Kryetar i Komisionit të çështjeve Evropiane në parlamentin gjerman, Gunther Krichbaum thotë se Shqipërisë i kërkohet të bëjë progres në disa fusha për të arritur tek hapja e negociatave për anëtarësimin në BE.
Ai thotë se vendi ynë është ende larg plotësimit të kërkesave të BE-së për këtë qëllim. Krichbaum thotë se prania e deputetëve të inkriminuar në parlament është e papranueshme.
Intervista
Sa e vështirë është të bindeni kolegët tuaj në Bundestag për hapjen e negociatave të Shqipërisë, kur thuhet se në Parlamentin shqiptar ka 19 raste deputetësh me të dhëna kriminale?
Gunther Krichbaum: “Ne jemi në favor të zgjerimit, sepse kjo ofron më shumë stabilitet në rajon. Së shpejti, do të shqyrtojmë hapjen e kapitujve 35 dhe 32 në kuadrin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe jam optimist që kjo do të realizohet në fund të vitit. Pika tjetër e axhendës është Shqipëria. Shqipëria është një vend kandidat, por vendi duhet të realizojë reformat, pasi hapja e negociatave nuk është automatike. Qeverisë i kërkohet të bëjë progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformimin e sistemit të drejtësisë. Ne duam të shohim një sistem drejtësie të pavarur, krijimin e strukturave të besueshme dhe forcimin e shtetit ligjor. Në të gjitha këto, ne jemi shumë larg hapjes së negociatave. Qeveria shqiptare duhet të tregohet ambicioze në realizimin e reformave, që ne të konsiderojmë hapin e ardhshëm të integrimit. Ajo që përmendët në pyetjen tuaj përbën një pikë shumë të ndjeshme për ne. Në duam të shohim dekriminalizimin e Parlamentit të Shqipërisë. Prezenca e deputetëve me të dhëna kriminale në Kuvend është e papranueshme. Këto raste duhet të trajtohen nga drejtësia. Përndryshe hapja e negociatave nuk mund dhe nuk do të ndodhë”.
Deputetë të Parlamenti Europian janë shprehur se lajmet që vijnë shpeshherë nga Shqipëria janë shokuese dhe se situata në Shqipëri ngjan me filmat me kauboj: Një deputet shqiptar që shtin mbi qytetarët, një tjetër që ka qenë i burgosur për drogë dhe i akuzuar për vrasje, një tjetër që godet deputetët e opozitës në Kuvend, për mos t’u ndalur te akuzat e korrupsionit. Si janë parë këto ngjarje në gjirin e Bundestagut?
Gunther Krichbaum: “Sigurisht që duket shumë e çuditshme. Kjo është e qartë. Por nga ana tjetër, është e rëndësishme të zhvillohen hetime neutrale, objektive dhe të besueshme. Në rastet kur autoritetet nuk janë në gjendje që të kryejnë hetime të tilla, atëherë lind nevoja për hetime ndërkombëtare. Ne duhet të dijmë ekzaktësisht se ç’ka ndodhur për çështje të ndryshme dhe c’është më e rëndësishmja që fajtorët të çohen para drejtësisë”
Ju përmendët hetim ndërkombëtar në rastin e dekriminalizimit ? E keni fjalën për një mbështetje ndërkombëtare për të hedhur dritë mbi ngjarjet apo flisni vërtet për hetim?
Gunther Krichbaum: “Kam dyshimet e mia për rezultatet që paraqiten aktualisht nga qeveria. Nëse tregohem i drejtpërdrejtë, ato kanë ngjyrime jo bindëse. Ne nuk duam të shohim një mjegullnajë, por një tablo të qartë të rrethanave . Madje, besoj, që edhe qytetarët e Shqipërisë duhet të jenë të interesuar për të pasur një rezultat të besueshëm dhe si rrjedhim ndoshta është në interesin e vetë qeverisë për të kërkuar hetime ndërkombëtare nga institucione apo organizata ndërkombëtare që merren me verfikimin dhe vëzhgimin e proçesit”.
