Shqipëria rastin më të mirë në ndeshjen me Danimarkën mbrëmjen e djeshme e kishte në fund të takimit me Odise Roshin i cili i vetëm përballë portierit nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, i zhgënjeu disi.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon arsyet se përse nuk e pasoi topin për shokët e tij të ekipit.
Odise, përse nuk pasuat tek aksioni i fundit?
Unë e mora topin dhe vrapova me sa fuqi pata. Në momentin që hyra në zonë hodha vështrimin anash, por nuk pashë asnjë nga shokët, kështu që vendosa të gjuaja vetë.
Nuk i patë shokët tuaj që po ju ndiqnin?
Jo, e ktheva kokën dy herë dhe nuk pashë asnjë. Pastaj u gjenda vetëm me portierin dhe vendosa të gjuaja. Nuk kisha ndonjë mundësi tjetër, më besoni!
Ju vjen keq më shumë që nuk pasuat, apo që s’e mundët dot portierin kundërshtar?
Tani pas ndeshjes mund të diskutojmë shumë gjëra, por mos harroni se aty është thjesht çështje sekonde. Nuk ke kaq shumë kohë për të analizuar…









