Pasiguria që ka sjellë dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian mund të ngadalësojë rritjen ekonomike globale në terma afat-mesëm.
Kështu ka deklaruar, zëdhënësi i FMN’së, Geri Rice, i cili theksoi se pasojat do të bien kryesisht mbi Mbretërinë e Bashkuar.
Zyrtari theksoi se pasojat do të ndihen më shumë në Mbretërinë e Bashkuar si dhe në kontinentin Evropian, por reaksioni zinxhir do të pasojë në të gjithë botën.
Ai shtoi se dalja e paprecedentë e një vendi nga BE-ja ka përcjellë pasiguri edhe në radhët e investitorëve, gjë që mund të sjellë tkurrje të investimeve.
“Unë mund të them se Brexit ka krijuar një pasiguri të theksuar ndaj ne besojmë se kjo situatë mund të ngadalësojë rritjen ekonomike në terma afat mesëm. Nga ky efekt do të preket veçanërisht Britania, por pasoja do të ketë edhe për Evropën si dhe ekonominë globale” ishin fjalët e zyrtarit.
Rice u pyet edhe në lidhje me procesin e daljes së Britanisë nga BE-ja, teksa u shpreh se largimi përfundimtar i shtetit ishullor nga unioni do të krijonte sërish kushte optimale për zhvillim ekonomik.
Megjithatë, ai kërkoi që negociatat të kryen pa sforcime, pasi sipas tij, një marrëveshje e nxituar mund të kërcënojë interesat e të gjithëve. Efektet negative që mund të sjellë e ashtuquajtura çështja ‘Brexit’ mbi ekonominë janë paralajmëruar edhe më herët nga ekspertët.
Shenjat e para u dhanë menjëherë pas referendumit, ku u vunë re rënie drastike të çmimeve në bursa. Gjithashtu monedha britanike shënoi rënie të konsiderueshme përballë dollarit amerikan, referon Zëri. (b.an)