Për të marrë vendimin tuaj në Bundestag për hapjen e negociatave të anëtraësimit, ju bazoheni në raportin e Komisionit Europian. A është ky raport që përcakton vendimin tuaj, pasi shpeshherë krijohet përshtypja që shtete anëtare janë shumë më të ashpra sesa Komisioni Europian në qëndrimin e tyre?
Gunther Krichbaum “Ne mbledhim informacionet tona, gjatë vizitave në Shqipëri, përmes kontakteve me institucionet apo organizatat joqeveritare. Raporti i Komisionit Europian është një prej raporteve të shumta mbi të cilat ne bazohemi. Ne marrim në konsideratë raportin e Bankës Botërore për klimën e biznesit në Shqipëri apo Transparency International për luftën kundër korrupsionit si dhe raportet tona. Pra, duke u bazuar në të gjitha këto, ne krijojmë një tablo të plotë për vendin, në bazë të të cilës vendosim nëse duhen hapur ose jo negociatat. Pra, raporti i Komisionit Europian nuk është i vetmi, ndonëse i rëndësishëm por sërish jo i vetmi raport i rëndësishëm. Janë parlamentet e shteteve anëtare që vendosin, nëse duhet dhënë drita jeshile apo jo për hapjen e negociatave,. Qeveria gjermane duhet të kërkojë aprovimin e Bundestagut për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Unë aktualisht nuk mund t’i rekomandoj kolegëve të mi në komisionin e çështjeve europiane, që jep edhe orientimin e qëndrimit të Bundestagut dhe as kolegëve të mi të tjerë në Bundestag hapjen e negociatave me Shqipërinë për arsyet që përmenda. Dhe pa aprovimin e komisionit tonë nuk mund të ketë hapje negociatash. Qeveria gjermane është e detyruar të kërkojë aprovimin e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave .
Ka patur një komunikim nga autoritetet shqiptare që Gjermania ofron mundësi për punëtorët e kualifikuar shqiptarë në Gjermani? Kryeministri shqiptar para pak javësh deklaroi se ka një ofertë për 200 shqiptarë të kualifikuar që të punojnë në Gjermani. A do të thotë kjo që ne mund të shkojmë drejt një përcaktimi të kuotave për qytetarët e kualifikuar shqiptarë, apo është një ofertë e vlefshme vetëm për një herë?
Gunther Krichbaum: Së pari, azikërkuesit shqiptarë nuk kanë asnjë lloj perspektive që të pranohen në Gjermani. Ata refuzohen në 99,9 % të rasteve. Kjo pasi ne na duhet të krijojmë kapacitetet nevojshme për personat që vijnë nga luftrat dhe konfliktet dhe kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare siç është rasti i refugjatëve në Siri. Bombat ruse po prekin dhe civilët në Siri. Lidhur me kuotat, duhet të bëjmë të qartë, që nëse ka vende pune të lira në Gjermani për qytetarë jogjermanë, këto vende i rezervohen qytetarëve të kualifikuar të shteteve anëtare. Shqipëria nuk është shtet anëtar. Do të duhen vite derisa Shqipëria të bëhet anëtare. Gjatë kësaj kohe është shumë e rëndësishme përgatitja e Shqipërisë për anëtraësimin, pasi kur bëhesh anëtar ka një konkurrencë shumë të madhe brenda. Shqipëria duhet të forcojë stukturat shtetërore dhe të krijojë klimën e nevojshme të biznesit dhe sigurinë ligjore për të thithur investime e huaja. Mua më duket, se ajo që i shërben interesit të Shqipërisë nuk është që të dërgojë punëtorët e saj të kualifikuar në Gjermani, por të mos lejojë rrjedhjen e trurit, duke tërhequr bizneset e huaja të vijnë në Shqipëri për të krijuar vende të reja pune.