Nga Manjola Dervishi
Vangjel Mita ndryshe i njohur si “ babai” i protokollit mban 45 vite karrierë mbi shpatulla, nga diplomat në disa shtete, funksionar në Ministrinë e Jashtme e së fundi si shef i Protokollit të Kuvendit të Shqipërisë për 15 vite. Në një intervistë për “Tirananews” na tregon të gjithë eksperiencën e tij të punës me krerët e lartë të shtetit, më të cilët ka bashkëpunuar gjatë punës në Kuvendin e Shqipërisë, si me Namik Doklen, Skënder Gjinushin, Servet Pëllumbin, Jozefina Topallin dhe Ilir Metën.
Me një dashuri dhe respekt për punën e tij, ai na rrëfen të gjitha momentet e bukura, por edhe të vështira gjatë punës me ta.
Në veçanti ai tregon momentin kur kryetarja e Kuvendit në atë kohë, Jozefina Topalli e shkarkoi nga detyra për një ndryshim në protokoll gjatë betimit në Kuvend të Presidentit Bamir Topi.
Po ashtu ai tregon edhe për marrëdhëniet e ngushta me ta kur me shumë përgjegjësi kujdesej edhe për pamjen e tyre të jashtme, si në rastin e Ilir Metës, kur tentonte të dilte pa kollare në deklarata apo evenimente të ndryshme.
Sa i përket detyrës së tij, Mita na shpjegon me detaje se Kuvendi i Shqipërisë ka një sektor të veçantë protokolli, i cili ka kompetencat për delegacionet parlamentare, dy palëshë, shumë palëshe dhe çdo gjë që ndodh brenda situatave dhe brenda e kompetencave të Kuvendit është ky protokoll që përgjigjet për ceremonialet festive, ato zyrtare dhe mbi të gjitha ato mortore që janë ceremoni shumë delikate.
“Përshembull edhe kur një President vjen në detyrë, gjithçka nis nga ceremonia e betimit në Kuvend, e cila organizohet nga protokolli i Kuvendit”, shprehet ai.
Për shumë vite ju keni punuar në Kuvendin e Shqipërisë me figura shumë të rëndësishme të historisë së politikës shqiptare. Cili prej tyre ka qenë më korrekti në respektimin e protokollit?
Pas shumë vitesh punë në Ministrinë e Jashtme, në vitin 1998 unë kam kaluar në Kuvendin e Shqipërisë më punë ne sektorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku ndër të tjera kam mbajtur edhe detyrën e shefit të Protokollit.
Është për t’u theksuar se gjatë këtyre viteve unë kam pasur fatin të punoj me pesë kryetarë të Kuvendit të Shqipërisë, nëse më lejoni dëshiroj që t’i përmend këto figura që kanë drejtuar për gati njëzet vjet Kuvendin e Shqipërisë dhe ata janë: Profesor, Skënder Gjinushi, shoku im i fakultetit Namik Dokle, profesor Servet Pëllumbi, kryetarja e parë dhe e vetme femër, Jozefina Topalli dhe Presidenti aktual, z. Ilir Meta.
Ne vitin ’99 me ngjarjet e Kosovës shërbimi i ceremonialit të Kuvendit ka pësuar një hop edhe një zhvillim shumë të madh. Ku gjithçka, degeleacione, grupe parlamentare, shtetërore dhe në mënyrë të veçantë ato të organizatave kombëtare që vinin në Shqipëri për të parë dhe për të dhënë opinionin e tyre për çfarë po ndodhte në Kosovë, vinin nëpërmjet Kuvendit të Shqipërisë. Ka qenë një punë shumë e madhe dhe e palodhur e gjithë shtetit shqiptar në ato vite. Në këtë kohë ishte në krye të Kuvendit profesor, Skënder Gjinushi me të cilin njihesha prej vitesh. Po pavarësisht kësaj kemi punuar sëbashku konform normave dhe rregullave një korrektësi që e karakterizon edhe atë njeri.
Më vonë vimë në vitet kur Kuvendi u drejtua nga profesor Servet Pëllumbi një burrë i urtë, një burrë i mençëm, cili dinte të organizonte dhe t’i jepte kompetenca të gjithë stafit të tij.
Në fakt emrin tij në e lidhim gjithmonë me figurën e një burri shumë serioz, strikt , ç’ka do të thotë vështirë të thyej rregullat dhe për më tepër protokollin, është vërtetë kështu?
