Ministria e Financave, në vijim të verifikimit të informacioneve të përditësuara nga terreni, po inspekton në mënyrë intensive degët doganore, drejtoritë rajonale të tatimeve si dhe institucionet e tjera të varësisë.
Grupet e punës të ngritura për këtë qëllim janë fokusuar sot, sipas njoftimit për shtyp të MF-së, në inspektimin e sektorëve operacionalë të zonave doganore kufitare në juglindje të Shqipërisë, më konkretisht në Kapshticë, Goricë, Tushemisht dhe Qafë-Thanë.
Po kështu, janë mbajtur nën mbikqyrje edhe grupet e antikontrabandës të cilat operojnë në akset e këtyre zonave doganore.
“Ato po të kontrollojnë nga afër zbatimin e detyrave funksionale nga punonjësit e doganave kufitare si dhe respektimin e rregullave që vendos VKM per “Marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, thuhet në njoftimin pë shtyp.
Ministria e Financave inkurajon punonjësit e administratës fiskale që të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat në përputhje me legjislacionin në fuqi./b.d










