Ambasadori amerikan Donald Lu takoi të enjten disa gazetarë të mediave kryesore vendase. Gjatë takimit, ai trajtoi me të ftuarit temat qëndrore të aktualitetit politik, të drejtësisë dhe politikës së jashtme. Lu foli me gazetarët rreth protestës që po mban opozita në bulevardin qëndror të Tiranës.
“Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht, tha Lu, ndajmë disa nga synimet e protestës aktuale – thirrjen për zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve. Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bojkotuar apo bllokuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore, apo zbatimi i reformës në drejtësi. Sipas mendimit tim, persona seriozë nga e djathta dhe e majta duhet të kryejnë një dialog serioz lidhur me mënyrën për t’i bërë disa gjëra konkrete për të çuar përpara zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve”, deklaroi ai.
Ambasadori Lu u shpreh se “duhet të ndalojmë së vrari mendjen thjesht për çadrën. Le të vrasim mendjen për çështjet nën të, çështjet serioze të ngritura nga opozita: zgjedhje të lira dhe të ndershme, drogën dhe krimin e organizuar, dekriminalizimin. Këto janë gjëra serioze. Dhe mendoj se të gjitha partitë politike duhet të kërkojnë për mundësi për të nxjerrë nisma që merren me këto çështje serioze”.
Më tej ai vijoi “mendoj se çadra mund të jetë pozitive nëse shohim përparim me synimet. Çadra mund të jetë negative nëse shohim vetëm metodat, pra bojkotimi i parlamentit …apo prishja e zgjedhjeve. Prandaj, le të shpresojmë se çadra do të ketë ndikim pozitiv. Kjo sigurisht është ajo që shpresoj. Një gjë që diplomatët amerikanë thonë gjithmonë dhe me të cilën jam në një mendje është se një Shqipëri e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Të gjithë, majtas e djathtas, në opozitë dhe qeveri, duhet të shpresojmë për një opozitë të fortë; kjo është pjesë e demokracisë në vendin tim dhe në Shqipëri”.
Një temë qëndrore në bisedë e zuri edhe reforma në drejtësi. Lu u shpreh se përkundër pesimizmit që vihet re disa herë për reformën, ai është mjaft i kënaqëur me klimën që e rrethon atë. “Shoh shumë përparim, deklaroi ambasadori amerikan. Në dhjetor patët vendimin e guximshëm të Gjykatës Kushtetuese për të mbështetur ligjin e Vetingut. Po ashtu, pati thuajse 200 shqiptarë që aplikuan për t’u bërë komisionerë të vetingut. Ishte Avokati i Popullit që kreu një punë shumë serioze, profesionale për t’i shqyrtuar ata persona ndaj kërkesave kushtetuese. Dhe gjatë dy javëve të fundit, kemi pasur ekspertë ligjorë nga më të mirët nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian që kanë filluar një proces shumë intensiv për të shqyrtuar jo vetëm 29 persona, por të gjithë 193 personat që ishin në listë.
Donald Lu vijoi më tutje se “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do t’ia dërgojë rekomandimet e veta Presidentit, i cili ka pesë ditë për t’ia dërguar Parlamentit. Ndaj shpresoj që në një pikë të këtij procesi, rekomandimet do të bëhen publike dhe publiku shqiptar do të ketë mundësinë të shohë se çfarë pune serioze e profesionale është kryer nga Avokati i Popullit dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për pesë ditë, do të jetë përgjegjësia e parlamentit për të marrë përfundimisht hapin tjetër, i cili është formimi i komisioneve të vetingut. E kam dëgjuar skepticizmin, e përsëris, por si përgjigje them se kam besim 100% se kjo reformë do të ecë përpara. Është në Kushtetutë! Nuk është diçka që mund të zgjedhësh”!
“Tani, përgjegjësia për krijimin e komisioneve të vetingut dhe për këtë proces ikën nga duart e vëzhguesve ndërkombëtarë sot, kalon tek presidenti dhe brenda pesë ditësh duhet të shkojë në parlament”, tha Lu.
Në përgjigje të një pyetje mbi mënyrën se si përfundon protesta dhe sesi ajo do ta influencojë procesin e Vetingut, Lu u shpreh se “them se rruga më e mirë për të krijuar komisionet do të jetë me pjesëmarrjen e opozitës”.
Në këtë aspekt, ambasadori Lu tha se e konsideron rolin e kryetarit të parlamentit Meta si mjaft të rëndësishëm. “Roli i Kryetarit të Parlamentit Meta në miratimin e amendamenteve kushtetuese në korrik ishte me rëndësi kritike dhe, pa hezitim, do të thoja që roli i tij tani është kritik. Kemi një dialog shumë të mirë me Z. Meta dhe kolegët e tij me qëllim që të përpiqemi të ndërtojmë një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si të zbatohet kjo reformë”, tha Lu.
