Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, nuk është dakord me opozitën se në Shkodër po fshihen rastet me të prekur nga Covid-19. Përgjigjen e saj për demokratët e dha gjatë një interviste me Skype në Report Tv, ku tha se edhe ato raste që janë zbuluar kanë ardhur si pasojë e punës së shërbimit epidemiologjik.
Për Rakacollin, të infektuarit do të ishin me mijëra në Shqipëri, nëse qytetarët nuk do të kishin sakrifikuar për veten dhe familjen e tyre.
Numri 2 i Shëndetësisë në Shqipëri dha edhe detaje për gjendjen e të shtruarve tek spitalet Coivd, ndërsa shtoi se e dhënë positive, përveç numrit të të infektuarve që relativisht po bie, është edhe gjendja e atyre që janë në trajtim spitalor, për të cilët deklaroi se vetëm tre janë të intubuar.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se lehtësimi i masave vjen pas vënies në kontroll të pandemicë COVID-19 në Shqipëri, por nëse do të ketë përshkallëzim të situatës kufizuese, atëherë mund të kthehet sërish kufizimi.
“Fundi është i vështirë për t’u parashikuar. Situatat janë dinamike. Numri i qëndrueshëm i të infektuarve të rinj dhe gjendja e mirë e të shtruarve, janë premisa që masat mund të fillojnë të lirohen. Që jemi në këtë gjendje është në sajë të marrjes së masave të forta për të parandaluar kontaktet. Është koha të provojmë të lirojmë në një farë masat, dhe do ta provojmë, nëse do të ketë ndryshime, do të kthehemi përsëri”, tha Rakacolli.
/a.r