Kjo është e vërtetë, por ai kishte edhe shumë besim te stafi dhe punonjësit kompetentë.
Cili nga këta ishte drejtues i Kuvendit të Shqipërisë që vendoste më shumë me “kokën e vetë”?
Po ka pasur raste që kemi bërë ndryshme në momentin e fundit. Sepse drejtuesi me më shumë përvojë apo duke pasur edhe informacione që zyra e protokollit nuk i ka, mund ta bëj diçka të tillë.
Ndërhyrja në punë edhe ndryshimet në momentin e fundit sigurisht lidheshin edhe me karakterin e drejtuesit.
Ky karakter ndoshta edhe mua personalisht që isha burrë në moshë dhe nuk tutesha nga asnjë personalitet i huaj dhe aq më tepër nga personalitetet të shtetit tim që i kisha njohur në rrethana dhe në kushte të tjera. Do t’ju tregoj edhe raste konkrete, unë them se e nderuara dhe e respektuar edhe mjaft e afta dhe sociale Jozefina Topalli, me të cilën kam punuar tetë vjet, ishte ajo që bënte më shumë ndërhyrje të minutës së fundit. Megjithëse me të kam bashkëpunuar edhe shumë vite më parë. Ajo në dukje ishte shumë e ashpër, por në fakt shumë sociale. Kush eshë nënë ka edhe shpirt ka edhe ndjenja edhe humanizëm.
Ja çfarë na ka ndodhur, ish-kryeministri Berluskoni vjen për një vizitë në Shqipëri me ftesë të ish-kryeministrit Fatos Nano, inaugurohej ura mbi Mat. Berluskoni fliste në Kuvend. Vonohet në Pallatin e Brigadave dhe ma pas vjen, gjithçka ishte gati.. hapet seanca, merr fjalën ashtu si ishte ai plotë energji në gjuhen e tij kombëtare, transmetimi ishte drejtpërsëdrejti, ai duhet të ndalonte për t’i dhënë kohë përkthyesit dhe e bëra, mora leje tek kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano. Kryeministri e miratoi, kështu ndërhyra dhe mundësuam përkthimin.
Ka edhe raste të tjera kur vetë kryetarja ka marre iniciativë për ndryshime. Ka ndodhur në ceremonitë e pranimit të Shqipërisë në NATO. Ishte seancë festive, por sido që të jetë sipas protokollit në sallë lejoheshin vetëm dy objekte flamuri kombëtar që qëndron në të djathë të kryetarit të seancës dhe pas tij emblema e shtetit shqiptar, asnjë lloj dekori tjetër nuk pranohet, por duke qenë se zonja kishte dhe emocion edhe fantazi, bënte edhe zbukurime në sallë, në seanca festive, kështu që në vendosëm në çastet e fundit edhe një flamur të NATO-s, sipas kërkesës së saj.
Në karrierën tuaj të gjatë ka pasur me siguri edhe momente kur nuk jeni ndjerë jo mirë, mund të ndani diçka me ne?
Po, do t’ju sjell një rast të rëndësishëm, por edhe shumë domethënie, ceremonia e betimit të Bamir Topit President. Këtu roli që në oborr kur e sjell Garda e Republikës, e merr protokolli i Kuvendit edhe e çon në dhomën ku janë drejtuesit, me të cilët ai zhvillon një bisedë paraprake dhe njihet me rregullat dhe ceremoninë.
Gjithçka ishte gati në sallë sipas protokollit. Detyrat ishin ndarë, për shoqërimet e diplomatëve dhe të ftuarve dhe ne kishim përvojë në këtë punë dhe ishim model. Sa kolegët e institucioneve të tjera më kishin vënë epitetin “babai” i protokollit. Kur aty ku isha vendosur në hollë kthej kokën dhe shoh Presidentin e zgjedhur që erdhi të bënte betimin pas shpinës sime, Bamir Topin, njiheshim, kështu që shkëmbyem një përqafim. Ndërkohë del nga dhoma bashkë me deputetë të tjerë edhe kryetarja Topalli. Dhe me drejtohet: “Pse s’më njoftove?” Por ai kishte ardhur me herët me iniciativën e tij. Ishte një shpërthim i çastit i Topallit, por ndërhyri direkt z.Topi, i cili i tha se nuk më kishte njoftuar. “Jozefinë erdha vetë më parë”, tha ai i qetë.