Ambasadori amerikan tha se SHBA “ka nxitur procesin e dekriminalizimit, por në dy mënyra të veçuara: njëra është ligji i dekriminalizimit, i mirënjohur, dhe e dyta është nevoja për disiplinë brenda partive politike. Në SHBA, nëse dëshiron të jesh kandidat për një parti politike kryesore, duhet t’i nënshtrohesh një viti veting nga njerëz seriozë që shohin historinë tënde. Vetë partitë duhet të marrin përgjegjësi se kë kandidojnë. Dhe, vitin e kaluar në fakt bëmë një prezantim për disa prej partive politike se si e kryejmë ne këtë në Shtetet e Bashkuara. Dhe, tani e dimë që partitë politike kryesore po i nënshtrohen një procesi për të gjetur mënyrën se si do t’i vlerësojnë kandidatët. Ambasada jonë dhe shumë ndërkombëtarë të tjerë kanë shqyrtuar nga afër listën e kandidatëve, por është edhe më e rëndësishme që këtë kanë qenë duke e bërë vetë partitë politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto janë institucione të Shqipërisë që kanë përgjegjësinë t’i parandalojnë personat nga kandidimi”, përfundoi Lu.
Prokurori i Përgjithshëm
Me interes ishin edhe komentet e tij Lu me prokurorin e përgjithshëm Llalla, me të cilin ai ka pasur një shkëmbim të fortë publik në javët e fundit. “Dua të them se nuk kam asgjë kundër Z. Llalla. Ishim të shqetësuar që kishte ndërmarrë tri hapa të veçuara që dukeshin se ishin të vendosura për të minuar reformën në drejtësi dhe ne i kishim bërë një premtim popullit shqiptar se kur ta shihnim këtë do të ngrinim zërin. Mendoj se duhet t’i përgjigjemi këtij angazhimi”, tha ai.
Duke ju rikthyer temës së protestës, Donald Lu tha se ka një këshillë për protestën. “Kam një këshillë për ata që protestojnë dhe ajo është se shpresoj që do të vazhdojnë të përqafojnë reformat, sepse mendoj që populli shqiptar qartësisht ka shumë shqetësime për tri çështjet që janë ngritur: zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimi dhe lufta kundër drogës. Por mendoj prapë se populli shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar e shohin me shumë rëndësi këtë proces reformash. Por ata nuk duhet të dëmtojnë procesin e reformës ndëkohë që punojnë për këto tri synime të rëndësishme. Në fakt, duhet të shkojnë bashkë”.
Lu e bëri të qartë se nuk është aspak dakord me bojkotin e Kuvendit. “Siç e thashë, sigurisht që nuk jemi dakord me metodën e bojkotit. Do të ishte mirë nëse qeveria dhe opozita do të dialogonin dhe të arrinin njëfarë marrëveshjeje ku opozita të ndihej se mund të kthehej në parlament. Po ashtu, e kam thënë tashmë se nuk bie dakord me mënyrën, e cila po bllokon këto reforma, por më lejoni të sugjeroj që një mënyrë që na kthen tek puna për këto reforma është dialogu midis opozitës dhe qeverisë dhe ecja përpara për këto tri çështje” tha Lu.
Donald Lu foli edhe për politikën e jashtme të SHBA për zgjedhjes së presidentit Trump. “Ajo që kemi parë është interes i vazhduar kudo në botë për çështje që lidhen me çështje të terrorizmit, antikorrupsionit, sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit. Kjo qartësisht do të thotë se këto janë çështje që qeveria e re, administrata e re do t’i mbështesë sepse kanë lidhje të drejtpërdrejtë me interesat amerikane. Të gjitha qeveritë e Shteteve të Bashkuara i mbështesin këto çështje”, tha ai.
“Për sa i përket NATO-s, siç e patë Presidentin në fjalimin përpara parlamentit në vendin tonë dy ditë më parë, rishprehu angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s. Më duhet të them diçka shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Presim të marrë pjesë në samitin e NATO-s në May. Edhe Kryeministri Rama do të marrë pjesë. Ajo që pres është që do t’i bëjë thirrje të gjithë anëtarëve të NATO-s që të mbështesin shpenzime më të mëdha ushtarake, shpenzime më të mëdha për mbrojtjen, sepse ka një angazhim shumë të fortë, ashtu si presidenti i mëparshëm, që e gjithë Aleanca të paguajë pjesën që i takon. E dyta është zhvillimi i aftësive reale për anti-terrorizmin brenda NATO-s. Ka shumë mbështetje për këtë tashmë mes anëtarëve të NATO-s. [Të gjithë aleatët e NATO-s] janë viktima të terrorizmit në mënyra të ndryshme ndaj do të besojmë që NATO do të mund të ofrojë disa përgjigje që kanë të bëjnë me këtë sfidë’, përfundoi komentet e tij Donald Lu./Javanews.al/