Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, po zhvillon sot një tryezë dëgjimore e, ku po diskutohet projektligji për financimin e partive politike.
Bashkëkryetari i komisionit, deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, theksoi se transparenca dhe financimi i shëndetshëm janë elementë kyç për ruajtjen e pluralizmit politik dhe funksionimin demokratik të partive.
Në fjalën e tij, Bylykbashi u shpreh se “Transparenca nuk funksionon pa ujë në burim. Financimi duhet të jetë i mjaftueshëm dhe i shëndoshë, që partitë të funksionojnë brenda sistemit parlamentar. Duhet të krijojmë një barrierë për të mbajtur të shëndetshëm pluralizmin politik.”
Ai nënvizoi se ligji i ri duhet të gjejë një ekuilibër mes transparencës, pluralizmit dhe demokracisë, duke shmangur korrupsionin, influencat kriminale apo faktorët e tretë të huaj.
“Partitë politike janë organizma me rol themelor në formimin e pluralizmit. Është e rëndësishme që të ndërtojmë një sistem financimi që prodhon pluralizëm dhe jo një regjim financiar që ekspozon partitë, sidomos opozitën, ndaj instrumenteve kontrollues të një shteti të kapur,” deklaroi ai.
Bylykbashi kujtoi se çështja e financimit të partive ka qenë rekomandim i OSBE-së që prej 25 vitesh, ndërsa sot është një kërkesë kushtetuese dhe një detyrim për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Kjo është jo vetëm kërkesë kushtetuese, jo vetëm kërkesë e BE-së, por ndajmë të gjithë një mendim që partitë të funksionojnë në mënyrë demokratike, duke shmangur korrupsionin dhe influencat kriminale,” shtoi ai.
Deputeti demokrat theksoi se financimi i partive duhet të jetë i shëndetshëm jo vetëm në aspektin e pastërtisë, por edhe në sasinë e fondeve që ato marrin, në mënyrë që të mos jenë të ekspozuara ndaj presioneve të jashtme.
“Ajo duhet të jetë e mjaftueshme dhe e shëndoshë që partitë të funksionojnë në mënyrë demokratike brenda tyre dhe brenda sistemit parlamentar,” u shpreh Bylykbashi.
Mbledhja e sotme ishte e para në këtë format dëgjimor, duke lejuar marrjen e inputeve nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë. Sipas Bylykbashit, kjo qasje do të ndihmojë komisionin të jetë më konkret në vendimmarrjet e ardhshme për reformën zgjedhore.
Në fund ai theksoi se ligji duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh interesat e partive të mëdha dhe të reja, brenda dhe jashtë parlamentit, por mbi të gjitha të jetë në interes të publikut dhe demokracisë parlamentare në Shqipëri.
/rtsh.al/











