Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e sotme se ditën e hënën fillon vaksinimi i të gjithë stafeve të hotelerisë me dozat kundër COVID-19.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se pas 10 ditësh do të ketë një rritje të numrit të të infektuarve dhe për këtë fajësoi mitingjet e Lulzim Bashës.
“Shpresoj të mos shohim pasojat e kësaj që po bën Lulzim Basha. Do të kemi pasoja dhe rritje të infektimeve shumë shpejt. Mendoj se pas rreth 10 ditëve se bisedoj me ekspertët, mund të fillojmë të shikojmë rritje, do të ketë një rritje, shpresoj të mos jetë e lartë” tha ai te Vizion plus.
Në datë 18 Prill do të inaugurohet aeroporti i Kukësit, por fluturimi nga Londra do të jetë simbolik. Edi Rama tha se aeroporti i Kukësit për të qenë funksional kërkon edhe pak muaj kohë.
“Aeroporti ka përfunduar. Aeroportet gjithmonë kur përfundojnë bëjnë fluturimin simbolik, 1, 2, 3 fluturime dhe pastaj futen në fazën e certifikimit ndërkombëtar duke marrë gjithë licencat, etj.
Cdo aeroport i ri ka një fazë disa mujore të certifikimeve dhe lidhjeve, të regjistrimeve në të gjithë rrjetin e aeroporteve dhe do të jetë funksional unë besoj brenda pak muajve dhe ndërkohë kanë filluar kontratat, do të jetë një histori e madhe suksesi” tha ai./ b.h