Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i pranishëm në konferencën për ligjin për “Financat lokale”, që zhvilloi punimet në Hotel Tirana International.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj kërkoi që ky ligj të votohet brenda muajit korrik 2016. Ai tha se Tirana po i nënshtrohet ndryshimeve reale që janë në dobi të qytetarëve të saj si dhe përmendi partneritetin publik-privat si një mundësi të mirë për të investuar dhe zhvilluar kryeqytetin.
“Lajmi i mirë është se sot kemi shkuar nga një situatë kaotike në një proces më të sofistikuar. Sot kemi një qytet më të përqendruar. Duhet të kalojmë në një menaxhim afatgjatë dhe një kryetar i mirë nuk lyp nga qeveria, por kërkon liri. Qeveria duhet t’i japë lirinë e nevojshme që paratë që gjeneron vetë t’i përdorë për të investuar në qytet”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se “jo vetëm Tirana, por të gjitha kryeqytetet e rajonit kanë një përqendrim më të madh të popullsisë, ç’ka kërkon shërbime dhe investime më të mëdha sesa ishin menduar”.
“Sot, Tirana ka taksat më të ulëta në krahasim më vendet e rajonit, por ne nuk po kërkojmë rritje taksash por kalim kompetencash”, tha kryebashkiaku Veliaj.
BW