Europarlamentari Knut Fleckenstein shpreson që të mos ketë bojkot të Parlamentit nga ana e opozitës, por dialog mes palësh. Deklarata është bërë pas një takimi të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në Bruksel me eurodeputetin.
“Shpresoj të mos ketë bojkot të Parlamentit por dialog mes palësh. Ne ramë dakord që palët të vijojnë dialogun për dekriminalizimin. Sepse shqetësimi i këtushëm është që ky ligj nuk po zbatohet”, është shprehur Fleckenstein.
“Bisedova me zotin Fleckenstein mbi reformat që ka ndërmarrë qeveria në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të reformimin të sistemit të sigurisë në tërësi. Por edhe mbi reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria, të cilat garantojnë rezultate të qëndrueshme në kohë, në raport me luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor”, u shpreh ministri Tahiri.
Çështja “Prenga” është rikthyer në vëmendje edhe nga eurodeputeti, i cili ka kërkuar sqarime lidhur me këtë çështje. Ndërsa minsitri Tahiri është shprehur se përgjigja më e mirë për situatën nuk është bojkoti po miratimi i akteve nënligjore dhe zbatimi sa më i shpejtë i ligjit të dekriminalizimit. l