Kryeministri Boris Johnson ka ndarë vizionin e tij për një Britani të Madhe pas Brexit, ku përmes një fjalimi drejtuar kombit, i ka bërë thirrje vendit të festojë një “agim të ri” të pavarësisë.
Në një fjalim të para-regjistruar të transmetuar një orë para se kombi të largohej zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, Johnson tha se ky është një moment “rinovimi dhe ndryshimi i vërtetë kombëtar”, ndërsa premtoi një vend më të barabartë për shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar në të gjithë mbretërinë.
Ai gjithashtu shtoi se ishte momenti për të dhënë premtimet e Brexit, pasi që një periudhë 11-mujore tranzicioni e negociatave qëndron përpara, përpara se vendi të mund të çlirohet plotësisht nga blloku.
“Ky është momenti kur agimi prishet dhe perdja ngrihet në një akt të ri në dramën tonë të madhe kombëtare”, u shpreh ai.
“Dhe po, kjo është pjesërisht për përdorimin e këtyre fuqive të reja – këtë sovranitet të rimarrë – që të ofrojmë ndryshimet që njerëzit votuan pro, pavarësisht nëse kjo arrihet përmes kontrollit të imigracionit, krijimit të një freeporti, çlirimit të industrisë sonë të peshkimit, apo bërjes së marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Ose thjesht bërja e ligjeve dhe rregullave tona për të mirën e njerëzve të këtij vendi”, theksoi ai.
“Dhe sigurisht që unë mendoj se kjo është gjëja e duhur dhe e shëndetshme dhe demokratike, sepse për të gjitha pikat e saj të forta dhe për të gjitha cilësitë e saj të admirueshme, BE ka evoluar mbi 50 vjet në një drejtim që nuk i përshtatet më këtij vendi. Dhe ky është një gjykim që ju, njerëzit, tani e keni konfirmuar në votime, jo një, por dy herë.
Dhe për më tepër ky moment është më i madh se kaq. Nuk është thjesht për disa masa ligjore, është momenti i një bashkimi kombëtar dhe ndryshimi. Ky është agimi i një epoke të re, në të cilën mundësitë tuaja, mundësitë e familjeve tuaja nuk duhet të varen nga fakti se në cilën pjesë të territorit të këtij vendi jeni rritur. Ky është momenti kur ju vërtet të filloni të bashkoheni…”
“Nëse ne punojmë si duhet, ne do të rritemi jo vetëm kombëtarisht, por edhe ndërkombtarisht- dhe me diplomacinë tonë, luftën tonë kundër ndryshimeve klimaterike, fushatat tona për të drejtat e fëmijëve- ne do të zbulojmë muskuj të cilat nuk i kemi përdorur për dekada me radhë, pra fuqia e mendimit të pavarur dhe veprimit. Jo sepse ne duam t’i marrim diçka përmes saj miqve tanë të Bashkimit Evropian. Sigurisht që jo. Ne duam që ky të jetë fillimi i një epoke të re bashkëveprimi miqësor midis BE-së dhe një Britanie energjike, një Britanie e cila është njëkohësisht një fuqi e madhe evropiane dhe globale.
Dhe kur shoh asetet e mëdha të këtij vendi, inxhinerët tanë, universitetet tona që janë të parat në gjithë botën, forcat tona ushtarake… kur unë shoh potencialin e këtij vendi, duke pritur të çlirohet,unë e di që në mund ta kthejmë këtë mundësi në një sukses të mahnitshëm. Dhe ciladoqofshin pengesat në rrugë, unë e di që ne mund t’ia dalim.
Ne i jemi bindur vullnetit të njerëzve. Kemi marrë pas mjetet e vetëqeverisjes dhe tashmë është koha për të përdorur ato mjete, për të lëshuar potencialin e plotë të këtij vendi të mrekullueshëm dhe të bëjmë më të mirë jetën e kujtdo në çdo cep të Mbretërisë së Bashkuar”, përfundon fjalimin e tij Johnson. /e.s/