kush është e pasur dhe kush e varfër. Por, jam i bindur, sado të pasura të jenë partitë politike, kanë pjellë një demokraci super të varfër në Shqipëri.
Dhe fakti është ky, Parlamenti jashtë loje, komisionet parlamentare e kam shumë të vështirë të ndaj nëse janë të sinqertë kur i bëjnë ato debate brenda qeverisë, që shkojnë në komisione, sepse po dëgjojmë akuza nga më të çuditshme dhe në fund fare thonë, e kemi thënë, do të shkojmë në koalicion…Por çfarë projekton ky lloj koalicioni te ndjeshmëria e njerëzve.
Kjo është bërë lojë prestigjiatorësh. Kush perfeksionohet në këto lojëra, ka më shumë shanse për të qenë i suksesshëm në Shqipëri. Kush të mashtrojë më bukur, të jeni të sigurt që e merr votën më bukur. Por kjo nuk është politika jonë. Ne jemi për një politikë të pastër. Ne kemi një program, unë nuk e quaj herezi të kopjosh programin e tjetrit, shumë të mirë, të cilin e kanë huazuar edhe përfaqësues të partive rishtazi, apo të ardhur nga partitë e vjetra. I kam thënë miqve të mi mos u mërzisni, le ta kopjojnë, tregon se programi ynë është i mirë.
Por të mos e përvetësojnë. Duhet të bashkojmë forcat që këtë situatë duhet ta kalojmë. Do thoni ju po kush je ti që e thua këtë? Iu drejtohem këtyre personazheve të politikës se dikush flet nga çadra, dikush tjetër shkon për t’i zgjidhur hallet e këtij vendi nëpër restorante, gjërat e rëndësishme bëhen nëpër zyra.
Mund të kisha dhënë mendim edhe për një institucion tjetër, por nuk e konsideroj institucion mbi palët, sepse të tillë e solli ndryshimi i Kushtetutës. Kështu që, Shqipëria është sot pa arbitër. Ka filluar loja me disa topa dhe nuk i arbitron kush. Prandaj, përsa kohë nuk ka një arbitër të brendshëm, të vijnë dhe ta arbitrojnë ndërkombëtarët.
Unë uroj që lojtarët në fushë të dinë të kuptojnë që gjërat e mira duhet t’i bëjë vetë politika shqiptare, por kjo kohë që po ikën me shpejtësi, nuk garanton asgjë. Sot unë kam merakun e zgjedhjeve, por po flas për stabilitetin e Shqipërisë.
Edhe sikur të mos isha në politikë, një zë do ta kisha për të dhënë alarmin. I bëj thirrje partive politike, të rikthehen tek Komisioni Kushtetues i Reformës Zgjedhore dhe të heqin falangat nga komisionet e administrimit të zgjedhjeve. Fryma e Re Demokratike nuk do të jetë peng i emocioneve të askujt.
Gjithçka tjetër është betejë për karrige dhe ne nuk do të jemi pjesë e kësaj beteje.