Çifti Sadije dhe DritLEro Agolli kanë 50 vjet të martuar dhe sërish shkëmbejnë unazat me njëri-tjetrin edhe sot. Më 4 korrik 1965 Dritëro Agolli dhe Sadija celebrojnë martesën e tyre që i mban bashkë prej gjysëm shekulli.
Çifti Agolli ka festuar 50-vjetorin e martesës së tyre në mënyrën më të mirë: duke u rimartuar! Në një intervistë për “Panoramën” Sadije Agolli rrëfen njohjen me shkrimtarin, ceremoninë martesore dhe 50 vitet e kaluara bashkë. “Natën e parë të martesës kemi fjetur në ballkon. Kishim aq shumë njerëz në shtëpi sa nuk kishim ku të flinim”, rrëfen Sadija për “Panoramën”.
Më tej ajo tregon edhe një episod nga dita e dasmës së tyre. “Gjatë kohës që isha me fustan nusërie i thashë Dritëroit të dalim për akullore. Ai nuk ma prishi dhe pasi u ndërrova u nisëm të dilnim. Mamaja e Dritëroit nuk e pëlqeu këtë veprim dhe tha se mund të dërgonte dikë të na e sillte akulloren, por Dritëroi më mbështeti duke i thënë se kishim nevojë të qetësoheshim”, thotë Sadija.
Duke folur për xhelozinë Sadija thotë se mes tyre ka qenë Dritëroi ai që ka qenë gjithmonë xheloz. Prej një viti e gjysëm Sadija nuk largohet nga shtëpia, bashkë me Dritëroin rri brenda mureve të apartamentit, jo se nuk duan, por për shkak të kushteve shëndetësore.