Duke u menduar në këto çaste shoh që gjithçka ishte gati, por qeveria po shkonte dhe po zinte vendet, ku janë edhe sot, Presidenti sipas skemës ishte i detyruar të ulej pas qeverisë. Kolltuku i tij në krah të kryetarit të seancës, tek flamuri. Qeveria nis të zërë vend. Atëherë marr qeverinë dhe ul poshtë, s’mund të betohej Presidenti prapa shpinës së qeverisë. Presidenti dhe kryetari i seancës i do të gjithë përballë. Nga kryeministri i atëhershëm, Berisha dhe të gjithë anëtarët e qeverisë i zbres poshtë në plate. Gjë të cilën doktor Berisha ma miratoi. Dhe kështu u bë pa pyetur kryetaren, të cilën më duhet ta pranoj ishte zonjë dhe drejtuese e asaj salle. Dhe nuk arritëm ta vinin më dijeni. Në këtë kohë ajo vjen dhe shoqëron Presidentin, hyn Presidenti. Zënë vendet e tyre, bosh qeveria. Shpërtheu, donte të dinte ku ishte qeveria. Unë ja tregova . Por ajo po të shikonte Berishën…..
“ Kujt i more mendim?”,- më tha. Dhe unë iu përgjigja se fola me doktorin. “Je i pushuar nga puna”,- më tha. Dhe unë me qetësi ju përgjigja se më kishte bërë një nder shumë të madh. Dola nga salla edhe e ndoqa nga fundi i korridorit.
Pas dy orësh në Pallatin e Brigadave do të vijonte pjesa e dytë e ceremonisë, por e organizuar nga Protokolli i Shtet.
Në ceremoni Jozefina ishte shumë serioze dhe në krah bashkëshorti, sapo afrohet më hedh dorën më qafë edhe më thotë –“Vangjel hajde më trego vendin ti mua, po lërë këtë”. Dhe unë i thashë se jam i pushuar nga puna e ai ma ktheu –“Ec ore ti me mua pa lëri këto”. Ai pra ishte një moment, një çast edhe u sqaruam më pas.
Ndërsa një momentet më të bukura, po gjatë punës me znj. Topalli ishte kur ndodheshim në Këshillin e Evropës, ishim në transmetim direkt të fjalës së kryetares së Kuvendit për rezolutën 12/44 për Kosovën, me çdo kusht duhej bërë një takim me Presidentin Ahtisari dhe zonja më pyeti nëse e realizonim dot edhe pse ishim të pa përgatitur fare, as ambasadë finlandeze këtu nuk kishim. Duhej një takim 15 minuta në sallonin e ashtuquajtur blu. Unë si i “marrë” shkova bisedova me Presidentin Ahtisari duke qenë se jam edhe një njohës i mirë i gjuhës frënge dhe ja çoj zonjës Jozefina. Kështu takimi u bë. Një takim frytdhënës që mbeti në histori.
Po me më shumë humor cili ishte nga drejtuesit i Kuvendit
Sigurisht më shumë shok unë isha me Namik Doklen, sepse ne ishim edhe shok kursi kishim mbaruar gazetarinë sëbashku.
Kishte humorin e tij si politikan, gazetar dhe si masovik. Por siç thashë veprimtaria gjatë viteve kur Kuvendi drejtohej nga Topalli, Kuvendi mori një hov dhe nuk është vetëm konstatim i imi, sepse ajo zonjë kishte horizont dhe dëshirën për t’i dhënë hapësirë demokracisë, por kjo liri jepet në Kuvend ku ka vend edhe hapësirë për një mendim ndryshe.
A ndërhynit ju për të dhënë një këshillë edhe për pamjen e jashtme të drejtuesve të Kuvendit?
Më kujtohet kur znj, Topalli kreu një takim me kryetaren Dhomës së Komunave në Britaninë e Madhe, me kapele republike me shallin blu, që ishte edhe një sugjerim i protokollit, sepse atë kapele e kishim blerë në Strasburg, një gjë shumë e bukur dhe fisnike. Me kujtohet kur i thoja -“po të shkon moj zonjë, se je në Londër”.
Ose kur zhvillonim një ceremoni bamirësie, i këshilloja përveç veshjes klasike që e kishte, për detaje të vogla, si shall dhe aksesorë të ndryshëm që lidhen me tematikën e ceremonisë. Zonjës Topalli i sugjerova kapele në Londër, pasi edhe mbretëresha mban kapele.
Po edhe zotit Meta i kam sugjeruar në shumë raste se duhet të vendos patjetër kollaren në daljen për mediat, por edhe aty ku duhej.