Fundjava ka sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve në Pikën Kufitare të Morinit, ku shumë qytetarë nga Kosova po hyjnë në Shqipëri për të kaluar pushimet verore. Sipas autoriteteve kufitare, qarkullimi në të dy anët e kufirit ka qenë i lartë, me një numër të madh udhëtarësh dhe automjetesh që kanë kaluar gjatë ditës. Destinacioni më i preferuar vazhdon të jetë bregdeti shqiptar, ndërsa shumë pushues kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën ose ditët e pushimit pranë detit.
“Shkojmë në Shëngjin dhe jemi shumë të kënaqur” u shpreh një turist.
Për të përballuar fluksin, në Pikën Kufitare të Morinit janë marrë masa për përshpejtimin e procedurave të kontrollit, duke mundësuar kalim më të shpejtë dhe duke shmangur radhët e gjata. Autoritetet presin që lëvizjet të mbeten intensive edhe në ditët në vijim, pasi sezoni turistik ka hyrë në periudhën e tij më të ngarkuar dhe interesi për bregdetin shqiptar vazhdon të rritet.











